Pesë muaj pas rrëzimit të Bashar al-Assad, shumë sirianë druhen se thjesht kanë shkëmbyer një autokrat me një tjetër. I përballur me një ekonomi të rrënuar dhe kundërshtim sektar ndaj sundimit të tij, presidenti Ahmed al-Sharaa qeveris një vend të përçarë që ende po vuan nga thatësira dhe pasojat e luftës civile 13-vjeçare të vendit.
Nga Barak Barfi
Ashtu si gjermanët gjatë hiperinflacionit që pllakosi Republikën e Vajmarit një shekull më parë, sirianët sot rrallë dalin nga shtëpia pa mbajtur me vete sasi të mëdha parash. Ndërsa tensionet sektare – të shtypura prej kohësh në një vend të sunduar nga pakica alevite deri vonë – vazhdojnë të nxisin paqëndrueshmëri, bankomatet kufizojnë tërheqjet në rreth 40 dollarë në javë, në rastet kur funksionojnë.
Gjashtë muaj pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, gjë që i dha fund luftës brutale civile 13-vjeçare të vendit, sirianët ende po përpiqen të mbijetojnë çdo ditë. Pavarësisht vështirësive të mëdha, shumë prej tyre shpresojnë se një masë normaliteti mund të jetë së shpejti e arritshme. Por çdo javë sjell vështirësi që e hedhin poshtë një optimizëm të tillë. Kohët e fundit, duke përdorur hapësirën ajrore siriane për të sulmuar Iranin, Izraeli i vendos sirianët në një dilemë që ata do të preferonin ta shmangnin.
Në një kulturë ku mikpritja është e shenjtë, shumica e sirianëve nuk mund të përballojnë më t’u ofrojnë vizitorëve më shumë se vetëm një filxhan kafe. Vendi po përballet me një thatësirë të rëndë – më të keqe se ajo që shpesh lidhet me kryengritjen e vitit 2011 – që tani kërcënon 75% të të korrave të grurit, duke dëmtuar qasjen në bukë dhe duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore.
Pak sirianë presin kthimin e Assad-it, por shumë janë skeptikë ndaj pasardhësit të tij, Ahmed al-Sharaa. Një ish-komandant i al-Kaedës, Sharaa sundoi provincën rurale të Idlibit për disa vite, duke zbatuar një kod të rreptë islamist sunit. Edhe pse që atëherë e ka moderuar qëndrimin e tij, ai mbetet po aq enigmatik sa Assad-i gojëëmbël dhe i arsimuar në Perëndim, i cili premtoi reforma vetëm për t’u bërë një nga kriminelët më të këqij të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ashtu si paraardhësi i tij, Sharaa qeveris me dekrete, me pak ose aspak transparencë, duke bërë që shumë sirianë të druhen se thjesht kanë shkëmbyer një autokrat me një tjetër, duke zëvendësuar një diktaturë laike me një islamiste. Për më tepër, prirjet ideologjike dhe prioritetet ekonomike të Sharaa-s mbeten të paqarta. Kritikët e tij e tallen me të për të kaluarën e tij në al-Kaedë, ndërsa ata që luftuan përkrah tij në Irak kanë vënë në dyshim zellin e tij xhihadist.
Pavarësisht nga axhenda e Sharaa-s, përçarjet sektare vazhdojnë të rrezikojnë veprimet kuptimplote të qeverisë, pasi Druzët në jug dhe Alavitë në bastionin e gjatë të Assad-it përgjatë bregdetit të Sirisë refuzojnë të pranojnë qeverinë e re. “Ata janë hipokritë”, më tha udhëheqësi shpirtëror Druz Hikmat al-Hijri, duke e përshkruar Sharaa-n dhe aleatët e tij me një term të ngarkuar fetar për ata që i rezistuan mesazhit të Profetit Muhamed. Kur u pyet nëse ai mbështet një shtet federal, al-Hijri u përgjigj se ai kundërshton centralizmin. Në realitet, ajo që ai dhe bashkëfetarët e tij duan është një qeveri qendrore e dobët e paaftë për të ushtruar kontroll mbi provincën e tyre të largët.
Alevitët përballen me një problem tjetër. Si ish-minoriteti qeverisës i Sirisë, ata ndajnë pak me elitën sunite të rrëzuar nga Shtetet e Bashkuara në Irakun fqinj. Duke pasur parasysh se sunitët janë sekti mbizotërues në të gjithë botën arabe dhe islamike, minoriteti sunit i Irakut besonte se kishte të drejtë të sundonte mbi shumicën shiite të vendit dhe kërkoi rivendosjen e statusit të saj të ligjshëm.
Alevitët sirianë nuk mund të ushqejnë aspirata të ngjashme. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar disa që të përpiqen të nisin një kryengritje, ashtu siç bënë sunitët e Irakut pas pushtimit amerikan në vitin 2003. Problemi nuk është vetëm se pakica alevite është shumë më e vogël se pakica sunite në Irak, por edhe se historikisht ka qenë shumë e fragmentuar për të paraqitur një front të bashkuar.
Përplasjet e fundit midis qeverisë dhe këtyre grupeve minoritare kanë tronditur Sirinë, duke gërryer besimin e publikut në regjimin e ri. Por, pavarësisht konfliktit sektar, Sharaa gëzon mbështetjen e shumicës së sunitëve arabë. Myslimanët e devotshëm e mbështesin atë sepse rënia e partisë ateiste Ba’ath ka lejuar që feja të rihyjë në jetën publike. Të tjerë ia atribuojnë atij uljen e çmimeve, megjithëse ka pak prova se ai mund të lëvizë tregjet si, të themi, presidenti amerikan Donald Trump.
Antiamerikanizmi dhe anti-izraelizmi i fortë ishin shtyllat qendrore të kredos ba’thiste të dinastisë Assad. Assad dhe babai i tij e përvetësuan këtë dogmë militante për të shkëputur vëmendjen nga dështimet e tyre të brendshme dhe sundimi i pakicave. Nën Assad-ët, Siria do të kishte qenë e para që do të denonconte sulmet e Izraelit kundër Iranit dhe do të ofronte mbështetje – si vokale ashtu edhe materiale – për çdo palë që ishte e gatshme të përzihej me izraelitët. Sot, sirianët janë bërë të izoluar, më të shqetësuar për shërimin kombëtar sesa për ngjarjet rajonale. Megjithëse Izraeli ka shkelur gjithnjë e më shumë territorin sirian që nga rënia e Assad-it, shumë sirianë janë të kënaqur të kenë marrëdhënie normale fqinjësore. Në një shoqëri të pllakosur nga mungesa, e vetmja gjë që sirianëve nuk u mungon është shpresa – një mall falas që, ndryshe nga shumica e mallrave, nuk është as i shtrenjtë dhe as i nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare. “Pa shpresë, nuk mund të jetojmë”, më tha një burrë në moshë të mesme ndërsa mendonte nëse do t’i shpenzonte kursimet e tij të pakta për atlete të reja për fëmijët e tij apo për të riparuar instalimet elektrike të dëmtuara të apartamentit të tij.
Sirianët përballen me një bollëk kompromisesh të tilla. Ajo që u mungon janë goditjet e papritura të fatit si vendimi i papritur i Trump për të lehtësuar sanksionet e SHBA-së, gjë që i ka bërë shumë sirianë të presin më shumë raste të tilla. “Është Allahu ai që mbolli farën e Sirisë në zemrën e Trump”, më tha një burrë ndërsa mbante një çantë me domate gati të kalbura – të blera me [mim të ulët – në duart e tij.
Sipas të dërguarit special të SHBA-së në Siri, Tom Barrack, vendimi i administratës për të hequr disa sanksione kishte për qëllim “ta mbushte zonën me shpresë”. Por ajo që shpresojnë sirianët është që amerikanët ta mbushin vendin e tyre me kapital dhe investime, duke i kursyer ata nga nevoja për të zgjedhur midis nevojave ekzistenciale dhe komoditeteve themelore, dhe duke u lejuar atyre, të paktën, të blejnë prodhime të pjekura dhe jo të kalbura.
Betëeen Fear and Hope in Syria
Lini një Përgjigje