Mundësia tjetër “e fundit” e humbur e Berishës për të bërë gjënë e duhur

6 Tetor 2025, 14:29Blog Nga Neli Demi

Ka diçka pothuaj tragjike në mënyrën si politika shqiptare përsërit vetveten. Jo në ide, por në mekanizmin e dështimit. Në çdo prag mundësie për t’u reformuar, ajo zgjedh ta mbyllë derën nga frika se mos ndryshe do humbasë kontrollin. Dhe në këtë spirale vetëshkatërrimi, rasti i mos-përzgjedhjes së Ermal Hasimjës si kandidat opozitar për Bashkinë e Tiranës është shembulli më i qartë i asaj që mund të quhet “pavullneti për të bërë gjënë e duhur”.

Nuk e njoh personalisht z. Hasimja, por si një lexues i ethshëm i analizave politike dhe sociologjike, jam tërhequr nga stili tij analitik, ironia fine dhe konstruktive dhe një fill integriteti të vazhdueshëm në qasjet e tij. I konfirmova këto ndjesi gjatë këtyre ditëve kur emri i tij u lakua si kandidat i popullit opozitar për postin e kryebashkiakut, pasi iu riktheva kontributeve të tij të viteve të fundit në analizën socio-politike.

Ermal Hasimja nuk është një politikan, dhe pikërisht për këtë arsye ishte kandidati ideal. Ai është një mendimtar i lirë, një njeri që e ka ndërtuar zërin e tij publik mbi kritikën e arsyetuar dhe mosvarësinë intelektuale, dy cilësi që e bëjnë të papajtueshëm me logjikën e oborrit politik. Në vend të lojalitetit të verbër, ai ofron integritetin e fjalës dhe në vend të sloganit ofron pyetjen që formon mendimin. Por ky është një tipar që as Berisha, as struktura që e rrethon nuk mund ta përballojnë. Është një njeri që nuk pret leje për të menduar, dhe që nuk ka nevojë për pushtet për të qenë dikush.

Mos mbështetja e Hasimjës nga PD e Berishës nuk është një vendim politik por është një refleks i një organizmi të sëmurë. Ajo tregon se opozita zyrtare nuk është më e aftë të pranojë as mendimin kritik, as përfaqësuesit e meritës publike, por vetëm ata që riciklojnë narrativën e vjetër të besnikërisë personale. Në këtë kuptim, Berishizmi nuk është thjesht emri i një figure, por një mënyrë të menduari pushtetin: një rend ku çdo mendje e pavarur është rrezik, çdo reflektim lexohet si sulm, dhe çdo ide që s’e kontrollon dot bëhet kërcënim.

Hasimja do të kishte qenë një provë e fundit e sinqeritetit: nëse Berisha vërtet do të donte të tregonte se e ka kuptuar se çfarë ka shkuar keq me opozitën, ky do ishte momenti për ta dëshmuar. Por, si në një ritual të njohur, ai zgjodhi përsëri bindjen mbi vizionin, oborrin mbi qytetin, kontrollin mbi kulturën.

Kandidatura e Hasimjës, edhe pa u realizuar, tregoi se ka ende figura që e kuptojnë politikën si akt qytetar, jo si fitore personale. Ai përfaqësonte një mundësi për të rihapur debatin mbi vetë mënyrën se si e konceptojmë të qenit opozitë: jo si reaksion kundër, por si reflektim përbrenda.

Prandaj refuzimi i tij nuk është thjesht gabim taktik. Është dëshmi e frikës ekzistenciale së një bote që nuk mund të bashkëjetojë me lirinë e mendimit. Dhe në këtë kuptim, kjo ishte “mundësia tjetër e fundit” e Berishës, jo për të fituar një bashki, por për të shpëtuar diçka nga vetja.
E humbi edhe këtë. Sepse për të bërë gjënë e duhur, duhet së pari të jesh gati të mos jesh më i njëjti.

2 Komente

  1. N
    Nga nje malok i transformuar

    Ua ore NELI po tjeter konsiderate kisha per ty more i uruar . NELI vertet mendon qe ujku ne kete rast Saliu qe ka veshur nje gezof qingji eshte transformuar ne qingj . Kuurren e kurres mos e co nder mend qe aty ne ate organizate terroriste te dali ndonje ze i vertete i arsyshem , te pakten per sa kohet te jete gjalle Sali terroristi , vetem mbasi dalin nga ajo vathe e kuptojne se ku kane jetuar . Mjafte te kujtojme rastin e fundit me i fresketi i Dash Sules , se persa kohe jane brenda mendojne e veprojne vetem si ai teos themi qe kane frike . Aty ne ate hale parti vetem pasi te ngordhi Sali krimineli mundet se ka per te ndodhur edhe nje 8 Janar tjeter por pas ngordhjes te qenit Sali , mund te hapet ndonje kapitull tjeter , po sit per sit as mos coni nder mend edhe pse ju duket ujku si qingj po tashme me i rrezikshem ka mbi vehte damken Nongrada nga Shba e Anglia .

    Përgjigjjuni
    1. X
      Xxx

      Thjesht dhe saktë Demi

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje