‘Një i ri rend botëror’ dhe çmimi që Shqipëria po pranon të paguajë

28 Janar 2026, 21:30Blog TEMA
‘Një i ri rend botëror’ dhe çmimi që

Nga Florian ÇULLHAJ 

Prej muajsh, në diskursin kombëtar po qarkullon ideja se një rend i ri botëror po imponohet nën logjikën e Donald Trumpit. Përkatësisht, imponimi përmes pushtetit/forcës, i cili i përgjigjet parimit, ‘bëj atë që them unë ose do bëj diçka që nuk doni ti’. Sipas kësaj narrative, bota duhet të pranojë një realitet të ri ku pushteti/forca zëvendëson rregullat, interesi zëvendëson parimet dhe aleancat lidhen vetëm me logjikën e përfitimit material. Ky interpretim teorikisht paraqitet si pjesë e shkollës së realizmit, pra si një domosdoshmëri rrethanore pa alternativë zgjedhëse. Ky është një keqkuptim i thellë i realpolitikës, po ashtu edhe i vetë idesë së rendit të ri botëror. Por, cili është pozicioni i teoricienëve realistë dhe normativë mbi këtë vizion?

Vetë realizmi,  që të jetë i qëndrueshëm, ka nevojë për parime. Carl Schmitt e kishte kuptuar qartë këtë qasje, edhe pse nga një perspektivë problematike si ajo e nazizmit. Për Schmitt-in, rendi ndërtohet mbi një vendim themelor që krijon një nomos, një hapësirës politike të strukturuar. Ndërsa kur vendimi shkëputet nga çdo normë e qëndrueshme, atëherë politika rrëshqet në gjendje përjashtimi permanente. Trumpizmi nuk po prodhon asnjë nomos  të ri, por episode seriale vetëpërjashtimi.

Nga ana tjetër, edhe Hans Morgenthau, një nga figurat më qendrore të realizmit klasik, do ta refuzonte po aq me vetëdije idenë e një realpolitike pa kufij normativë. Morgenthau argumentonte se interesi kombëtar duhet të udhëhiqet nga maturia dhe përgjegjësia, jo nga impulsi personal apo nga shpalosja e forcës për hir të forcës. Realizmi i tij nuk ishte nihilist, por tragjik, i vetëdijshëm për kufijtë moralë të pushtetit. Në këtë kuptim, rendi i ri që pretendohet sot nuk është realizëm, por një vulgarizim i tij.

Në krahun tjetër qëndron tradita liberale normative, e cila nuk e mohon konfliktin, por përpiqet ta rregullojë atë. John Rawls, në librin e ‘Drejta e Popujve’, nuk propozon një botë pa interesa, por një botë ku interesat kufizohen nga parimet e drejtësisë dhe respektit reciprok. Sipas Rawls, edhe shtetet më të pushtetshme, nuk kanë legjitimitet moral të imponojnë vullnetin e tyre përmes frikës/shantazhit. Për pasojë, një rend pa kufij nuk është vetëm i padrejtë, por edhe i paqëndrueshëm.

Ndërsa, Jürgen Habermas shkon edhe më tej, duke theksuar se legjitimiteti ndërkombëtar nuk mund të prodhohet vetëm nga forca, por nga procedura dhe nga konsensusi i arsyetuar. Një botë e drejtuar nga ultimatumet shkatërron vetë bazën e besimit mbi të cilën ndërtohen aleancat afatgjata. Trumpizmi, në këtë lexim, nuk është sfidë vetëm për rendin liberal, por për vetë idenë e racionalitetit politik.
Në këtë kontekst, Shqipëria përballet me një zgjedhje strategjike realiste dhe një normative. Historia e saj euroatlantike nuk është thjesht histori aleancash, por histori aspirate për t’u bërë pjesë e një rendi të bazuar në rregulla/parime, jo në tekat e të pushtetshmit të radhës. Në këtë kuadër duhet lexuar edhe rreshtimi i Kryeministrit Rama pas thirrjes për në ‘Bordin e Paqes’.

E paraqitur publikisht si një qëndrim moral dhe humanitar, por realisht, e imponuar si e vetmja zgjedhje e mundshme në një kontekst ku Trump mbetet i paparashikueshëm. Problemi nuk qëndron te paqja si vlerë, ajo është universale dhe e padiskutueshme, por te mënyra se si kjo paqe instrumentalizohet politikisht nga Rama për të blerë legjitimitet nga një aktor që vepron jashtë çdo kornize parimore. Rrjedhimisht, rreshtimi i Shqipërisë me ‘Bordin’ nuk është një ‘po’ e detyruar ndaj një klime presioni, por zgjedhje pragamtiste për interes personal të Ramës.

Në këtë kuptim, qëndrimi i tij nuk e forcon sovranitetin diplomatik të Shqipërisë, por e dobëson atë, sepse e zhvesh politikën e jashtme nga koherenca normative - standard parësor i BE-së ky - dhe e kthen në një pazar, me një lider si Trump që shpërblen oportunizmin puthadorë. Mesa kuptohet kjo është ‘realpolitikë e mençur’, sepse kështu Rama duket sikur fiton legjitimitet politik të bjerrë së brendshmi, duke u bërë pjese e tavolinave ku kinse merren vendimet botërore.

Si përfundim, rendi që po paraqitet sot si i pashmangshëm nuk është as rend i ri botëror dhe aq më pak realizëm politik. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se edhe shteti më i fuqishëm, dështon kur shkëputet nga ato parime që e bëjnë atë të shfaqet i parashikueshëm dhe njëkohësisht i pranueshëm.
Për Shqipërinë, dilema nuk është midis bindjes dhe izolimit, por midis oportunizmit afatshkurtër dhe koherencës normative afatgjatë për vetë Kryeministrin. Të blesh legjitimitet për konsum të brendshëm, duke sakrifikuar parimet e etabluara në institucionet ndërkombëtarë si OKB apo NATO dhe duke shkuar kundër qëndrimeve të vendeve më qendrore të BE-së, nuk është zgjuarsi politike, por shenjë dobësie strategjike. Një shtet i vogël mbijeton jo duke iu përshtatur tekave të më të fortit, por duke u identifikuar me ato parime/rregulla që e mbrojnë prej tij./mapo.al

6 Komente

  1. C
    Cika

    artikull i dobet, pa koncept analize gjeostrategjike. autori e paraqet rrjeshtimin e shqiperise ne konfliktin izraelito-palestinez si perqasje pesonale e kryeministrit. gabim! qasja e kryemnistrit eshte sa racionale aq edhe e drejte! autori duket i paguar!

    Përgjigjjuni
    1. C
      Cika

      Meqe nuk te pelqen analiza e tij , te duket i paguar ? Nese do niseshim me kete llogjike , atehere me shume se 80% e ketyre analizave do te ishin te paguara. " rrjeshtimin e shqiperise ne konfliktin izraelito-palestinez si perqasje pesonale e kryeministrit." . Une jam dakort me kete konkluzion dhe mendojse do te jete dejla e zeze ne politiken tone te jashtme dhe njolla e turpit ne aspekting moral mbi kombin tone.

      Përgjigjjuni
    2. S
      Shkodrani

      Konkluzionet e artikullit më duken të përcipta dhe të kopjuara nga ndonjë artikull evropian. E vetmja e vërtetë është se nuk është riorganizim i ri botëror. Në të vërtetë shtete të reja po përpiqen të ndryshojnë në mënyra aspak të ndershme, madje ushtarake atë që perëndimi ka ndërtuar. Rreziku i një konflikti të nxehtë është rreal, kështu edhe SHBA po ndërmerr masa parandaluese dhe Shqipëria po pozicionohet në mënyrë të ekuilibruar me perëndimin. Në fund të fundit Shqipëria nuk ka zgjedhje tjetër.

      Përgjigjjuni
      1. B
        Ben

        Ore autor? Vete e ke bere kete shkrimim apo e ke kopjuar? Ia ke futur kot se koti. Rendi botetor qe ka egzistuar deri tani bazohej pikerisht ne forcen e fuqive te madha! Cfare I beri Putinit ky rendi qe ti e quan te bazuara ne ligje dhe rregulla? Fuqite e medha perseri benin dhe bejne cfare te duan. Pastaj diplomacia ne gjuhen popullore quhet perseri "pazar'. Kete e kupton po te kesh lexuar me laps ne dore fjalimin e Kryeministrit Kanadez ne Davos! It was all a fake world order my friend!

        Përgjigjjuni
        1. s
          shefat

          ne shqiptaret jemi "shefa" cdo njeri qe flet jep mend te tjereve nga pozitat e "shefit". harrojne keshillen e poollonit qe i dha hamletit kur u nis per udhetim: Rezervo gjykimin e ndigjo keshilla". ndigjoni deputet e listave te "mbyllura" si flasin "hapur" a shkon kjo. deputet e listave te mbyllura u duhet hequr e drejta per te folur ne emer te populli, ata duhet te flasin vetem ne emer te kryetarit te partise e ne forumet e partise, kur flasin deputet e listave te mbyllura duhen fishkulluar e rrahe dyshemeja me kembe ne parlament. deputet ve listave te mbyllura nuk jane perfaqesues te populli t nuk i ka zgjedhe populli, bejne mire me dhene doeheqje e me i zvendsuar me me te votuari.

          Përgjigjjuni
          1. H
            Haka Tekizoti

            Hidhet ideja që të hedhë vickla parimore edhe pleshti. Pa pragmatizëm pleshti nuk rron dot një ditë. E megjithatë të gjithë kanë të drejtë për idetë që hedhin, por mbetet një çështje e vogël fare që i ndan: cili është ai që ka forcën e nevojshme, zgjuarsinë e duhur edhe rrethanat e përshtatshme në favor për të vënë në jetë "më të mirën prej tyre", kur rrethanat nuk janë në dorën e tij, por të atyre që diktojnë me anë të forcës.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje