Për luftën…

12 Tetor 2022, 18:48Blog TEMA

Për luftën…

Nga Kristaq Xharo*

Lufta përkufizohet si konflikt i dhunshëm midis shteteve ose kombeve. E tillë është edhe agresioni rus , që veç Ukrainës ka zhytur  Evropën dhe gjithë perëndimin në alarm me premisat për një lufte botërore.  Qartas, rendi botëror është tronditur nga një prej themeluesve të tij, me prirje për të rrëshqitur nga anarkia drejt kaosit. Në luftë, thotë Klausevitz – çdo gjë është e thjeshtë, por edhe më e thjeshta është më shumë e komplikuar. Aq shumë është shkruar për luftën  sa shpesh thuhet se është derdhur më shumë bojë sesa gjak. Çdo luftë ndryshon nga të mëparshmet, edhe lufta e  Rusisë në Ukrainë, por pa ju shmangur disa dukurive karakteristike. Ka mjaft pyetje për luftën që në zanafillë deri në mbarim: përse kombet shkojnë në luftë; sa zgjasin luftërat; si përfundojnë luftërat?

Përse kombet  shkojnë në luftë…

Nuk shkojnë kombet në luftë…politika i zhyt në ethet e luftës dhe i dërgon në front thotë mendimtari më i madh i luftës Klausevitc. Është aksiomatike që  një shtet shkon  në luftë nëse përfitimet prej saj janë më të mëdha se pasojat dhe nuk gjendet asnjë zgjidhje tjetër e pranueshme reciprokisht. Kjo është e vërtetë pavarësisht se motivet vendosen në kontekste të sigurisë, ekonomisë, politikës, ideologjive e besimeve religjioze  e  tjera.

Me titull intrigues (edhe në shqip) “Përse kombet shkojnë në luftë”, John Stoesinger në edicionin e tij të 8-të, pas analizës që i bën 10  konflikteve më të mëdha pas shekullit të 19-të, veç të tjerave   fokusohet në keq-perceptimet e liderëve. Për këdo që ka sadopak informacion për Luftën e Parë  e Dytë Botërore, Luftën e Koresë, Luftën e Vietnamit, luftërat midis Indisë dhe Pakistanit, luftërat midis Izraelit dhe arabëve, luftërat në Irak dhe Afganistan dhe luftërat në ish-Jugosllavi gjen plot fakte që mbështesin idenë e rolit të liderëve. Edhe në vijën e fundit të luftërave: në Gjeorgji, Krime e Ukrainë, roli i liderit (Putin) e përforcon këtë argument.

Në librin “Pse luftojnë kombet”, Richard Lebow analizon   94 konfliktet kryesore ndërkombëtare që nga viti 1648. “…nga tre motivet kryesore – pasuria, ndjenja e identitetit dhe pasiguria – është ‘ndjenja’ ajo që nxit shumicën e luftërave. Një 58% të këtyre luftëra të mëdha në bazë qëndron ky motiv. Hakmarrja përbënte 10%, ndërsa përfitimet materiale kapnin vetëm 7%…”

Përse rusët shkuan në luftë; përse po luftojnë ukrainasit? Agresioni në Ukrainë u ushqye, u rrit dhe u realizua në strategjinë e Rusisë së madhe në Europë dhe në botë. Ideatori dhe realizuesi është vetë Putin i cili dominon me ndjenjën, karakterin dhe perceptimin e tij arrogant për politikën dhe gjeopolitikën duke u vendosur edhe si   qendra e gravitetit të kësaj lufte. Mjaft objektiva u ngritën në fillim të agresionit rus e mjaft prej tyre ranë në përballje me Ukrainën dhe botën perëndimore. Ajo që mbeti e pandryshuar është vetë qëndrimi i Putinit.

Sa zgjat lufta…

– Ndoshta kjo është edhe pyetja më e kushtueshme. Të gjitha luftërat mbarojnë një ditë, edhe pse Stefan Uolt  beson se “…është shumë më e lehtë të nisësh një luftë sesa t’i japësh fund asaj“. Shumë konflikte të së kaluarës u nxitën nga “ëndrrat dhe iluzionet e një lufte të shpejtë”. Geoffrey Blainey në librin e tij klasik “Shkaqet e Luftës” afron analiza interesante për luftën. Në vitin 1792, ushtritë e Austro-Hungarisë, Prusisë dhe Francës nxituan të gjitha në fushën e betejës duke besuar se lufta do të zgjidhej pas një ose dy beteje. Përkundër, lufta zgjati 25 vjet dhe u përhap në mbarë globin. Ngjashëm, në gusht 1914, fuqitë evropiane ju ranë trumbetave të luftës duke premtuar  se ushtarët do të ktheheshin fitimtar  në Krishtlindje, pa e ditur se  do të kalonin katër të tilla deri 1918. Edhe lufta e dytë botërore u ngrit mbi idenë e ‘blitzkrieg’, por u deshën 6 vjet dhe mbi 60 milionë viktima deri në përfundim.

Sigurisht përmenden edhe fushata ushtarake të suksesshme, por jo zgjidhje, shumica e tyre çuan  në një xhungël të pafundme dilemash.  Lufta e 6-ditore e vitit 1967 edhe pse në kohën më të shpejtë  nuk zgjidhi asnjë nga çështjet themelore politike midis Izraelit dhe fqinjëve të tij, por  thjesht krijoi skenën për Luftën më të kushtueshme shkatërrimtare me ngjarje që përsëriteshin në 1969-1970 apo Luftën e Tetorit në 1973. Pushtimi izraelit i Libanit në vitin 1982 ishte një sukses pothuajse total ushtarak, por ndërsa pushtimi zgjati 18 vjet, me qindra viktima, në fund krijoi Hezbollahun dhe premisat për disa përplasje edhe më të kushtueshme.

Përse zgjasin luftërat? Nuk mjafton të pranohet se lufta është gjithmonë e pasigurt, se vlerësimet e paraluftës janë shpesh me të meta, ose që luftimet shpesh prodhojnë pasoja të paqëllimshme që i bëjnë llogaritjet e paraluftës të parëndësishme. Ajo që liderët nuk mendojnë për luftën janë tendencat e pashmangshme që i bëjnë luftërat më të mëdha, shumë më të kushtueshme dhe shumë më të gjata.

Ndoshta Rusia u dominua nga historia e  errët e përdorimit të fushatave ndëshkuese, që limitoheshin nga dy ditë deri në tre muaj. Lufta e Dimrit e vitit 1939 midis Bashkimit Sovjetik dhe Finlandës zgjati tre muaj. Operacionet ushtarake të vitit 1956 në Hungari zgjatën shtatë ditë, ndërsa pushtimi i Çekosllovakisë  në të famshmen Pranvera e Pragës 1968 zgjati dy ditë. Lufta Rusi-Gjeorgji e 2008-ës zgjati 13 ditë dhe kriza e Krimesë e vitit 2014 zgjati më shumë se një muaj. Ndërsa çdo krizë është unike, këto raste ilustrojnë një preferencë tragjike për përdorimin e dhunës për të arritur lëshime.

Vladimir Putin i Rusisë është lideri më i fundit botëror që filloi një luftë duke besuar se fitorja do të vinte shpejt dhe lehtë. Çfarëdo që të besohet për origjinën dhe përgjegjësinë përfundimtare për luftën në Ukrainë, nuk ka dyshim se Rusia filloi luftimin. Putini duket se ka besuar se qëllimet e tij fillestare të luftës nuk do të zgjasin shumë për t’u arritur ose do të kushtonin aq shumë, qoftë sepse ai ekzagjeroi pikat e forta të Rusisë, nënvlerësoi vendosmërinë e Ukrainës, llogariti gabim se si do të reagonin palët e treta, ose një kombinim i të treve. Ai tani po merr  të njëjtin mësim të dhimbshëm si mjaft të tjerë  se është shumë më e lehtë të nisësh një luftë sesa të dalësh prej saj…

Si mbaron lufta…

Nëse lufta bërthamore nuk është një opsion,  tre  janë  format kryesore  të përfundimit të luftës: së pari, me fitore të plotë nga njëra palë, së dyti me një   armëpushim të negociuar, që zakonisht çon në një format të  zgjidhjes paqësore dhe së treti, me një ‘ngërç’, pa fitues me devijim të intensitetit në shkallë më të ulët por të pandërprerë.

Nëse na ndihmon sadopak analiza historike vetëm në periudhën 1946-2005, në botë janë regjistruar 63 luftëra midis shteteve. Prej tyre vetëm rreth një e pesta (21%) përfunduan me fitore apo humbje totale. Më pak se një e treta (30%) e  luftërave në këtë periudhë përfunduan me armëpushim, ndërsa vetëm një e gjashta (16%) përfundoi edhe me një marrëveshje paqeje. Rastet e tjera përfunduan pa fitore/humbje të qartë dhe asnjë lloj zgjidhjeje paqeje. Është shqetësuese, që nga marrëveshjet e negociuara për paqe midis 1975 dhe 2018, katër nga dhjetë prej tyre (37%) nuk u respektuan e brenda dy viteve u rindezën luftimet. Më tej, 12%  e marrëveshjeve nuk zgjatën më tepër se dy deri në pesë vjet dhe 12% të  tjera që zgjatën më shumë se pesë vjet, por përfundimisht u prishën. Luftërat që përfundojnë në një ngërç, por me një histori të përgjakshme dhe ku ekzistenca e njërës palë kërcënohet, ka shumë më tepër gjasa të përsëriten. Është edhe kjo një nga premisat që një marrëveshje fillestare armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës vështirë se do të thotë fundi i luftës.

Përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë është ende larg, por rezistenca e vazhdueshme e Ukrainës ndaj fushatës ofensive të Rusisë, e përforcuar nga një aleancë e më shumë se 40 kombe, që koordinojnë ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën,  rrit shanset e Ukrainës , nëse jo për një humbje totale por të paktën për të futur në ngërç, ngecje e më pas një dis-balancë fuqie. Inspiruar  me ndjenjën e identitetit dhe mbijetesës, me terrenin  dhe gjeografinë e vetë, përshtatur me strategji dhe taktika e veçanërisht mbështetja e brendshme dhe e jashtme publik, Ukraina po bën diferencën  për fitore. Se si do të përfundojë kjo luftë do të jetë jo vetëm ndërgjegjja e vrarë por edhe e ardhmja e Evropës dhe gjithë perëndimit.

*Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

1 Komente

  1. A
    Asd

    Lufta ne Ukraine nisi nga Putin, jo nga Rusia. Aresyeja eshte pushteti i tij personal mbi Rusine dhe ruset. Frika e pare e Putin ishte humbja e ketij pushteti ashtu sic ndodhi edhe ne Ukraine ku "portokallinjte" larguan me vote proruset dhe vendosen te shikojne nga perendimi pra nje sistem me demokratik e me liberal. Frika e dyte e Putin ishte qe pervec fundit te nje pushteti hibrid ne Rusi ku mbisundon kulti individit ose kulti i Putin, pas nderrimit te pushtetit, ai do te ishte nje "hic". Atehere ja ku filloi nje lufte per te arritur objektivat personale te Putin.Teorite e gjata te lektorit perhumbin qartesine dhe merren me pershkrime (apo dhe studime) qe nuk lidhen me nje realitet si ky i sotmi qe eshte kthyer ne temen kryesore ne gjithe boten" Lufta ne Ukraine"

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje