Apokalipsi i rremë i politikës shqiptare

10 Tetor 2022, 16:59Blog TEMA

Apokalipsi i rremë i politikës shqiptare

Nga Namir Lapardhaja

Libri “Nëntëdhjeteshtata – apokalipsi i rremë” i autorit Fatos Lubonja ka kaluar pa vëmendjen e duhur të lexuesit shqiptar. I botuar në vitin 2010, ku ngjarjet e trajtuara në vepër duken se janë lënë në harresë dhe jeta politike ka marrë një rrjedhë tjetër, besoj se atyre pak lexuesve që u ka rënë ndër duar, e kanë kaluar pa vëmendjen e duhur, ndërsa shtypi kulturor ka zgjedhur ta kalojë në heshtje si mënyra më e mirë e mohimit.

Krahas të tjerave, Lubonja është i njohur për lexuesin me veprën “Ridënimi”, e cila i përket gjinisë memoaristike dhe sjell ngjarje dhe përjetime personale, dhe “Jetë burgu”, që, në dallim prej së parës, është një mozaik portretesh për bashkëvuajtësit e tij, e trajtuar si rrallë më parë me një realizëm dhe një objektivitet të veçantë.

I shkruar në trajtën e një kronike rrëfimtare për ngjarje që herë është protagonist e aktor dhe herë të tjera është rrëfyes i vëmendshëm dhe mbledhës faktesh autentike, libri “Nëntëdhjeteshtata – apokalipsi i rremë” është një dëshmi e qartë e muajve të mynxyrshëm janar-mars 1997, ku konflikti social e politik, i nxitur nga rënia e skemave piramidale, u përshkallëzua në mënyrë të rrufeshme derisa çoi në rënien e shtetit, marrjen në dorë të rendit nga banditë të armatosur, gjë që shkaktoi një plojë të përgjakshme me mijëra viktima të pafajshme.

Të vërtetën e vetë në këtë libër, autori e jep nëpërmjet tregimtarit të ngjarjes, që quhet Fatos Qorri dhe rrëfen nëpërmjet ditarit të tij, dhe të një rrëfimtari të jashtëm, në vetën e tretë, i cili tregon ngjarje që zhvillohen jashtë alteregosë së shkrimtarit.

Për shkak të interesave vetjake për të lexuar të gjithë protagonistët e ngjarjeve të atyre viteve, për herë të parë këtë vepër të Fatos Lubonjës e kam lexuar kur u botua, mirëpo nuk mund të them se përjetova atëherë të njëjtat ndjesi që përjetova këto ditë gjatë rileximit, tashmë në një konekst tjetër politik dhe me një sy kritik. Si të gjithë rileximet, edhe ky ishte befasues.    

Është për të ardhur keq që kujtesa jonë kolektive si popull është kaq e shkurtër dhe që, nëpërmjet kësaj mungese të madhe, kemi ribërë gabime të rënda përsa i përket qasjes sonë ndaj politikanëve, rrjedhimisht së ardhmes sonë. Ata që bëmë ndaj komunizmit, duket se e kemi ripërsëritur në këto vitet e tranzicionit shqiptar, duke ricikluar të njëjtat figura për tri dekada me radhë. Dhe nuk mund të priten rezultate të ndryshme nga të njëjtët aktorë politikë.

Libri “Nëntëdhjeteshtata – apokalipsi i rremë” është një evokim i ngjarjeve më të zeza të historisë së Shqipërisë së postkomunizmit dhe tregon se si babëzia për pasurim të shpejtë dhe të pandershëm, makutëria e politikanëve për t’u kapur me thonjë pas karriges së pushtetit edhe kur toka po u rrëshket poshtë këmbëve si pasojë e vetë atyre, por edhe pafuqia e njerëzve për t’u ngritur dhe për t’u revoltuar, është një e keqe e madhe që do të pjellë vetëm ditë të zeza dhe pa asnjë të ardhme të mirë.

Tek “Nëntëdhjeteshtata – apokalipsi i rremë” njihemi me një galeri të pasur protagonistësh të asaj periudhe, flitet për ngjarje të jetuara nga afër, përshkruhen personazhe dhe portretizohen me vërtetësi, gjë që mund të realizohet vetëm nga një njohës i thellë i antropologjisë sonë socio-kulturore siç është Fatos Lubonja. Figura mbizotëruese që portretizohet në mënyrë realiste, çka të duket se edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar asgjë prej tij, është ajo e presidentit të kohës, Sali Berishës, i shoqëruar edhe nga personazhe të tjerë.

Ja një ndër fragmentet e librit:

“U ndava nga Meidani duke kthyer vështrimin nga tryeza e stërmadhe ku kryetari bën mbledhjet e Kryesisë. M’u kujtua se një herë, kur kam hyrë në atë zyrë, Majko, më tregoi me një adhurim të veçantë karriken në krye të saj, atë të kryetarit Nano. “Askush prej nesh nuk ulet në atë karrike”, - më tha.

A mund të presësh të ngrenë nga karrikja Berishën njerëz që s’guxojnë të ulen në një karrike bosh?” (fq. 235).

I vendosur në krye të Forumit për Demokraci në një periudhë aspak demokratike, Lubonja ka shprehur angazhimin intelektual së bashku me zhgënjimin se si politika dhe opozita e kohës e përdori këtë Forum si një mjet për të marrë pushtetin dhe se si, nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta dhe të errëta, ata e kishin më të lehtë për të gjetur gjuhën me njëri-tjetrin se sa me intelektualët e llojit të Lubonjës apo me ish-të burgosurit politikë të regjimit, si Kola dhe Gumeni.

Autori e përshkruan shoqërinë shqiptare si “një shoqëri ku mungon komunikimi i vërtetë; njerëz që s’ballafaqohen as me të tjerët vërtetësisht as me vetveten, por nëpërmjet një kodi ku ka peshë vetëm se kush fiton, kush ia hedh tjetrit e kush fundoset”.

Përse nëntitulli i rremë? “Ishte një ngjarje që dukej apokaliptike, por ishte një apokalips i rremë. Ky nuk do të zbulonte asgjë në emër të asgjëje. Do ta linte gjendjen ashtu siç kishte qenë.”

Si sot! Politika përsërit gabimet e së shkuarës, duke i shtuar asaj gabime të reja me të njëjtët protagonistë dhe nga i njëjti popull, që i ndjek qorrazi, në verbëri, drejt marrëzisë...

Lini një Përgjigje