Shefkiu i Elbasanit dhe polit(h)ika shterpë e Bezistanit

8 Tetor 2022, 19:32Blog Nga Kristo MËRTIRI

 

Shefkiu i Elbasanit dhe polit(h)ika shterpë e Bezistanit           

             Përfytyroni një 68 vjecar të heshtur dhe aspak llafazan e ulëritës në lagjen “5 Maji”, atje ku gëlojnë këshilltarë supengritur e memecë; pushtetarë lokalë e qendrorë, biznesmenë e “politikanë”  të kalibrit të ulët e të lartë; kryetarë partish e deputetë që po presin plot “dhembshuri” zjarrin e fushatës elektorale; prokurorë e gjyqtarë që nxjerrin “simitet” mashtruese nën mantelin sterrë të zi me etiketën bajate “Dhurata”(jo mandata) përballë Vettingut që turbulloi e trazoi ujërat e ndenjura.

            -Foton e Shefki Pishës mes minjve e gjarpërinjve vendoseni si poster elektoral që nga portat e vilave, makinave të blinduara dhe gjer te zyrat e tyre mondane në parti, në opozitë e pushtet,-më lutej dje në celular një miku im i vjetër e socialist i thekur.-Përndryshe do të mbytet shpejt Sheshi i Bezistanit, bashkë me rrapin e mocëm si dëshmitar ende i gjallë i varfërisë pluraliste kapitaliste. Shtati i tij do shëmtohet nga gjarpërinjtë që vërshëllejnë egërsisht nga dega në degë…duke lypur vota për kolltuqe e ulluqe pushteti ! Që andej mund të vërviten edhe trasta e thasë me miell e makarona…

            Shefki Pishës 68 vjecar, 7 vite më parë i shkoi në atë botë syri i vetëm, djali i vetëm. C’i ra të ziut njeri dhe nuk e mbajti ! Sot nuk i hyn në sy asgjë. Një mjegull në gri të thellë e shoqëron përditë në cdo hap dhe i mban në këmbë dëshpërimin e pamatë. Pas ikjes së djalit të vetëm, një gjëmë tjetër i ra pa mëshirë: Iu arratis gruaja, e braktisi dhe e la të mjerë në heshtjen e tij olimpike ! Pa shtëpi e pa katandi, në moshën më të vështirë e jetënxirosur !...Pa asnjë ftohëse e ngrohëse. Vecse dielli është jorgan i të varfërit. Se pasanikët e parave të pista betohen e falen qorrazi edhe për Perëndinë. Mirëpo, sic thosh me të drejtë dikur një kolegu im i dashur nga Fterra, po të tregohesh bujar e t’i bësh mirë fukarait, “zëre se i ke dhënë borxh perëndisë”. Dhe pastaj lëshonte një fjali si postulat të paprekshëm : -Ai që është i pasur, jep nga teprica, ai që nuk është i pasur jep nga zemra !...

            Polit(h)ikat qendrore e lokale shpesh nuk paskan as sy, as zemër në këtë kapitalizmin shkërdhatodemokratik shqiptar. Se Shefkinjtë tashmë janë bërë “shumë e për lumë” që nga fshatrat e thella, qytetet e vogla e gjer në metropol. Tallja më e madhe që është bërë e po bëhet, mendoj se mbetet famëkeqja “Ndihmë sociale”, thërrime poshtëruese që mund të mbajnë gjallë me bukë vetëm 3 a 4 ditë!! Barkplotëve politikanë e mjaft pasunarëve të dyshimtë, deputetëve peqe-lepe e zyrtarëve të lartë me rroga të larta, as që u dridhet floku a qerpiku përballë fukarenjve që ngrysen e gdhihen jo rrallë të uritur. Po e theksoj, të URITUR në vitin 2022 ! Burokratët e përjetshëm të metropolit nëpër istikamet e Shtetit të së Drejtës, as që e kanë haberin për ato situata mesjetare. Madje, guxojnë dhe ia cojnë mbi tavolinë edhe Kryeministrit për të firmosur e vulosur ato thërrime të turpshme “sociale”. Larg, shumë larg realitetit të trishtë ! Shkruajnë, firmosin e vulosin shkresa nga kolltuqet institucionale në Tiranë. Burime financuese ka plot, por të varfërit nuk i qesh kollaj buza. Barkplotët zyrtarë publikë dhe ata bosët privatë, nuk pyesin hic për barkboshët e uritur ! Apo, “Selanik e tatëpjetë, sic ka qenë do të jetë !” ?...

                        Nuk e di a është kujtuar dikush nga Shërbimi Social Shtetëror për Shefkiun këto ditë, apo nga biznesmenë vendalinj. Por ama nuk ka qenë e mjerë vetëm Bazilika e Bezistanit. Tani që po mbaroj këtë shkrim, motra Xhemile mund të jetë duke i cuar një pjatë gjellë vëllait fatzi e të sëmurë. 5 vajzat e tij s’janë bërë ende të gjalla ! Një braktisje tronditëse. Shefkiu qan dhe thotë sylotuar:”Nuk u kërkoj asgjë, dua vetëm t’i takoj, më ka marrë malli shumë. T’i takoj para se t’i mbyll sytë e të gremisem përgjithmonë…”. Tani më erdhi pranë fjala e një burri të mencur nga Labëria, por i braktisur nga fëmijët : -Nuk më zë gjumi për nipin tim të mërguar e të ndarë për së gjalli. Vec të tjerave, e di pse e dua shumë ? Sepse nesër do më marrë “hakun” me tim bir !...

                        Shkurt, kë të besojmë më tepër, Shefkiun e Elbasanit apo polit(h)ikën shterpë të Bezistanit ?! Sepse dielli vërtet nuk mbulohet me shoshë, por as mblidhet dot me thasë. Elbasanllinjtë e vërtetë, sot e kësaj dite qeshin e tallen me rrëfime domethënëse: “Ca budallenj, tu hapë grykën e thesit, ime, dojshin të shtishin diellin mrena në thes, të mbyllshin grykën e ta futshin më shpi. Ka kalu një djalë, u ka thanë: C’farë boni kështu ?. “-Dum të shtimë diellin mrena në shtëpi”. Ky djali ka thanë : -Kollaj fare, po e fus unë…(Hypi nalt ky dhe i hek tjegllat shpisë, hyri dielli mrena !)

5 Komente

  1. D
    Diana

    Shefkiu i ngrate. Sa shefkij ka ky vend. Politikat sociale ngujohen ne letra dhe njerzit e varfer shtohen perdite.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Arb

      Gjynah per ate te shkretin se e ka zener halli! Por shoqeria dhe shteti Shqiptar kurre nik eshte kujdesur per fukarenjte. As sistemi I Zogut, as ai I Komunisteve, as kjo pacavure Tani. Ka te beje me Shqiptaret dhe si e shikojne Shtetin dhe shoqerine. Dhe mos te flasim per shtresen intelektuale qe as nuk egziston. Apo per median..Te gjithe e keni mendjen per te fituar dicka Edhe nga KY lajm. Te gjthe vetem shkruani never gazeta apo flisni neper kanale television. Nuk vjen ndyshimi me shkrime! Keni mundesi te beni dicka? Shqiptaret jane unit. Ne Shqiperi duhet te kete me shume analiste, shkrimtare, dhe gazetare per fryme popullsie se ne cdo vend te botes. Kjo shifer tregon qe Shqiptaret merren me shume me llafe se me pune. Nuk e di me siguri por do te kete me shume stacione televizive sesa fabrika.

      Përgjigjjuni
      1. J
        Juli

        Artikull kot. Shefkiu ka pesë goca apo jo !!!!??? Kur ato nuk ndihmojnë babën !!!!!! Për ato dhe shumë bij e bija që i kanë lënë prindërit si puna e Shefkiut.

        Përgjigjjuni
        1. L
          Luftuam bllokmenet dhe na erdhen salimenet

          Sa te mbaroj monika operacionet dhe do filloj te mendoj per shefkinjte... Sa harxhon monika per macen sasha,nuk harxhon nje familje e varfer... Politiqenrit mendojne se si te rrisin rrogat dhe xhvatjet e te varferve.

          Përgjigjjuni
          1. x
            xy

            Artikull i persosur! Barazi sociale s'ka patur ne asnje lloj sistemi dhe s'ka per te patur ndonjeher. Problemi eshte qe si Shefkiu ne Shqiperi mundet te numurohen me mijra pleq te braktisur. Mendimi im eshte qe organet vendore ne bashkepunim me qeverin qendrore ti sistemojn ne qendra sociale, dhe ata pleq qe kan mbi vete ndonje prone t'ja kalojn komunes ti hiqet e drejta e pronesis femijve mbi pronen e prinderve. Problemi tjeter dhe me kryesori qe me te drejt e ngre artikullshkruesi qendron tek ndihma sociale dhe disa pensione. Nje ish puntor ne industrin mekanike me 20 vite pune merr 90 mij leke te vjetra, nje lloj si nje kooperativist qe ky i fundit mori toke ne pronesi. Mos diskutojm pagat e deputeteve, keta edhe kur nuk paraqiten ne parlament pagen e marin. Ketu nuk ka parti te majte dhe nuk duket gjekundi ne horizont...!!! Shtet rumpall si dije dhe sot

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje