Si zgjidhet kriza e Partisë Demokratike

5 Qershor 2023, 09:23Blog Nga Roland Qafoku

Si zgjidhet kriza e Partisë Demokratike

Partia Demokratike i ka ikur edhe udhëkryqit. Në situatën aktuale ajo ndodhet në një rrugë pa krye. E ka humbur fare rrugën dhe nuk di as se ku është dhe as se ku do shkojë. Me pak fjalë, kjo parti është e shpartalluar. Ai që nuk e kupton këtë, ose nuk i ka dalë dehja, ose ka ndonjë interes të madh. Me humbjen e rëndë që pësoi, tashmë në opinionin publik është krijur perceptimi që Partia Socialiste dhe Edi Rama e ka të shtruar me tapet të kuq rrugën për të ecur drejt fitores në mandatin e katërt në zgjedhjet parlamenatre të vitit 2025.

Përpjekjet për tia faturuar humbjen në zgjedhjet lokale vetëm “makinerisë së tij dhe bandave” nuk ngjit më. Nuk ngjisin më as konferencat e përditshme për shtyp nga Sali Berisha i Rithemelimit, as dalja me bluzë alla Zelensky të Lulzim Bashës për “kthimin e madh” dhe as nxitimi i Gazmend Bardhit për të mbledhur grupin parlamentar dhe kryesinë që vetëm ai e di që ekziston. Por çduhet të bëjë Partia Demokratike në këtë situatë që ndodhet? Si duhet ta zgjidhë krizën, akomë më të thellë dhe akoma më të rëndë se sa ajo ishte përpara zgjedhjeve të 14 majit? Dhe, më e rëndësishmja, kush duhet ta bëjë këtë? Janë disa pyetje që shtrohen si imperative për këtë parti.


BERISHA IK, BASHA MOS U KTHE!

Nga e gjithë ajo që po ndodh aty problemi më kryesor për shumicën që e kupton por që nuk e shprehin, mbetet Sali Berisha. Ai jo vetëm nuk po jep dorëheqjen, por me kauzën e vjedhjes së zgjedhjeve, po e çon këtë parti në një situatë edhe më të rëndë. Sali Berisha ka një bilanc të pamohueshëm politik në karrierën e tij. Ai ka jo pak merita si politikan në këto 33 vjet, ashtu siç ka edhe defektet dhe gabimet përgjatë kësaj karriere. Askush nuk mund t’ia mohojë atij meritat dhe askush nuk mune t’ia hedhë poshtë ato që ai i ka dhënë PD-së por edhe vendit në këto 33 vjet. Emri i tij është futur në historinë e postkomunizmit si një nga dy-tre politikanët më të rëndësishëm dhe dominues në politikën shqiptare.

Një nga liderët e Lëvizjes së Dhjetorit 1990, një nga themeluesit dhe kryetar i Partisë Demokratike, të parës parti opozitare në historinë e Shqipërisë, president dhe kryeministër i zgjedhur në dy mandate, nuk besojmë se teprohet të themi se në vite të veçanta ai ka bërë epokë. Ashtu siç ka mbi supe edhe gabime të rënda si fajdet dhe ngjarjet e vitit 1997. Por, kaq. Në situatën e që PD ndodhet, Sali Berisha vërtetë është pengesë. Më e rënda është që askush nuk ka guximin t’ia thotë dhe askush nuk ka guximin të ndërmarrë një nismë, jo kundër emrit të Sali Berishës si person, por në interes të së ardhmes së PD. Por kjo duhet të ndodhë sepse vetëm kështu PD çlirohet dhe shton shanset të riorganizohet mbi bazën e parimeve demokratike dhe jo të diktuara.

Njëkohësisht, po aq e rëndë është edhe synimi për kthim i Lulzim Bashës, si autor direkt dhe njeriu përgjegjës për shkatërrimin e PD dhe të opozitës shqiptare. Përpjekjet për të mbështetur Berishën, por edhe përpjekje për të sjellë Bashën, janë vërtëtë disfatiste dhe shkatërruese për këtë parti. Vuajtja më e madhe e kësaj partie është se ajo duket gjithnjë e më e plakur si në moshën mesatare por edhe në mendim. Edhe nëse përjashtojmë 79-vjeçarin Sali Berisha, mosha mesatare në kupolën e kësaj partie është më e madhe se 50 vjeç, gjë që tregon shumë. Disa figura, edhe pse kanë kontribute, janë në moshë të kaluar. Tritan Shehu ka tre muaj që ka mbushur 74 vjeç dhe Edmond Spaho është 65 vjeç. Kujtojmë se edhe “i riu” Lulzim Basha pas një jave mbush 49 vjeç dhe lista mund të vijojë edhe me të tjerë duke e shndërruar këtë parti në një bashkim vullnetar pleqsh që nuk kanë kreativitet, nuk kanë energji dhe në shumë raste partia ndjehet pa rini.

ZHGËNJYESIT E MËDHENJ

Tomorr Alizoti ngjan si një personazh i denjë i romanit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të romancierit skocez Archibald Cronin. E thirri historia, por ai i tha asaj “më fal pak, se jam duke folur në telefon”. As me Bashën, e as me Berishën, por diku aty në mes, pa lënë asgjë gjurmë sacrifice, ai nuk ngjan fare me paraardhësit e vet që i dhanë kaq shumë Shqipërisë. Jorida Tabakut i del gjithnjë një punë dhe kur e kupton se humbi fare, bën një dalje televizive tek për tek me një gazetare që as e pyet dhe ajo as përgjigjet. Dhe për ters, Tirana nuk fitoi titullin kampion që ajo të mund të vishte uniformën bardh e blu dhe të bënte një status në Instagram si “tifoze tironse”. Agron Gjekmarkaj i është futur filozofisë dhe është keqardhje e madhe që një profesor i mirëformuar dhe me kapacitete, më shumë mbahet mend kur pas sulmit të 8 janarit ndaj godinës së PD tha: “Më dëgjoni mua, Lulzim Basha është trim”.

Ai nuk dëgjoi as mikun e tij Mark Marku, të cilit, për hir të vërtetës, i dolën të gjitha parashikimet dhe duke mbetur i vetëm mori padrejtësisht sa e sa sulme. Saimir Koreshi ka zgjedhur Lushnjen si kryeqytet, jo vetëm për të jetuar, por edhe për të bërë politikë, si të ishte viti 1920. Një djalë i edukuar Perëndim, me formim të mirë dhe me sens humori, nuk duhej të ishte inaktiv në të gjithë këtë situatë. Dalja me skype në ekrane bën që të kuptosh që ishte diku, por jo aty ku duhej. Këta politikanë janë ata që besohet se kanë zhgënjyer më shumë elektoratin e PD-së. Duhet të ishin këta që duhet të kishin ndërmarrë aksione politike jo për ta ndarë por për ta bashkuar PD-në. Dhe me Parti Demokratike duhet të quhen dhe vlerësohen të gjitha pjesët e saj, si Rithemelimi dhe Partia Demokratike zyrtare. Dhe që të arrihet kjo asnjëra palë dhe as pala tjetra nuk arritën as ta bashkonin dhe ta pajtonin këtë parti. Përbetimet se do realizonin pajtimin e madh tashmë janë të dështura.

 BAZA MË E AVANCUAR SE SA QENDRA

Si zgjidhet kriza e Partisë Demokratike

Kur të gjithë prisnin nga qendra të niste zgjidhja për të ardhmen e kësaj partie, në fakt ajo ka nisur të vijë nga baza. Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit u ndërmorën dy vendime në degë që realisht përbëjnë thelbin e të gjithë asaj që po ndodh në këtë parti. Shyqyri Dura, kryetari i degës së PD-së në Berat dhe Luigj Gjoka, kryetari i PD-së në Shënkoll dhanë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje duke dhënë një shembull të përgjegjësisë që ata kanë për këtë rezultat. Janë vendime të thjeshta, të sinqerta dhe demokratike të marra nga dy politikanë lokalë të panjohur, por që i kanë dhënë një leksion të madhe kupolës së partisë. Të dhënat flasin se këtë mund ta bëjnë edhe të tjerë. Dhe kjo do të thoshte se zgjidhja për riformatimin e Partisë Demokratike po vjen nga baza dhe jo nga qendra.

 KËSHILLI I TË URTËVE

 

Por çfarë duhet të bëjë PD? Modestisht e them dhe e kam përsëritur që ka një zgjidhje që mund të arrijë një bashkim të madh. Ngritja urgjente e një këshilli të urtësh që të marrin në dorë fatet e kësaj partie do ishte me shumë rëndësi e dorës së parë. Krijimi i këtij këshilli duhet të bëhet me personalitete të PD që nuk kanë as interesa adhe as aspirata për karrierë dhe emrat e tyre janë të shumtë. Unë po rendis disa si: Aleksandër Meksi, Mark Marku, Albina Karamitro, Fatos Beja, Alfred Serreqi, Dylber Vrioni, Rexhep Uka, etj. Mund të jenë edhe të tjerë që do përbëjnë një institucion për ta zgjidhur këtë krizë. Veprimi i dytë duhet të ishte shkrirja dhe zerimi i të gjitha strukturave dhe ndarjeve si në PD-në zyrtare dhe në Rithemelim duke deklaruar një riorganizim total të partisë. Pas kësaj duhet që partia të kalonte një proces strukturimi nëpërmjet votës për të arritur në një parti mbi bazën e parimeve më demokratike. Më pas të hartohet një platformë e qartë për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 që do përbënte edhe stradegjinë e të gjithë opozitës.

 KUSH JANË ATA QË DUHET TË BËJNË NDRYSHIMIN E MADH?

Po kush duhet ta bëjë revolucionin brenda PD-së? Sigurisht që nuk mund ta bëjnë pleqtë. Me shumë respekt për atë që kanë kontribuar në këtë parti por falë jo vetëm moshës, një pjesë aty nuk japin më, por ata janë dhe po bëhen pengesë. Ata vazhdojnë të marrin dhe të mos japin asgjë. U del imperative atyre që janë në moshë të re të bëhen iniciatorë e të gjithë asaj që duhet të trondisë këtë parti për ta ringritur.

Sigurisht që revolucionet i bëjnë 18-20 vjeçarët dhe më e mira do ishte që edhe në PD zgjidhja të vinte nga Forumi Rinor i kësaj partie. Por me përjashtime të vogla, ky forum më shumë është i gatshëm vetëm për të organizuar protesta se sa të jetë pjesë e aksioneve politike brenda partisë. Kujtojmë se kur u themelua në 1990 të rinjtë ishin baza e kësaj partie me 20-vjeçarë, shumica studentë. Kështu, zgjidhja mund të vijë vetëm nga të rinjtë e grupit parlamentar, ose të rinjtë e strukturave që janë në qendër.

Një nga politikanë të rinj që kanë premisë për ta aritur këtë është Ina Zhupa, e cila ka treguar më shumë karakter se sa interesa. Ka moshë të re dhe vizioni i saj kanë qenë shumë i qartë. Aksionet dhe betejat në të cilat është përfshirë në politikë kanë ngjitur aq shumë sa janë bërë kauza për të gjithë opozitën. Çështja e Butrintit dhe e Akademisë së Shkencave mbeten jo vetëm beteja të saj politike por edhe nga më interesantët e PD dhe të gjithë opozitës.

Belind Këlliçi është nga të vetmit që ka fituar nga humbja në zgjedhjet e 14 majit. Formati i tij politik është rritur shuëm dhe ndonëse nuk është deputet ka shumë të dhëna për tu ngjitur akoma më shumë në politikë. I duhet vetëm të punojë që përuljen ta kthej në një cilësi natyrale. Ai ka të dhëna për të inicuar një lëvizje brenda PD-së dhe ky është momenti i tij.

Luçiano Boçi ndonëse është në moshë të mesme për natyrën dhe energjitë që ka duket shumë më i ri. I pakonsumuar politikisht ai ka premisa për të qenë promotor i shumë zhvillimeve në PD. Mbi të gjitha ka edhe ekperiencën. Të tre këta duhet të afrojnë rreth vetes edhe politikanë të tjerë për të nisur një proces riformatimi të kësaj paertie që nis me krijimin e Këshilli të të Urtëve, te pajtimi i madh i të gjitha pjesëve e deri te ringritja e strukurave të reja. Ky do ishte shansi i madh por edhe i fundit i kësaj partie, ndryshe nëse vijohet me vazhdimin e punëve atje ku janë lënë, kjo parti destinohet të shkatërrohet edhe më shumë. Dhe tapeti i kuq për Ramën dhe PS-së do fillojë të shtrohet që tani. Viti elektoral 2025 vjen shumë shpejt.

7 Komente

  1. M
    Murgu

    Mirë e the mor Roland po kujt ja the.Sa të jetë Berisha gjallë asnjë fidan nuk rritet në PD sepse dhe burra nuk ka ti dalin përpara.

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vranakonti

      Roland Qafoku ke note 1o.Bravo.

      Përgjigjjuni
    2. a
      astrit

      Gjate shume i ka rene per te na mbushur mendjen se i vdekuri ngjallet!

      Përgjigjjuni
      1. B
        Ben

        Lando,artikull i sakte,vetem per keto te tre,Luçiano,Belindi dhe Ina Zhupa qe te ngrene,te jene lider te PD-ës,ja ke fut kot Keta jane te rinj,por te brymosur si berishiste,dhe nuk kan as ide,vizion etj.Thjesht jane ushtare te Sales.Lere pastaj qe nuk kane stof lideri fare.

        Përgjigjjuni
        1. R
          Rrjoll

          Ina KULLA ne mes te Tiranes do nxjerri PD-ne nga Kriza?! Keto Zhupat, Kellicat e Koreshat, i ka per te krruajtur dhembet edhe Xeni, jo Berisha qe rrezik nuk i mban mend fare kush jane. Berisha e ka mbledh mendjen, aty do rrije edhe me 5 deputete. Sa te bej zhurme e ti trembi keta dhe ata. Pa force nuk ja merr dot njeri erzin atij. Vetem po i gjuajte te respekton. Vizion 2029 te gjithe bashke!

          Përgjigjjuni
          1. B
            Bureto

            "Sali Berisha ka një bilanc të pamohueshëm politik në karrierën e tij. Ai ka jo pak merita si politikan në këto 33 vjet, ashtu siç ka edhe defektet dhe gabimet përgjatë kësaj karriere. Askush nuk mund t’ia mohojë atij meritat dhe askush nuk mune t’ia hedhë poshtë ato që ai i ka dhënë PD-së por edhe vendit në këto 33 vjet. Emri i tij është futur në historinë e postkomunizmit si një nga dy-tre politikanët më të rëndësishëm dhe dominues në politikën shqiptare". Keto na kumton analisti i madh me siper. Pra Saliu paska edhe "defekte e gabime...!". Kaq, dhe vertet kaq mjaftojne per ta mikluar sedren e Saliut dhe lakejt pas tij, per te vazhduar në rrugen e tij antidemokratike, destruktive, kriminale etj, etj, te cilat jane te sintetizuara edhe në motivacionin qe shoqeroi shpalljen e tij non grata prej Departamentit Amerikan te Shtetit. Kaq i forte ishte ky sa Saliut ia nxorri nga koka edhe aq pak mend që i kishin mbetur. Por u la me aq. Do duhej jo ne 9 shtator me deklaraten e mekur te Lule Bashes, por qysh te nesermen e shpalljes 'non grata', ne 19 maj 2022. Bile te thellohej kjo ne Kongresin e korrikut, qe sipas meje ne ato kushte, nuk do duhej bere fare, ose qe aty, te ishte perjashtuar Saliu. Jo qe se bene, por u puthen e u perqafuan, sikur nuk kishte ndodhur gje fare. Jo Qafok, jo! Saliut i duhen numeruar te gjithe te zezat qe ka bere ne kete vend per 33 vjet, perdite dhe me sa më shume forcë. Ai perdite ne ekranet e TV, intervista, takime etj, kerkon fakte, qofte dhe nje te vetem per çka akuzohet, dhe askush, si nga brenda formacionit te tij legal e ilegal, por as dhe nga analistet, media etj etj. nuk ia numerojne ato "tëk e tëk", por me delikatese, sikur po i luten e i thone vetem, jep dorejheqjen. Si xhanem, akoma nuk e njohin Salehun? Nese po, atehere eshte më mire te mos flasin fare dhe le t'i lene ngjarjet te precipitojne në menyre te natyrshme. Jo more do thone! Mire e ke ti, po ne nuk e kemi hallin te bemat e gjemat e Saliut, ne duam te shpetojme opoziten!!! Harrojne te zinjte se SHBA, me aktin e saj beri ate se ata e kishin kuptuar shume mire se me ne shqiptaret, goje kyçur, kokeulur, dembele dhe indiferente Saliun, Minuesin e Demokracise, do ta kishim në krye te opozites pse jo dhe në pushtet (si endrren e tij në fakt) deri sa ta therriste i Plotfuqishmi. Por amerikanet, miqte tane, gabuan. Nuk na zgjuan dot nga gjumi. Si? Po ja, e kishim rastin në 14 maj: Ata 250.000 shqiptare, qe nuk shkuan në votime, i duheshin hequr Saliut, jo me bojkot, por duke i votuar kunder, duke votuar per secilen alternative qe doli në ato zgjedhje perveç BF dhe PS, si dy aktoret qe jane te interesuar te ruajne 'status quonë' 33 vjeçare. Keshtu deri sa në zgjedhjet politike te 2025 (nese deri atehere Saliu do mberrije te jete faktor), te eliminohet fare, kesaj rradhe demokratikisht, pra me vote. Kjo eshte nje rruge. E dyta mbetet Drejtesia, qe sa më e thjeshta aq dhe hallve e ftohte duket, edhe pse eshte thene e sterthene, zor se mund te jape nje zgjidhje afatshkurter. Ndaj kunder Salehut duhen ngritur gjithe artileria me te gjitha mjetet, por jo si derimë tani, me dorashka, me miklime me terma si 'lider historik'; 'demokrat' i oreve te para (komunist, pa thonjza, 24 karrat), qe rrezoi komunizmin (!!), që futi Shqiperine në NATO (?!), liberalizoi vizat(?!) etj etj, që më shume se gjysem te verteta te ushqyera nga propoganda e tij, duke derdhur milionat qe familja e tij në keto dekada (sidomos pas v.2000) ka fituar dhe qe sot, siç po shihet, nuk po kursehen. Jo, jo nuk duhen permendur më ato, sepse si dy gjysem te verteta jane genjeshtat më te medha. Saliut i duhen numeruar dhjetra akte te denueshme penalisht nga legjislacioni yne në fuqi. Nese duhet, le te hiqen per disa kategori shkeljesh dhe per persona te caktuar si puna e tij, edhe percaktimi i "parashkrimit", qe vete aktoret qe duan te ruajne statusquone, e kane shtuar në Kodin Penal. Nuk mund dhe nuk duhet te kete amnisti per krime te renda siç jane Gerdeci (kete per t'i shpetuar drejtesise, e perdori edhe Mediu, 'eshte veper e parashkruar'-tha); 21 janari 2011 (kete krim Saliu e ka pohuar vete në studion TV te S.Balla, dhe prokuroria qe kishte rast per hetime kryesisht (siç ia kerkon ligji, nuk e beri), etj. etj. Por Drejtesia eshte njera ana, e ekuacionit per zgjidhje, e dyta eshte ajo qe e mendojne te gjithe, por qe nuk e bejne. Saliu duhet izoluar, i duhen hequr mikrofonet (le të ulërase se po preket Kushtetuta dhe liria e fjales), por jo se perderisa ka një televizion privat (Syri TV), aty mund te broçkullise në 24/7 dite e ore te javes. Nuk e kuptoj qe edhe nuk e duan Saliun më neper kembe, dhe i bejne thirrje te dorehiqet, dhe per më teper i kerkojne se do ta kenë "Kryetar Nderi" të PD, dmth prones se tij, dhe per pasoje edhe te Opozites. A mund të qendrojne keto? Jo, dhe keshtu mbetet zgjidhja e trete. PD le te shperbehet. Nëse duhet rotacioni, le te fillohet nga e para me nje Levizje a Front i ri, per te konkuriar me maxhorancen në zgjedhjet me te aferta qe jane ato politike te vitit 2025.

            Përgjigjjuni
            1. P
              Pilo Lala

              PDja eshte katandisur si Balli Kombetar ne vitin 1944. U mbyt gjemija me Federale, o burra shpejto kush mund te dale. Pacet Fashizmit e Vinceremos, se iku koha e Babaqemos.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje