Tradhtar i quajtur nga të verbërit apo besnik në një tradhti kolektive?

25 Tetor 2025, 08:28Blog TEMA
Tradhtar i quajtur nga të verbërit apo besnik në një tradhti

Nga Ardi Stefa

Disa krerë demokratë kanë pranuar disa poste nga qeveria. Këta janë tradhtarët, të cilët anatemohen nga ata që e quajnë veten “demokratë të vërtetë”, e që akuzojnë çdo njeri që mendon ndryshe si “tradhtar e të shitur” dhe që e kanë kthyer besnikërinë në mall për treg: kush shan më fort “jobesnikët”, konsiderohet më afër “kauzës”.

Por ç’është kjo? Besnikëri apo nënshtrim? Nënshtrimi është virtyt politik apo mjerim politik?

Kjo historia me demokratët “besnikë” që shajnë demokratët “jobesnikë”, të cilët paskan tradhtuar liderin duke pranuar poste zyrtare nga socialistët, është bërë si një grotesk politik që as satira nuk e shpëton më. Të dëgjosh sot militantët që mallkojnë ata që “u shitën”, ndërsa vetë janë të lidhur pas një lidershipi që s’e njeh as mëshirën, as reflektimin, është si ajo historia e atij që gjeti bashkëshorten në shtrat me të dashurin dhe për ta dënuar gruan preu veglën e vet. 

E tillë është logjika e “besnikëve”: në emër të hakmarrjes ndaj “tradhtarëve”, presin çdo damar që ushqen demokracinë. Të sëmurë nga një dashuri e verbër për liderin, i cili prej vitesh po u shuan partinë, një zjarr që kthehet në hi.

Pastaj dalin e vajtojnë: “Na tradhtuan demokratët e rremë, na shkatërruan idealet!”. Po kush ua shkatërroi? Ata që kërkuan të mbijetonin politikisht, ekonomikisht apo ju që ia dorëzuat mendjen një njeriu që s’e njeh dot humbjen?

Është e njëjta logjikë absurde që shkon përtej ironisë. Demokracia, që në teori duhet të jetë bashkim idesh e alternativash, praktikisht është kthyer teatër xhelozie ku çdokush akuzon tjetrin për tradhti, ndërsa “lideri” rri mbi rrënojat që vetë ka shkaktuar, i bindur se është ende prijësi i dashur.

Në këtë farsë, më tepër komedi se politikë, më kujtohet edhe historia e atij që vrau prindërit dhe në sallën e gjyqit kërkonte mëshirë, sepse ishte jetim. Pikërisht ashtu sillet sot ajo pjesë e “besnikëve”; nën emrin e besnikërisë ndaj liderit kanë vrarë çdo mundësi bashkimi, kanë rrëzuar çdo urë bashkëpunimi dhe tani kërkojnë mëshirë nëpërmjet urrejtjes, sepse ndihen “të tradhtuar” e viktima të tradhtisë.

E vërteta është se askush s’i tradhtoi, ata tradhtuan arsyen. Në politikë, kur nuk ka ideale, por interesa, kur besnikëria ndaj liderit është më e fortë se besnikëria ndaj lirisë, nuk ka më parti, por sekte. Dhe sektet nuk prodhojnë demokraci, prodhojnë varreza politike.

T’i shërbesh verbërisht një njeriu dhe jo një ideje, të masësh besnikërinë me zellin e sharjes së tjetrit, atëherë fundi është i pashmangshëm: mbetesh pa arsyetim, pa dinjitet dhe, më keq, pa demokraci.

Thënë troç, tradhtia e vërtetë nuk ndodh kur dikush pranon një post, por kur dikush braktis arsyen. Nuk ndodh kur një demokrat bashkëpunon për të ndërtuar, por kur një “besnik” shkatërron gjithçka në emër të një njeriu që s’pranon të dalë nga skena dhe që i nis militantët në luftë kundër një armiku që ekziston vetëm në mendjen e kryetarit.

Ndoshta, ajo që quhet “tradhti politike” ndonjëherë shpesh akti i parë i emancipimit politik. Është çasti kur dikush thotë “mjaft!”, kur zgjedh arsyen para urdhrave, lirinë para frikës. Dhe kjo, për një lidership autoritar, është më e frikshme se çdo kundërshtar real.

Po ta mendosh mirë, çdo “tradhti” ndaj një lideri që ka tradhtuar idealet, është një akt morali.

Të “tradhtosh” një autoritar, shpëton demokracinë.

Të “tradhtosh” një kauzë që s’është më kauzë, mbron arsyen.

Të “tradhtosh” një parti që ka humbur shpirtin, ruan ndërgjegjen.

Morali politik i tradhtisë, pra, nuk qëndron në besnikëri ndaj një njeriu, por në besnikëri ndaj një parimi, (paçka se në rastet, të cilave u referohemi parimet janë të dyshimta). Dhe tradhtia politike më e madhe është kur në emër të lirisë, njerëzit mbrojnë robërinë e tyre.

Ndaj, kur dëgjon “demokratët e vjetër” që mallkojnë “tradhtarët”, kupton se nuk bëhet fjalë për moral politik, por për moral servilësh, të cilët e duan aq shumë demokracinë, sa s’po e lënë të marrë frymë.

3 Komente

  1. V
    Vala

    Bravo Ardi. Nje formacion shpellar nuk mund ta kuptoje dot ndryshe besnikerine.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Andi dhe Mehdi Bushati

      Per fat te keq, nje ZE ne shkretetire. Prit tani komentet e patrioteve progresiste qe te tille e quajne veten vetem sepse shajne "te gjatin" dhe justifikojne Sahalene, "lexhenden" e shkaterrimit.

      Përgjigjjuni
      1. T
        Tina

        Bravo! Me pelqejne shume shkrimet tuaja! Vlonjat i llogjikshem,i zgjuar,i drejte!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje