A u dëmtua vërtet programi bërthamor i Iranit? Deklaratat dhe përplasjet e Trump

25 Qershor 2025, 22:25Bota TEMA
A u dëmtua vërtet programi bërthamor i Iranit? Deklaratat dhe

Donald Trump ka insistuar se programi bërthamor i Iranit është kthyer dekada pas si pasojë e sulmeve amerikane, pavarësisht një raporti të inteligjencës që hedh dyshime mbi suksesin.

Raporti, që ka rrjedhur nga zyrat e Agjencisë së Inteligjencës për Mbrojtjen, në Pentagon, vlerëson se sulmet e fundjavës e kanë kthyer programin bërthamor iranian vetëm pak muaj mbrapa.

Por, duke folur në samitin e NATO-s, Trump ka thënë se sulmet shkaktuan një “asgjësim total” të impianteve bërthamore të Iranit.

“Besoj se Irani nuk do të mund të prodhojë armë bërthamore për një kohë të gjatë. Sulmet amerikane shkaktuan një asgjësim total të impianteve atomike”, ka thënë Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka sulmuar mediat prestigjioze amerikane “CNN” dhe “New York Times”, të cilat publikuan raportin e që në raportimet e tyre bënë të ditur se sulmet vetëm sa e kanë vonuar paksa programin e pasurimit të uraniumit.

I ulur pranë presidentit, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se raporti i publikuar është paraprak dhe ka një besueshmëri të ulët, gjë që sipas tij sugjeron se raportimi mediatik është i motivuar politikisht.

Ndërkohë, armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, i njoftuar nga presidenti Donald Trump, ka mbajtur pavarësisht frikën për shkelje të tij. Ulja e armëve është promovuar nga të dyja palët si një fitore.

Presidenti iranian Masud Pezeshkian ka shpallur fundin e luftës 12-ditore që i ishte imponuar vendit të tij dhe ka shprehur gatishmërinë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve, edhe pse duket vijuar mbrojtjen e së drejtës legjitime të vendit të tij për programin bërthamor.

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu ka folur për një “fitore historike që do të kujtohet në gjenerata”. Megjithatë, shteti hebre ka paralajmëruar armikun e tij të betuar. “Do ta respektojmë armëpushimin për aq kohë sa do ta bëjë edhe pala tjetër”, ka deklaruar.

Lini një Përgjigje