Alarm për sulm ajror në Kiev gjatë vizitës së udhëheqësve evropianë

3 Shkurt 2023, 20:30Bota TEMA

Alarm për sulm ajror në Kiev gjatë vizitës së

Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë Ukrainën të premten, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbanin një takim të nivelit të lartë në Kiev për të diskutuar më tej sanksionet ndaj Rusisë dhe perspektivën e Ukrainës për anëtarësim në BE.

Drejtuesit e komisionit dhe të këshillit të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së udhëtuan drejt Kievit për të treguar mbështetjen për Ukrainën, ndërsa po afrohet njëvjetori i fillimit të sulmit të Rusisë.

“Nuk do të ketë rënie të vendosmërisë sonë. Gjithashtu do t’ju mbështesim në çdo hap gjatë rrugëtimit tuaj për në BE”, tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Pas rënies së sirenave të alarmit nuk pati njoftime të menjëhershme për goditje raketash, sulme që janë përsëritur rregullisht gjatë muajve të fundit ndaj infrastrukturës energjitike të Ukrainës dhe shumë larg frontit të luftës në lindje dhe në jug të vendit.

Presidenti Zelensky po bën thirrje për masa më të forta ndëshkimi ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian, megjithëse sanksionet e reja që po përgatit BE-ja nuk përmbushin kërkesat e qeverisë ukrainase.

Kievi aplikoi për anëtarësim në BE vetëm pak ditë pasi Rusia filloi sulmin vitin e kaluar. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur aplikimin, megjithëse ka dekurajuar thirrjet e Ukrainës për një përshpejtim të procesit të anëtarësim ndërsa vendi është në luftë.

Lini një Përgjigje