Ministrja italiane e Universitetit dhe Kërkimit, Anna Maria Bernini, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Universitetit të Tor Vergatës për të aplikuar tarifa shumë të larta për studentët e pranuar në degën e Tiranës. Bëhet fjalë për 220 studentë të Mjekësisë, të cilët duhet të paguajnë 9.650 euro në vit, një shifër shumë më e lartë se ajo e zakonshme për universitetet publike italiane.
“E konsideroj të gabuar këtë zgjedhje”, ka deklaruar Bernini, duke bërë të ditur se ka kontaktuar rektorin Nathan Levialdi Ghiron dhe e ka thirrur në ministri për sqarime urgjente. Sipas saj, tarifa është e papërputhshme me qëllimet e programit dhe bie ndesh me parimet bazë të sistemit universitar publik.
Ministrja ka theksuar se një regjim i tillë tarifimi rrezikon të cenojë të drejtën për studim, e cila duhet të garantohet për të gjithë studentët, pavarësisht se ku ndjekin studimet. Për krahasim, tarifa maksimale për Mjekësi në Tor Vergata në Romë nuk i kalon 3.100 eurot në vit.
Programi në Tiranë është një diplomë e përbashkët (joint degree) mes Universitetit të Tor Vergatës dhe Universitetit Katolik shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë”. Edhe pse vendet për këtë degë ishin të parashikuara që në gusht në dekretin e Ministrisë së Universitetit dhe Kërkimit, reagimet e studentëve shpërthyen pas publikimit të renditjes kombëtare më 8 janar.
Shumë prej studentëve të pranuar janë shprehur të pakënaqur, jo për faktin se studimet zhvillohen në Shqipëri pasi diploma mbetet italiane, por për shkak të kostos së lartë. Një prej tyre, 20-vjeçarja Gaia Volpe nga Avellino, ka deklaruar se është detyruar të heqë dorë nga vendi për arsye ekonomike, edhe pse do ta kishte marrë në konsideratë transferimin në Tiranë.
Pas polemikave, universitetet kanë vendosur që tarifa vjetore të mos paguhet më në një këst të vetëm, por të ndahet në tre këste prej rreth 3.216 eurosh secili. Megjithatë, për ministren Bernini ky ndryshim nuk mjafton dhe kërkohet një rishikim i plotë i vendimit.
Lini një Përgjigje