Një tarifë prej 30% që Shtetet e Bashkuara mund të vendosin mbi produktet e importuara nga Bashkimi Evropian do të kishte pasoja serioze për ekonominë gjermane, paralajmëron Bundesbank në raportin e saj të fundit mujor.
Sipas bankës qendrore gjermane, nëse tarifat hyjnë në fuqi më 1 gusht, do të krijohet një rrezik real për rrëshqitje drejt recesionit, ndërsa eksportuesit gjermanë pritet të përballen me “vështirësi të shtuara afatshkurtra” për shkak të politikës tregtare amerikane.
Ekonomia gjermane, sipas Bundesbank, humbi ritmin gjatë pranverës dhe ka gjasa që PBB-ja të mbetet në vendnumëro gjatë tremujorit të dytë të vitit. Në muajin e kaluar, banka kishte parashikuar ngërç ekonomik për vitin 2025, bazuar mbi një skenar me tarifa amerikane në nivelin 10%. Megjithatë, nëse ato shkojnë në 30%, ndikimi pritet të jetë shumë më i thellë.
“Pasiguria e krijuar nga këto tarifa dëmton rritjen ekonomike. BE duhet të synojë një marrëveshje të shpejtë me SHBA, por jo me çdo kusht,” deklaroi kreu i Bundesbank, Joachim Nagel, për gazetën gjermane Handelsblatt.
Nga një tjetër perspektivë më optimiste, Instituti për Makroekonomi dhe Kërkime të Ciklit Ekonomik (IMK) vlerëson se efektet e tarifave 30% do të ishin të përballueshme. Sipas një analize të IMK, një masë e tillë “do të ngadalësonte rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë, por nuk do ta ndalte plotësisht.”
Pavarësisht ndryshimeve në vlerësime, të dy institucionet bien dakord se çështja e tarifave amerikane mbetet një faktor kyç për ecurinë ekonomike të Evropës, veçanërisht për një vend si Gjermania që ka varësi të lartë nga eksportet.
Lini një Përgjigje