Kryepeshkopata e San Franciskos njoftoi se ka arritur një marrëveshje prej 395 milionë dollarësh me rreth 530 persona që pretendojnë se kanë qenë viktima të abuzimit seksual nga klerikët, duke i dhënë fund një beteje të gjatë ligjore.
Shumica e rasteve lidhen me abuzime seksuale ndaj të miturve, të ndodhura dekada më parë. Këto çështje ishin parashkruar ligjërisht, por një ligj i miratuar në Kaliforni u dha viktimave një periudhë trevjeçare, nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2022, për të paraqitur padi civile, pavarësisht kohës kur kishin ndodhur abuzimet.
Kryepeshkopi i San Franciskos, Salvatore Cordileone, tha se marrëveshja hap rrugën për një kompensim të drejtë për të mbijetuarit.
“Marrim përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi dhe u kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që u dëmtuan”, deklaroi ai, duke theksuar se Kisha Katolike ka një “detyrim moral” për të mbajtur përgjegjësi për këto krime.
Megjithatë, marrëveshja financiare duhet të miratohet fillimisht nga vetë viktimat përmes një votimi dhe më pas të ratifikohet nga gjykata.
Një nga viktimat, Margie O’Driscoll, e cila tha se ishte abuzuar seksualisht nga një prift rreth 50 vjet më parë në një shkollë katolike, e cilësoi marrëveshjen si një moment historik.
“Sot, turpi po ndërron anë. Ashtu si shumë të mbijetuar të tjerë, e mbajta këtë dhimbje dhe këtë turp si një top hekuri të lidhur në këmbën time për shumë e shumë vite”, tha ajo gjatë një konference për shtyp.
O’Driscoll kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, hierarkia e Kishës i kishte trajtuar viktimat me “përbuzje” për dekada dhe kujtoi se shumë prej të dëmtuarve ndërruan jetë pa marrë drejtësi dhe pa dëgjuar një kërkimfalje zyrtare.
Avokati Jeff Anderson, i cili përfaqëson një numër të madh viktimash, tha se marrëveshja nuk kufizohet vetëm te kompensimi financiar, por përfshin edhe masa konkrete për mbrojtjen e fëmijëve dhe rritjen e transparencës.
Sipas marrëveshjes, Kryepeshkopata do të angazhohet të punësojë një konsulent të pavarur me akses të plotë në arkivat e institucionit, i cili do të hartojë një raport mbi rastet e abuzimit seksual.
Gjithashtu, do të publikohet një listë, edhe pse jo e plotë, me emrat e priftërinjve të përfshirë në raste abuzimi seksual dhe do të krijohet një linjë telefonike për raportimin e rasteve të reja.
Kisha Katolike Romake është përballur gjatë viteve të fundit me skandale të shumta të abuzimit seksual ndaj të miturve në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, mënyra e trajtimit të këtyre rasteve ndryshon nga një shtet në tjetrin.
Në Spanjë, për shembull, Kisha vijon të përballet me kritika për mungesë transparence në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual, një çështje që u rikthye në vëmendje edhe gjatë vizitës së Papa Leo XIV në fillim të muajit qershor.
Lini një Përgjigje