Financial Times: Putini përballë dilemave, ekonomia e luftës shfaq shenja krize

7 Shtator 2025, 21:36Bota TEMA
Financial Times: Putini përballë dilemave, ekonomia e luftës

Në vizitën e tij këtë javë në Kinë, presidenti rus Vladimir Putin dha shfaqjen e një lideri në ofensivë diplomatike: riktheu afrimitetin me kryeministrin indian Narendra Modi, forcoi partneritetin “pa kufij” me presidentin kinez Xi Jinping dhe nënshkroi më në fund marrëveshjen për tubacionin e gazit Moskë – Pekin.

Por pas këtij imazhi të projektuar jashtë vendit, në shtëpi tabloja është më e zymtë. Ekonomia e kohës së luftës në Rusi po përballet me presione të mëdha, duke e vënë Kremlinin përballë zgjedhjeve të vështira fiskale dhe politike, raporton Financial Times.


Një ekonomi më rezistente se pritej, por jo e pathyeshme

Në vitet e para të pushtimit të plotë të Ukrainës, ekonomia ruse rezultoi më rezistente se parashikimet fillestare: çmimet e qëndrueshme të naftës e gazit dhe shpenzimet e larta ushtarake ushqyen rritjen e pagave dhe kërkesën e brendshme.
Por kombinimi i rënies së të ardhurave nga energjia, rritjes së shpenzimeve për ushtrinë, ngadalësimit të ekonomisë dhe forcimit të rublës po e detyron qeverinë të marrë vendime të dhimbshme.

Putini këmbëngul se vendi po përjeton një “ulje të butë”, por kreu i Sberbank, German Gref, e përshkroi gjendjen si “stagacion teknik”.

“Në periudhën kur rezervat dhe të ardhurat nga nafta ishin të bollshme, Rusia kishte iluzionin se mund të zgjidhte çdo problem social me para. Tani ky luks nuk ekziston më në të njëjtën masë, prandaj duhet vendosur prioritetet,” tha Aleksandra Prokopenko, studiues në Carnegie Russia Eurasia Center.

Deficiti buxhetor në rritje

Nga janari deri në gusht, të ardhurat energjetike ranë me 20% krahasuar me vitin 2024, sipas Ministrisë së Financave. Banka Qendrore parashikon një rritje të PBB-së prej vetëm 1.4% deri në fund të këtij viti, shumë më poshtë se 4.3% në 2024, dhe nuk pret që të kalojë 2% në tre vitet e ardhshme. Në skenarin më të keq, vendi rrezikon të zhytet në recesion të thellë.

Në gjysmën e parë të vitit 2025, deficiti arriti në 4.9 trilionë rubla (61 miliardë dollarë) – rreth 2.2% e PBB-së, përballë një objektivi fillestar prej vetëm 0.5%. Ministri i Financave, Anton Siluanov, i tha Putinit se qeveria po kërkon “burime financiare” për të përmbushur angazhimet.

Kursimet e paraqitura në projektbuxhetin e 2026 pritet të godasin fushat joushtarake, përfshirë infrastrukturën civile, subvencionet për klubet e futbollit dhe sanatoriumet me humbje. Me këtë qasje, qeveria mund të kursejë rreth 2 trilionë rubla, sipas Anatoly Artamonov, kreu i komisionit buxhetor në Këshillin e Federatës.

Ndërkohë, Putini sugjeroi se hendeku mund të mbulohet përmes borxhit publik, i cili është ende i ulët sipas standardeve ndërkombëtare. “Deficiti mund të rritet, sepse barra e borxhit mbetet jo vetëm e pranueshme, por edhe e ulët,” tha ai në forumin ekonomik të Vladivostokut.

Një opsion tjetër është përdorimi i fondit rezervë, por ky është zvogëluar ndjeshëm, pasi gjysma e tij është shpenzuar për luftën, ndërsa asetet jashtë vendit mbeten të ngrira nga sanksionet perëndimore.

Kriza strukturore dhe kufizimet

Përveç deficitit, Rusia përballet me mungesë të fuqisë punëtore, inflacion të lartë, probleme me pagesat ndërkufitare dhe pengesa në industri të veçanta. Sektori i qymyrit po vuan humbjet më të mëdha që nga vitet 1990, ndërsa bankat si VTB janë detyruar të bëjnë provizione për një të katërtën e kredive korporative, duke treguar rrezik të lartë mospagese.

Rubla e fortë, e cila është rritur me 20% kundrejt dollarit që prej janarit, ka shtuar presionin mbi eksportet. Megjithatë, një dobësim i qëllimshëm i saj do të nxitë përsëri inflacionin, i cili u ul nën 9% në korrik pas masave të dhimbshme të Bankës Qendrore, përfshirë norma interesi shumë të larta.

Ekonomi në shërbim të luftës

Megjithë vështirësitë, shpenzimet ushtarake mbeten prioritet. Që nga fillimi i pushtimit të plotë, buxheti për mbrojtjen është gati dyfishuar. Edhe një armëpushim i mundshëm me Ukrainën nuk do të sillte një ndryshim të menjëhershëm, thonë analistët, pasi industria ushtarake është e shtrirë deri në limite dhe nevojitet shumë vite për të rindërtuar rezervat e armatimeve.

Janis Kluge, ekspert në German Institute for International and Security Affairs, vuri në dukje se “për herë të parë, buxheti rus përballet me zgjedhje reale dhe kompromise”. Ish-zyrtarë të qeverisë shtuan se edhe në rast marrëveshjeje me Kievin, “fabrikat nuk do të ndalonin” prodhimin ushtarak.

1 Komente

  1. S
    Sass

    Po pra si te thuani ju gazetaruc te pa informuar prandaj i hodhi 800 dron dje selis qeveritare ne ukraine

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje