Gjermania shtrëngon rregullat për skuterët elektrikë, kompanitë do të mbajnë përgjegjësi për aksidentet

10 Korrik 2026, 13:05Bota TEMA
Gjermania shtrëngon rregullat për skuterët elektrikë,

Parlamenti gjerman (Bundestagu) ka miratuar një ligj të ri që rrit përgjegjësinë ligjore të kompanive që ofrojnë me qira skuterë elektrikë, pas rritjes së ndjeshme të numrit të aksidenteve me këto mjete.

Sipas ndryshimeve të reja, kompanitë që zotërojnë flotat e skuterëve elektrikë do të jenë përgjegjëse për dëmet e shkaktuara, në rastet kur personi që ka shkaktuar aksidentin nuk mund të identifikohet ose nuk mund të mbajë përgjegjësi ligjore.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, deklaroi se kompanitë që përfitojnë ekonomikisht nga dhënia me qira e këtyre mjeteve duhet të marrin përsipër edhe përgjegjësinë për pasojat e aksidenteve. 

Ligji i ri prek gjithashtu rastet kur aksidentet shkaktohen nga skuterët e parkuar në mënyrë të rrezikshme. Viktimat nuk do të kenë më nevojë të provojnë se një përdorues e ka lënë mjetin në mënyrë të gabuar për të kërkuar dëmshpërblim.

Vendimi vjen pas rritjes së fortë të aksidenteve me skuterë elektrikë në Gjermani. Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve është pothuajse dyfishuar, nga rreth 5 900 aksidente në vitin 2020 në afro 12 500 gjatë vitit 2024.

Deri më tani, shumë persona të dëmtuar mbeteshin pa kompensim, pasi skuterët elektrikë nuk i nënshtroheshin të njëjtave rregulla të përgjegjësisë që zbatohen për automjetet motorike.

Lini një Përgjigje