‘Ikni ose do ju vras’/ ‘Shtëpia’ e ferrit në Salento, italiani dhunonte brutalisht bashkëshorten shqiptare dhe dy fëmijët! 80-vjeçari dënohet me 3 vite burg

10 Korrik 2026, 10:15Bota TEMA
‘Ikni ose do ju vras’/ ‘Shtëpia’ e ferrit në

Një 80-vjeçar në Salento, Itali është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg për dhunë në familje dhe plagosje, ndaj bashkëshortes shqiptare dhe dy fëmijëve të saj.

Sipas Corriere, djalin 6-vjeçar e kishte përplasur pas kaloriferit, ndërsa të shoqen kishte tentuar ta mbyste dhe dhunuar për vite me radhë fizikisht e psikologjikisht.

Kjo martesë e kishte shndërruar në një ferr jetën e gruas shqiptare, emri i së cilës nuk përmendet, dhe dy fëmijëve të saj.

Veç burgut, vendimi përcaktoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet, dëmshpërblim paraprak prej 25 mijë eurosh për bashkëshorten dhe djalin e mitur, 10 mijë euro për vajzën në moshë madhore, përveç dëmshpërblimit përfundimtar që do të përcaktohet më vonë.

Ngjarja nisi pasi burri solli në Itali gruan me origjinë shqiptare, shumë më të re në moshë se ai, së bashku me dy fëmijët e saj, duke i premtuar një familje të re dhe mundësinë për të lënë pas një jetë të vështirë. Sipas akuzës, megjithatë, ky premtim u shndërrua shumë shpejt në një makth.

Sipas prokurorisë, nga viti 2017 deri në maj 2021, burri e kishte nënshtruar familjen ndaj një regjimi të vazhdueshëm dhune dhe keqtrajtimi. Ai kontrollonte lëvizjet e bashkëshortes dhe të dy fëmijëve të saj (të lindur nga një lidhje e mëparshme), nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia, të ndiqnin rregullisht shkollën apo të kishin kohë për argëtim. Madje, i detyronte të zgjoheshin në agim për të pastruar apartamentet që jepeshin me qira.

Gjithçka shoqërohej me fyerje dhe kërcënime të vazhdueshme, si: "Ose largoheni, ose ju vras", "Jeni qen, jeni parazitë që ju mbaj në shtëpi dhe ju ushqej", si dhe "Unë jam ai që vendos këtu dhe ju jeni qentë të cilëve u jap për të ngrënë."

Ndër episodet e përfshira, është edhe ai i tetorit 2017, kur djali, atëherë 6 vjeç, u godit me dhunë dhe u përplas pas kaloriferit duke pësuar një plagë në kokë me humbje të madhe gjaku dhe më pas u dërgua në urgjencën e spitalit të Tricases.

Në vitet e mëvonshme, burri dyshohet se e kishte goditur me shuplaka vajzën në disa raste, duke e ndjekur madje edhe në plazh për ta fyer me fjalë nga më të rëndat dhe e kërcënonte ta godiste me gur.

Kur bashkëshortja shprehu dëshirën për t’u ndarë, ai i vuri duart dhe i tha se do ta vriste. Në një rast tjetër, ai dyshohet se e kërcënoi djalin me fjalët: "Kur të vijë mami në shtëpi, thuaji të marrë ata të dy dhe të largoheni që këtej, përndryshe do t’ju vras të treve."

Hetimet nisën pas vizitave të përsëritura të gruas dhe vajzës së saj në urgjencën e spitalit të Tricases./Corriere

Lini një Përgjigje