Skema e pensioneve, shtohen mbi 31 mijë kontribuues - Privati “mban” buxhetin. Rritet ndjeshëm numri i pensionistëve

10 Korrik 2026, 14:25Ekonomia TEMA
Skema e pensioneve, shtohen mbi 31 mijë kontribuues - Privati

Mbi 31 mijë kontribuues janë shtuar në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë vitit që lamë pas duke sjellë gjithashtu rritje të konsiderueshme të të ardhurave.


Referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga 805,416 kontribuues në vitin 2024, shifra ka arritur në 836,910 në 2025, me një shtesë prej 31.494 kontribuues.

Konkretisht, sektori privat mban peshën kryesore në skemë, me rreth 559,457 kontribuues, që gjithashtu ka pësuar rritje me 16.648 individë më shumë në skemë gjatë viti 2025.  Përpos ecurisë së tregut të punë kjo rritje i atribuohet edhe reformës antiinformalitet të ndërmarre nga qeveria. Nga ana tjetër 167,565 kontribues janë nga institucionet publike, me një rritje prej vetëm 755 kontribuesish.

Ndërsa një shtesë e rëndësishme është vënë re sa i takon kontributeve në bujqësi, ku numri i fermerëve të cilët paguajnë sigurimet shoqërore arrin në 101,088 fermerë, nga 88,866 që ishin në vitin 2024, apo 12.222 më shumë, të cilët janë vetëdeklaruar dhe do të jenë edhe përfitues të pensionit në të ardhmen. Nga ana tjetër, rritje kanë shënuar edhe kontribuuesit vullnetar, duke arritur një total prej 8801 nga 6931 që ishin në 2024.

Nëse do të llogarisnim dhe kontribuuesit nga shteti dhe ata me përfitim afatshkurtër, numri total në skemë, arrin në rreth 871 mijë.

Nga ana tjetër paralelisht është rritur edhe numri i përfituesve nga skema, duke bërë që numri i pensionistëve në total në 2025 të regjistrohet në 754,981,  ku përfshihen pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare,  me një shtesë prej 33.582 përfitues më shumë.

Të ardhurat totale nga skema e sigurimeve shoqërore për vitin 2025 rezultojnë në 185,5 miliardë lekë, me një kapërcim prej 18 miliardë lekë krahasuar më një vit më parë.

Lini një Përgjigje