“Turizmi lëvizi tregun e pasurive”, Sejko: Gati sistemi i pagesave të shpejta nga celulari

8 Korrik 2026, 14:10Ekonomia TEMA
“Turizmi lëvizi tregun e pasurive”, Sejko: Gati sistemi i

Reformat e integrimit në Bashkimin Europian kanë detyruar edhe Bankën e Shqipërisë t’u nënshtrohet ndryshimeve, jo vetëm në aspektin ligjor. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Mbikëqyrjes Institucionale, guvernatori Gent Sejko paralajmëroi një tjetër nismë për pagesa të shpejta dhe me kosto të ulët, që vjen pas anëtarësimit në SEPA.

“Bëhet fjalë për sistemin e pagesave të menjëhershme (Instant Payments) do të mundësojë pagesa me celular, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Në integrimin ndërkombëtar të sistemit të pagesave, sfidë mbeten sulmet kibernetike, të cilat kërkojnë masa shtesë sigurie. “Ne po punojmë fort dhe po marrim masa që të garantohet siguria e transaksioneve”, tha Sejko.

Ndikimin e reformave e ilustroi me një shembull deputeti Fatmir Xhafaj. “Ne dëshirojmë të blejmë një palë këpucë të reja, mirëpo këpucët janë sipas standardit të Bashkimit Europian dhe kanë numrin 40, ndërsa ne e kemi këmbën 42”.

Sipas Sejkos, ndikim të fortë në rritjen ekonomike kanë turizmi, të ardhurat nga emigracioni dhe investimet e huaja, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. “Pasuritë e patundshme, të lidhura ngushtë me zhvillimin e turizmit në vendin tonë, kanë shënuar një rritje të konsiderueshme”, tha ai.

Sejko theksoi gjithashtu nevojën për kujdes në dhënien e kredive. “Për të pasur një frenim në një sektor të caktuar, një menaxhim më të mirë të rrezikut, për sektorin e pasurive të paluajtshme kemi vendosur këto kufizime”.

Megjithatë, guvernatori shtoi se nuk ka pasur raste të bankave të përfshira në pastrim parash, por se kontrollet mbi lëvizjen e flukseve monetare janë forcuar. Sipas tij, janë vendosur rreth 200 gjoba ndaj subjekteve të këmbimit valutor. 

Lini një Përgjigje