Gjykata e Posaçme la në burg Emiljan Burbën

8 Korrik 2026, 14:40Kronika TEMA
Gjykata e Posaçme la në burg Emiljan Burbën

Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Emiljan Burbën, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Burba u arrestua një ditë më parë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

SPAK njoftoi se grupi kriminal i Burbës akuzohet për 3 episode të trafikut të drogës. Më 3 nëntor 2020, autoritetet e Malit të Zi sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, që ishte transportuar nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë. Më 26 janar 2021, autoritetet turke bllokuan 236 kilogramë marijuanë, të nisura nga Shqipëria drejt Turqisë. Më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në portin e Vlissingen, ngarkesë që kishte mbërritur nga Ekuadori. Në grupin e tij bënte pjesë edhe Rramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Lini një Përgjigje