Grabitje spektakolare në Francë, zhduken bizhuteri deri në 4 milionë euro nga Muzeu Lalique

6 Korrik 2026, 10:45Bota TEMA
Grabitje spektakolare në Francë, zhduken bizhuteri deri në 4

Një grabitje e bujshme ka tronditur Francën, pasi bizhuteri me vlerë deri në 4 milionë euro janë vjedhur nga Muzeu Lalique në Wingen-sur-Moder, në verilindje të vendit.

Sipas autoriteteve, autori ose autorët hynë me forcë në muze rreth orës 05:30 të mëngjesit të së dielës dhe shkuan direkt në sallën ku ekspozoheshin bizhuteritë. Gjatë grabitjes u vodhën rreth 20 bizhuteri, ndërsa dëmi ekonomik është ende duke u vlerësuar, por besohet se arrin në disa milionë euro.

Pas ngjarjes, drejtuesit e muzeut njoftuan se institucioni do të mbetet i mbyllur për disa ditë, ndërsa vijojnë hetimet.  Edhe pse sistemi i alarmit u aktivizua, në vendngjarje mbërriti fillimisht një punonjës pastrimi, i cili konstatoi vjedhjen dhe njoftoi menjëherë policinë. Autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po punojnë për identifikimin e autorëve.

Muzeu Lalique, i hapur në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë, i kushtohet veprës së René Lalique, një prej emrave më të njohur në artin e bizhuterive dhe qelqit në stilin Art Nouveau dhe Art Deco.

Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë në muzetë francezë, pas grabitjes së madhe në Muzeun e Luvrit në Paris tetorin e kaluar, kur autorët arritën të vidhnin bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë në më pak se tetë minuta.

Lini një Përgjigje