Turqia do të mirëpresë liderët e vendeve anëtare të NATO-s në Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, që do të zhvillohet në Ankara dhe konsiderohet një nga takimet më të rëndësishme të Aleancës në një periudhë të karakterizuar nga pasiguria globale. Pas Samitit historik të NATO-s në Stamboll në vitin 2004, Ankaraja do të bëhet sërish qendra e diplomacisë ndërkombëtare, duke pritur 32 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë nga vendet aleate.
Në samit do të marrin pjesë edhe partnerët e NATO-s nga grupi AP4 – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – duke e shndërruar takimin në një forum ku do të diskutohen çështjet e sigurisë euroatlantike dhe indo-paqësore.
Një nga temat kryesore të axhendës do të jetë ndarja e barrës së mbrojtjes mes vendeve anëtare, ndërsa Turqia synon të theksojë rolin e saj në Aleancë përmes kontributit ushtarak, industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve në menaxhimin e krizave. Për herë të parë, Forumi i Industrisë së Mbrojtjes do të përfshihet si pjesë zyrtare e programit të samitit. Gjithashtu do të mbahet një takim ministror në kuadër të Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit, ku marrin pjesë Katari, Bahreini, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet turke kanë planifikuar masa të jashtëzakonshme sigurie për zhvillimin e samitit. Mbi 56 mijë efektivë të policisë dhe xhandarmërisë do të angazhohen për garantimin e sigurisë, ndërsa qindra specialistë do të monitorojnë vazhdimisht hapësirën kibernetike për të parandaluar kërcënimet dixhitale. Samiti pritet të tërheqë vëmendjen e medias ndërkombëtare, me rreth 3 mijë gazetarë nga e gjithë bota që kanë aplikuar për akreditim.
Ngjarja rikthen në vëmendje Samitin e NATO-s të mbajtur në Stamboll në vitin 2004, i cili u konsiderua një pikë kthese për Aleancën. Atëherë u vendos zgjerimi i rolit të NATO-s në Afganistan, mbështetja për forcat e sigurisë irakiane dhe u shënua pjesëmarrja e parë e shtatë anëtarëve të rinj të Aleancës pas zgjerimit më të madh që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Me sfidat aktuale të sigurisë ndërkombëtare, Samiti i Ankarasë pritet të jetë një forum kyç për përcaktimin e prioriteteve të NATO-s në vitet e ardhshme.
Lini një Përgjigje