Mbi samitin e NATO-n në Ankara

5 Korrik 2026, 18:40Bota Nga Plator Kalakula

Mbi samitin e NATO-n në Ankara

Samiti i NATO-s në Ankara, më 7-8 korrik 2026, zhvillohet në një kohë kur themelet e lidhjes transatlantike janë tronditur si kurrë më parë gjatë ekzistencës të Aleancës Atlantike dhe kur kjo e fundit përballet me pasiguri në rritje mbi rolin afatgjatë të SHBA-ve në Evropë, krahas një procesi adaptimi strukturor të nxitur nga perceptimet e ndryshme të interesave dhe kërcënimeve në të dy anët e Atlantikut. Ndërkohë, mjedisi i sigurisë rreth Aleancës po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe i vështirë për t'u parashikuar. Përballja e vazhdueshme e Rusisë me Perëndimin e ka kaluar tashmë suazën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, siç dëshmojnë incidentet e kohëve të fundit me dronë, me bllokimin e sinjaleve në krahun lindor të NATO-s dhe sulmet e ndryshme të natyrës hibride. Njëkohësisht, siguria euroatlantike ndjen efektet e konfliktit me Iranin dhe ato të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme dhe këtij kuadri kompleks i shtohet dhe konkurrenca strategjike në rritje me Kinën.
Që prej samitit të vitit të kaluar në Hagë, kur u duk se Presidenti Trump u kënaq për momentin me angazhimin e aleatëve  evropianë për të rritur në mënyrë të qenësishme buxhetet e tyre të mbrojtjes, Presidenti i SHBA-ve nuk i ka kursyer sulmet e  tij të shumta e të ashpra ndaj NATO-s, qoftë për Groenlandën qoftë për Iranin, krahas retorikës sulmuese ndaj mjaft liderëve të vendeve të rëndësishme aleate si Britania e Madhe, Franca, Gjermania Kanadaja dhe së fundmi Italia, duke arritur deri në kërcënimin e pa precedent për daljen e SHBA-ve nga NATO. Këto sulme e kërcënime janë shoqëruar gjatë harkut kohor të një viti me presione vijuese për rindarjen e barrës financiare si dhe vendime të papritura mbi praninë e forcave amerikane në Evropë. Edhe gjatë ditëve të fundit, Presidenti i SHBA-ve nuk i ka kursyer kritikat e tij publike duke ripërsëritur qëndrimet e tij të njohura se SHBA-të paguajnë tepër për Aleancën Atlantike pa marrë asgjë në këmbim dhe se evropianët i lanë vetëm SHBA-të në luftën me Iranin.      
Në këtë kontekst të ndërlikuar, dhe duke pasur parasysh qëndrimet vështirësisht të parashikueshme të Presidentit Trump si dhe kritikat e tij të lartpërmendura ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë, faktorë të rëndësishëm për të mundësuar një ecuri jo shumë problematike të samitit të Ankarasë pritet të jenë kryesisht Turqia dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës.      
Është pra e pritshme që Turqia, si vendi pritës i samitit, të angazhohet në mënyrë thelbësore që samiti të zhvillohet në mënyrë sa më qetë duke u mbështetur në marrëdhëniet e mira mes Presidentit Erdogan dhe homologut të tij amerikan. Krahas deklarimeve të Presidentit Trump se do të shkojë në samit vetëm për hatër të Presidentit Erdogan, një tjetër tregues domethënës i stadit aktual të këtyre marrëdhënieve është premtimi i Presidentit Trump për të shqyrtuar heqjen e ndalimit të pjesëmarrjes së Turqisë në programin e avionit luftarak F-35 si dhe pritshmëria që Presidenti amerikan ti miratojë Ankarasë shitjen e 80 turbinave General Electric dhe të licencave përkatëse për instalimin e tyre në avionin e ri luftarak të Turqisë,  KAAN.
Krahas rëndësisë që kanë në këtë moment marrëdhëniet e mira personale mes dy Presidentëve, vlen të theksohet se Turqia ka shumë interes për mbajtjen në këmbë të Aleancës Atlantike duke pasur parasysh interesat e Ankarasë në lëmin e sigurisë, mbrojtjes dhe parandalimit. Në dritën e paqëndrueshmërisë në rritje në të gjithë Lindjen e Mesme, Turqia e sheh samitin e Ankarasë si një mundësi për të forcuar krahun jugor të Aleancës dhe partneritet e NATO-s me vendet e rajonit rreth saj. Në të njëjtën kohë, Turqia është e interesuar të nxjerrë në pah aftësitë në rritje të industrisë së saj mbrojtëse dhe faktit që kompani të tilla si Baykar, TUSAŞ dhe Roketsan janë bërë tashmë aktorë të rëndësishëm në teknologjinë moderne ushtarake duke kontribuar në qëndrueshmërinë industriale dhe teknologjike të NATO-s, duke shtuar njëkohësisht bashkëpunimin me anëtarët evropianë të NATO-s.
Sa i përket Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, është i mirënjohur fakti që ai ka investuar të gjithë aftësitë e tij politike dhe diplomatike për të mundësuar një marrëdhënie sa më konstruktive dhe deri diku të privilegjuar me Presidentin Trump. Vizita e tij e pak kohëve më parë në Shtëpinë e Bardhë, e cilësuar nga mjaft qarqe si pozitive, si dhe grafikët e shpalosura aty mbi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e aleatëve evropianë janë dëshmia e fundit e përpjekjeve të tij të shumëanshme për ta mbajtur Aleancën Atlantike të bashkuar krahas një roli politiko-ushtarak amerikan sa më të qenësishëm brenda saj.
Pak ditë para mbajtjes së samitit të Ankarasë Rutte u shpreh publikisht se detyra përpara NATO-s është e qartë dhe se konsiston në shndërrimin e angazhimeve të vendeve aleate në rezultate konkrete. Më specifikisht, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nënvizoi se rezultatet e samitit të Ankarasë duhet të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, rritja e prodhimit industrial në këtë fushë si dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. Sipas tij, e gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë vendet aleate. Pra, ky samit është një tjetër mundësi për Sekretarin e Përgjithshëm Rutte që t'u dëshmojë aleatëve evropianë se ai mund të udhëheqë jo vetëm përpjekjet për ti mbajtur SHBA-të të angazhuar në NATO por edhe ato për të krijuar një NATO më evropiane.
Sa u përket SHBA-ve, të cilët më 4 korrik festuan 250 vjetorin e pavarësisë, samiti i Ankarasë vjen në kohën kur në terminologjinë politike zyrtare amerikane termi i ri për zhvendosjen e barrës ka zëvendësuar atë tradicional të ndarjes së barrës. Zyrtarët e Pentagonit kanë qenë mjaft të qartë për shtysën drejt formimit të një të ashtuquajture NATO 3.0, ku një pjesë e konsiderueshme e barrës financiare- ushtarake duhet ti përkasë evropianëve. Gjithashtu, Pentagoni ka ndërmarrë ndërkohë një rishikim të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke vlerësuar jo vetëm pozicionimin e trupave dhe bazave, por edhe nivelin e bashkëpunimit me vendet aleate. Megjithatë, deri tani reduktimi i angazhimit ushtarak amerikan duket ende në proces, pasi siç Pentagoni bëri të ditur kohët e fundit, do të duhen deri në gjashtë muaj për të rishikuar pozicionin e forcave dhe bazat amerikane në Evropë. Për më tepër, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Hegseth, u shpreh kohët e fundit se reduktimet e trupave amerikane nga vendet e NATO-s do të nxiten nga një sistem shpërblimi dhe ndëshkimi për të ashtuquajturit aleatë të mirë dhe të këqij, çka e bën akoma më të pa parashikueshëm çdo vendim të mundshëm amerikan në këtë drejtim. Në këtë kontekst, samiti i Ankarasë mund tu ofronte SHBA-ve një mundësi konkrete për të specifikuar se cilat forca dhe asete planifikon të tërheqë nga Evropa paralelisht me një proces  konsultimi me aleatët evropianë mbi mënyrat se si mund të plotësohen boshllëqet e aftësive që do të krijohen nga tërheqjet amerikane. Në situatën e krijuar vendet aleate kanë nevojë për qartësi nga Uashingtoni por pritshmëritë që Presidenti Trump të angazhohet në një diskutim të tillë në Ankara nuk duken realiste.
Megjithatë, ka dhe një tjetër aspekt të rëndësishëm sa i përket ndërveprimit të SHBA-ve me aleatët evropianë i cili mund të luajë një rol për një qëndrim amerikan më pak të ashpër në Ankara. Është tashmë i njohur interesi parësor i administratës amerikane që evropianët të blejnë kryesisht armë dhe pajisje amerikane në kuadër të riarmatosjes së tyre. Deri tani, nën shtysat e përsëritura të Presidentit Trump, evropianët janë angazhuar të shpenzojnë më se 300 miliardë dollarë për armë dhe pajisje amerikane po mbetet gjithsesi për tu parë nëse një shifër e tillë konsiderohet e kënaqshme nga pala amerikane.    
Sa u përket vendeve evropiane, në krahasim me një vit më parë në Hagë, ku ata shpresuan se duke ja bërë qefin Presidentit Trump, nëpërmjet zotimit të njohur për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, do të mund t'i mbanin në minimum tensionet transatlantike, tashmë ata e kanë të qartë se Presidenti Trump do të vijojë të jetë kritik ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë deri në fund të mandatit të tij. Kështu, aktualisht evropianët duken më pak të përqendruar në paqëtimin e Presidentit Trump duke u fokusuar në zbutjen e tranzicionit drejt një Aleance të udhëhequr nga Evropa. Për më tepër, evropianët presin shumë pak nga administrata Trump dhe duket se kanë hequr dorë nga rivendosja e besimit reciprok i cili e ka karakterizuar përgjithësisht NATO-n përgjatë ekzistencës së saj. Po ashtu, ata duket se e kanë të qartë që kanë fare pak mundësi të ndikojnë mbi përqasjen strategjike aktuale amerikane ndaj Evropës. Pra, aleatët evropianë janë të bindur se angazhimi amerikan ndaj Evropës po ndryshon por ata do të donin nga pala amerikane një version më të kuptueshëm të këtij procesi krahas një parashikueshmërie më të madhe dhe kjo është plotësisht e kuptueshme po të mbahet parasysh fakti që kalimi i nxituar nga një NATO e udhëhequr nga SHBA-të tek një NATO e udhëhequr nga Evropa mund të krijojë boshllëqe në dimensionet thelbësore të mbrojtjes dhe shkurajimit.
Në këto kushte është e pritshme që në Ankara vendet evropianë të NATO-s të përpiqen që të shmangin përplasjet me Presidentin amerikan duke i dëshmuar këtij të fundit se në harkun kohor të një viti ata kanë bërë përparim të ndjeshëm në lëmin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes. Në fakt, opsioni më i mirë i mundshëm për evropianët është që samiti i Ankarasë  të zhvillohet në një klimë politike të ngjashme me atë të takimit të fundit të G-7.
Sa i përket Ukrainës,  samiti i Ankarasë, ku pritet të marri pjesë edhe Presidenti Zelenski, vjen në një moment kur nuk duket se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të mund të përfundojë në një kohë të afërt dhe kur ofensiva e trupave ruse në vijat e frontit duket se ka ngecur ndërkohë që janë shtuar goditjet ruse kundër qyteteve kryesore ukrainase duke theksuar nevojën urgjente të Kievit për më shumë mbrojtje ajrore. Ndërkohë, edhe Ukraina po përdor masivisht goditjet me dronë për të izoluar Krimenë dhe për të goditur si logjistikën ruse pranë frontit ashtu dhe infrastrukturën energjetike në thellësi të territorit të Rusisë. 
Duke u mbështetur në sinergjinë e arritur mes liderëve të vendeve të G-7 në takimin e tyre të fundit në Evian si dhe në takimin inkurajues aty mes Presidentit Zelensky me Presidentin Trump, Ukraina do të synojë të mbajë vëmendjen e aleatëve të fokusuar në domosdoshmërinë e presionit ndaj Rusisë duke vijuar të kërkojë ndihma të mëtejshme për të përforcuar mbrojtjen e saj ajrore. Nga ana e tyre, liderët evropianë, të cilët gjatë këtij viti pritet ti japin nëpërmjet NATO-s edhe 40 miliardë Euro ndihmë ushtarake Ukrainës, pritet të përpiqen ta bindin Presidentin e SHBA-ve se presioni ndaj Moskës është mënyra e duhur për t'i dhënë fund luftës. Por, pavarësisht se Presidenti Trump duket i prirur më pozitivisht ndaj Ukrainës, ai duket se vijon të mbetet skeptik ndaj rritjes së presionit mbi Moskën.
Sa i përket vendit tonë, me interes të veçantë pritet të jetë përcaktimi nëse samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet në Tiranë, ashtu siç është vendosur një vit më parë në Hagë. Ka disa muaj në fakt që media të ndryshme ndërkombëtare e kanë vënë në dyshim mbajtjen e këtij samiti duke argumentuar se NATO është e orientuar ta përfundojë praktikën e mbajtjes vjetore të samiteve pasi në këtë fazë të adaptimit të saj Aleanca Atlantike kërkon më shumë veprime dhe më pak takime pasi këto të fundit krijojnë presion për rezultate të reja të cilat mund të mos jenë realiste. Por duhet thënë se arsyeja e pa deklaruar për ndërprerjen eventuale të praktikës së mbajtjes së samiteve vjetore të NATO-s mund të lidhet edhe me shmangien e një tjetër samiti potencialisht të tensionuar me presidentin Trump.
Mediat perëndimore kanë përmendur gjithashtu si një arsye  të mundshme për mos mbajtjen në Tiranë të samitit të vitit të ardhshëm edhe shpenzimet e mbrojtjes të Shqipërisë, nën nivelin prej 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto gjatë vitit të kaluar sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Por në fillim të këtij muaji Rutte deklaroi se pothuajse të gjithë vendet aleate e kanë plotësuar nivelin e 2 përqindëshit duke shtuar se Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia kanë marrë zotime të qarta për ta tejkaluar nivelin e 2 përqindëshit gjatë këtij viti. Me sa duket, pikërisht për këtë arsye Qeveria shqiptare miratoi pak ditë më parë një akt normativ nëpërmjet së cilit buxheti për mbrojtjen arrin nivelin 2.6 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit, një shifër e njëjtë kjo me atë përqindjes së buxhetit të mbrojtjes së Italisë fqinje.    
Gjithsesi, samiti i Ankarasë pritet të jetë një gur prove i rëndësishëm për Aleancën  Atlantike e cila do të duhet të dëshmojë se përveç mbijetesës së saj dhe aftësisë për përshtatje strategjike nën presion, do të mund të vijojë të luajë rolin e saj thelbësore të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë të tërësisë së territorit dhe popullsisë të vendeve aleate. 
 

Lini një Përgjigje