Hamas “breshëri raketash” në Tel Aviv! Izraeli: S’ka armëpushim

3 Dhjetor 2023, 09:15Bota TEMA
Hamas “breshëri raketash” në Tel Aviv! Izraeli: S’ka

Ushtria izraelite ka vijuar bombardimin e Rripit të Gazës, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mbrojtur civilët. Gjatë natës, ushtria izraelite tha se goditi "më shumë se 400 objektiva".

Pas një armëpushimi të shkurtër që zgjati një javë, situata aty është saktësisht e njëjtë si 10 ditë më parë. Thirrjet për një armëpushim humanitar vijojnë të bien në vesh të shurdhër.

Të shtunën, krahu i armatosur i Hamas, Brigadat Al-Qassam, raportoi se kishin bombarduar Tel Avivin me një breshëri raketash. Ky ishte sulmi i parë me raketa në qytet që nga 20 nëntori dhe ishte në përgjigje të sulmeve të reja izraelite në Rripin e Gazës.

Zhvillimi më domethënës ishte vendimi i  Izraelit  për të tërhequr negociatorët e tij nga Katari, ku ata do të diskutonin një armëpushim në Rripin e Gazës me përfaqësuesit e Hamasit. Tërheqja e negociatorëve u bë nga Mossad me urdhër të kryeministrit  Benjamin Netanyahu.

Pala izraelite fajëson Hamasin për ngërçin, të cilin e akuzon për dështimin e përmbushjes së pjesës së saj të marrëveshjes. Kjo përfshinte "lirimin e të gjithë fëmijëve dhe grave sipas një liste të dërguar dhe miratuar nga Hamasi ". Izraeli vuri në dukje gjithashtu se marrëveshja e armëpushimit parashikonte që Kryqi i Kuq të vizitonte të gjithë pengjet, por Hamasi refuzoi ta lejojë atë. 

Nga ana tjetër, nga Katar presidenti francez Emmanuel Macron  paralajmëroi Izraelin se "shkatërrimi total i Hamasit" do të çojë në  "dhjetë vjet" luftë .

Mirëpo, përballë kësaj deklarate, Izraeli nuk tërhiqet.  Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës do të vazhdojë derisa " të arrihen të gjitha qëllimet e tij ", domethënë shkatërrimi i lëvizjes islamike palestineze, tha Benjamin Netanyahu të shtunën mbrëma.

Dje, në Izrael, qindra njerëz protestuan në Tel Aviv, duke kërkuar lirimin e 137 personave që vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës. Shumë prej tyre kishin postera me fotografitë e pengjeve. Katër ish-pengje iu drejtuan turmës përmes lidhjes video për të folur për atë që ata përjetuan - frikën, urinë, mungesën e gjumit - gjatë robërisë së tyre.

"Vajzat tona panë gjëra që fëmijët e asaj moshe, apo çdo moshe, nuk duhet t'i shohin," tha Danielle Aloni, 45 vjeç, e cila u lirua më 24 nëntor me vajzën e saj pesëvjeçare.

Lini një Përgjigje