Që në vitin 2018, Kina e ka shpallur veten për herë të parë një “fuqi pothuajse arktike”, duke sinjalizuar hapur ambicien për të fituar ndikim në një rajon strategjik, ku akujt po shkrijnë me shpejtësi. Objektivat e Pekinit janë të qarta: hapja e rrugëve të reja tregtare, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe forcimi i pranisë shkencore, pavarësisht largësisë së madhe gjeografike nga Poli i Veriut. Këtë vizion, Kina e quajti “Rruga Polare e Mëndafshit”.
Ministria e Jashtme kineze vazhdon t’i përshkruajë këto aktivitete si të ligjshme dhe paqësore, duke theksuar se Pekini kontribuon në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon. Por ky interpretim nuk bind aspak zyrtarët e sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet aleate. Shqetësimi është rritur sidomos pas faktit se, gjatë verës së fundit, nëndetëse kineze udhëtuan për herë të parë mijëra metra nën akujt e Arktikut, ndërsa një numër rekord anijesh ushtarake dhe kërkimore kineze operuan pranë ujërave të Alaskës.
Sipas vëzhguesve ushtarakë perëndimorë, siç raporton edhe Wall Street Journal, këto misione nuk kishin vetëm karakter shkencor. Përveç studimit të burimeve natyrore nën shtresat e akullit dhe shkurtimit të kohës së transportit tregtar, dyshohet se Kina po teston mënyra për të pozicionuar nëndetëset bërthamore më afër objektivave strategjike, përfshirë territorin amerikan.
“Kinezët po bëhen gjithnjë e më agresivë”, deklaron për gazetën amerikane gjenerali i forcave ajrore të SHBA-ve, Alexus Grynkeuich. “Ata përdorin anije kërkimore si mbulim për qëllime ushtarake”.
Rrugë të reja mes akujve
Për Pekinin, Arktiku përfaqëson një rrugë të shkurtër të re për tregtinë globale. Këtë verë, Kina testoi një nga këto rrugë duke dërguar një anije mallrash drejt portit polak të Gdanskut, duke kaluar pranë Polit të Veriut, një itinerar dukshëm më i shpejtë se ai tradicional përmes Kanalit të Suezit. Synimi tani është zgjerimi i trafikut trans-arktik, veçanërisht në bashkëpunim me Rusinë për importin e gazit natyror të lëngshëm.
Megjithatë, për ushtritë perëndimore, pikërisht ky kombinim i tregtisë me eksplorimet nënujore është alarmues. Ekspertët besojnë se Kina po hartëzon me kujdes fundet oqeanike për të ndërtuar modele dixhitale që, në të ardhmen, do t’i ndihmojnë nëndetëset e saj ushtarake të lëvizin pa u zbuluar.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Arktiku ishte një vijë e qartë ndarëse mes NATO-s dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1959, SHBA dërgoi një nëndetëse bërthamore që doli në sipërfaqe mes akujve, një mesazh i fortë strategjik për Moskën. Sovjetikët u kundërpërgjigjën në vitin 1962. Deri në fillim të viteve ’90, patrullimet ushtarake në këto ujëra ishin intensive, pasi Arktiku shihej si porta detare drejt Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Aleatë sot, rivalë nesër?
Ekziston frika se Rusia po kompenson mbështetjen kineze, veçanërisht në komponentë elektronikë për pajisje ushtarake, duke ndarë teknologji të avancuara në fushat e hapësirës, avionëve stealth dhe luftës nënujore. Moska jo vetëm që e mbështet përfshirjen kineze në Arktik, por edhe ka ftuar Pekinin të investojë në infrastrukturë në veriun e largët rus. Që nga viti 2023, të dy vendet kanë krijuar një grup pune për zhvillimin e rrugëve detare veriore.
Por kjo afërsi mund të mos zgjasë përgjithmonë. Historikisht, Arktiku ka qenë streha kryesore e arsenalit bërthamor rus dhe deri tani vetëm SHBA-ja përbënte një kërcënim serioz për bazat ruse atje. Prania kineze, në një të ardhme ku interesat kombëtare mund të përplasen, mund të kthehet në problem edhe për vetë Moskën.
Siç paralajmëron admirali francez Pierre Vandier, përgjegjës për përgatitjet e NATO-s ndaj një konflikti të mundshëm në Arktik, operacionet kineze në veriun ekstrem, janë sfidë jo vetëm për Perëndimin. “Operacionet kineze në veriun ekstrem janë një sfidë jo vetëm për Perëndimin, por edhe për Rusinë. Kërcënimi është i kudondodhur. Duhet të jemi të përgatitur”. /La Repubblica/
Gjeneratat e ardheshme duhet te pragaditen qe te mesojne gjuhen Kineze pse nuk dote vonon shum kohe kur Kinezet dote sundojn ne bote ,kurse perendimi dote falimentoj ne gjitha fushatat pse jane partiake dhe te bazuar tek Amerikanet nji gabim i perendimit.
Nje gje eshte e sigurte, fakti qe Kina e Rusia jane tashme aleate te pandashem derisa te mposhtin Perendimin, sipas tyre. Keto dy vende se bashku kane burimet natyrore, teknologjine, dhe burimet njerezore tej mase superiore ndaj Perendimit. Ato synojne qe deri ne 2050 nje rend i ri boteror i drejtuar prej tyre te jete vendosur. Por a do te jete ky rend i ri me i mire se ai i tanishem? Kjo eshte pyetja? Ka filluar te duket se shumica dermuese e njerezimit mendon se nje rend i ri do te jete me i mire, dhe kete po shrytezon Kina.
Rusia shum shpejt do t'ia sheh sherin Kinës.Në vend që ta lente Ukrainën të qetë dhe të bënin një aleancë me USA e NATO kundër Kinës e cila është kërcnin për botën,shpejt Kina do ta marë siberinë Rusisë.