
Në momentin që 2 djemtë e Marinës u rekrutuan dimrin e kaluar në ushtrinë ruse, ajo e mbështeti idenë që fëmijët e saj të bënin shërbimin ushtarak për 1 vit.
“U thashë se duhej të shërbenin, ishte detyrë e tyre ndaj atdheut”, tha Marina për BBC News.
Por javë më vonë, ajo nisi të shqetësohej pasi djemtë e saj ishin vendosur në një zonë afër kufirit me Ukrainën.
"Koha ndaloi për mua. Nuk mund të haja. Nuk mund të flija", tregon ajo.
Ajo filloi të kërkonte dhe madje u përpoq të kalonte kufirin për në Ukrainë. Kërkimi i saj e çoi atë në një spital ushtarak dhe ajo u trondit nga ajo që pa. Përfundimisht dikush në njësinë ushtarake të djemve të saj pranoi se ata ishin me të vërtetë në Ukrainë.
"Më thanë lajmin e tmerrshëm: "Fëmijët tuaj kanë nënshkruar kontrata ushtarake për të qenë ushtarë profesionistë. Ata po marrin pjesë në operacionin ushtarak special në Ukrainë. Ata do të kthehen si heronj", thotë Marina.
Rusia mbështetet në rekrutimin për të rritur numrin e trupave në forcat e armatosura. Shërbimi ushtarak zgjat 12 muaj dhe me disa përjashtime është i detyrueshëm për meshkujt rusë të moshës nga 18 deri në 27 vjeç.
Më 5 Mars, Presidenti rus Putin njoftoi se vetëm ushtarë profesionistë, oficerë dhe ushtarakë me kontratë marrin pjesë në operacion në Ukrainë duke shtuar se nuk ka asnjë rekrutë të vetëm atje dhe se Rusia nuk mudn t’i përdorë ata.
Por vetëm katër ditë më vonë, Ministria Ruse e Mbrojtjes pranoi për herë të parë, se rekrutët ishin në mesin e personelit ushtarak të përfshirë në ofensivën ruse në Ukrainë. Ministria pretendoi se të gjithë ushtarakët e tillë tani janë kthyer në Rusi.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se presidenti kishte urdhëruar zyrën e prokurorit ushtarak të hetonte se si ishin paraqitur rekrutët në Ukrainë.
Ankesa zyrtare e Marinës u miratua. Autoritetet ruse konfirmuan se djemtë e saj nuk kishin nënshkruar kontrata ushtarake. Të dy djemtë u kthyen në Rusi.
“Më lejuan të vija të merrja djalin tim të vogël në shtëpi. Ndërsa po ecja me makinë për ta marrë, e thirra dhe e pyeta nëse kishte ndonjë gjë që i duhej.
“Mami, nuk kam nevojë për asgjë”, u përgjigj ai, “vetëm ti”.
"Pasi u kthyen nga atje, djemtë ishin dobësuar dhe ishin të rraskapitur. Rrobat e tyre ishin grisur. Djali im tha: "Më mirë të mos e dish se çfarë ndodhi atje”. Por gjithçka që kishte rëndësi për mua ishte se ai ishte kthyer i gjallë”.
Marina ndjehet e lehtësuar që djemtë e saj janë të sigurt. Mendimet e saj tani janë me familjet e tjera.
"Kaq shumë djem nuk janë kthyer dhe nuk do të kthehen kurrë. Kaq shumë nëna janë ende në kërkim të fëmijëve të tyre. Është e tmerrshme. Ne supozohet të kemi arritur kulmin e zhvillimit njerëzor. Si nuk mundëm të arrijmë marrëveshje? Pse duhet të luftojmë dhe të vrasim? Fëmijët e mi ishin njerëz të tjerë kur u kthyen. Ju mund ta shihni këtë në sytë e tyre. Ata janë ndryshe. Ata janë të zhgënjyer. Unë dua që ata të besojnë përsëri në një të ardhme në paqe dhe dashuri pasi ata nuk po besojnë më", mbaroi ajo rrëfimin e saj.
Lini një Përgjigje