Lufta tregtare SHBA-Kinë, pse Kina është çuditërisht e sigurtë?

10 Maj 2025, 21:30Bota TEMA
Lufta tregtare SHBA-Kinë, pse Kina është çuditërisht

Ndërsa ashpërsohet lufta tregtare e Donald Trump, Kina është çuditërisht e sigurt. A duhet të jetë, shkruan The Economist

Për herë të dytë në më pak se një dekadë, importuesi më i madh në botë po godet me tarifa eksportuesin më të madh në botë. Megjithatë, Pekini nuk ka dhënë shenja paniku.

Në përgjigje të mandatit të parë të Donald Trump si president, udhëheqësi kinez Xi Jinping, nisi një fushatë për të ulur varësinë ekonomike të Kinës nga Amerika. Zyrtarët kinezë shpresojnë që pas katër vitesh telashe me tregun e pronave dhe dy vite deflacioni, rritja e kërkesës së brendshme mund të zbusë goditjen nga tarifat e Trump.

Si provë se konsumatorët janë optimistë, kryeministri kinez Li Qiang ka vënë në dukje se filmi i animuar Ne Zha 2, ka thyer rekorde shikueshmërie gjatë festës së Festivalit të Pranverës.

Ndërkohë, investitorët amerikanë janë zmbrapsur për shkak të proteksionizmit të qeverisë së re, dhe kjo është reflektuar në rënien e treguesit S&P 500 me gati 4% deri tani këtë vit. Nga ana tjetër, treguesi kinez MSCI China është rritur me 15% (shih grafikun 1).

Kina ka mjaftueshëm përvojë me Donald Trump. Administrata e tij e parë e ndëshkoi Kinën sepse i kishte detyruar kompanitë amerikane të dorëzonin pronësinë intelektuale.

Ndëshkimi u bë sipas dispozitës ligjore Seksioni 301, që i lejon presidentit të veprojë kundër vendeve që abuzojnë me tregtinë ndërkombëtare.

Pas një hetimi shtatëmujor, u arrit në përfundimin se kopjimi kinez i teknologjisë i kishte kushtuar ekonomisë amerikane të paktën 50 miliardë dollarë në vit. Prandaj, ekipi i Trump vendosi tarifa ndaj shumë importeve kineze, nga llambat, e deri tek inkubatorët e pulave.

Kur Kina ia ktheu me të njëjtën monedhë, Amerika i ngriti edhe më tepër tarifat. Në fund, Amerika kishte vendosur tarifa për afërsisht dy të tretat e mallrave kineze. Kjo mund ta ketë ulur PBB-në e Kinës deri në 0.8%, sipas Bankës Goldman Sachs.

Amerika gjithashtu goditi një nga kompanitë kryesore kineze të telekomunikacionit, ZTE, duke i mohuar qasjen në teknologjinë amerikane. Ekipi i Trump më vonë shënjestroi kompaninë kineze Huawei, të cilën Amerika e quajti një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Një hendek i rrezikshëm

Që atëherë, Kina është përpjekur të bëhet sa më pak e varur nga Amerika për mallrat ose për teknologjitë jetike. Tani ajo shet më pak se 15% të eksporteve në Amerikë, nga pothuajse një të pestën në vitin 2017. Kompanitë kineze të teknologjisë gjithashtu janë më të fuqishme.

Huawei ka treguar se mund të prodhojë gjysmëpërçues të mrekullueshëm, pavarësisht përpjekjeve të Trump dhe Biden për t’i mohuar qasjen në çipa të përparuar dhe pajisje për prodhimin e çipave.

Firma kineze e Inteligjencës Artificiale DeepSeek, është ndër modelet më të mira në botë të Inteligjencës Artificiale dhe shumë më e lirë sesa rivalët. Kur presidenti kinez Xi u takua me drejtuesit e kompanive të ndryshme të botës në Pekin më 28 mars, ai dha një mesazh të qartë: se aftësia teknologjike e Kinës është më e madhe se kurrë.

Fatkeqësisht, goditja e dytë tregtare nga Trump do të jetë shumë më e fortë se e para. Ai i kishte rritur tashmë tarifat ndaj mallrave kineze me 20 pikë përqindje që nga rikthimi në pushtet, duke e ngritur normën mesatare mbi 30% (shih grafikun 2).

Më 2 prill, tha se do të rrisë tarifat me 34 pikë shtesë. Hoqi gjithashtu një përjashtim që lejonte që paketat me vlerë më pak se 800 dollarë, t’u shpëtonin detyrimeve tatimore.

Mund të vendosen shtrëngime të tjera. Për shembull, Amerika mund t’i ngarkojë anijet e ndërtuara në Kinë me një tarifë shtesë për ankorimin në portet amerikane.

Qëllimet përfundimtare të Trump janë ende të paqarta. Presidenti amerikan i ka përshkruar tarifat si pazare për të fituar lëshime nga partnerët tregtarë. Për shembull, më 26 mars, ai tha se mund t’i ulte tarifat në qoftë se Kina do të pranonte shitjen e TikTok, një aplikacion kinez shumë popullor në Amerikë.

Por disa kohë më parë, senatori republikan Steve Daines i tha një zyrtari kinez se bisedimet tregtare nuk do të ishin të mundura derisa Kina të ndalte kalimin e fentanilit në Amerikë.

Trump gjithashtu i ka përshkruar tarifat në mënyra të ndryshme: si një burim të ardhurash, një mjet për të tërhequr investime në prodhim dhe një mënyrë për të eliminuar deficitet tregtare, të cilat ai i sheh si grabitje. Edhe nëse Kina do të arrijë një ujdi për njëfarë lehtësimi tregtar, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti.

Për më tepër, disa nga garancitë që e ndihmuan Kinën më parë, tani nuk ka gjasa të funksionojnë. Kur tarifat u rritën në vitin 2018, Kina i ridrejtoi shumë nga eksportet e saj drejt vendeve si Tajvani dhe Vietnami.

Ato i bashkuan pjesët përbërëse kineze duke prodhuar mallra që i shitën më pas në Amerikë. Kjo shmangie mund të jetë më e vështirë në luftën e re tregtare, sepse Trump po vendos tarifa ndaj të gjithë partnerëve të mëdhenj tregtarë të Amerikës.

Kina gjithashtu i druhet një “zinxhiri tarifor”, thekson Fred Neumann nga banka HSBC. Nëse taksat e zotit Trump i shmangin eksportet kineze nga Amerika në tregje të tjera, ato vende të tjera mund të vendosin taksa ndaj Kinës.

Shumë shtete tashmë e kanë gishtin në këmbëzë. Sipas statistikave të OBT-së, 66 hetime janë nisur kundër Kinës vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, më shumë se në gjithë vitin 2023. Edhe Rusia, miku “i pakufishëm” i Kinës, ka vepruar për të frenuar fluksin e makinave kineze në vend.

Për të fituar mbështetje, Kina ka hequr tarifat e importeve për shumë vende të varfra të botës. Një studiues argumenton se Kina mund të joshë edhe Europën me masa të njëanshme për të nxitur tregtinë dhe për të lidhur një marrëveshje investimi. Diplomatët europianë thonë se përparimi është i ngadaltë. Dy palët ende po debatojnë për automjetet elektrike.

Në kushtet e tarifave më të larta, një monedhë më e dobët mund t’i ndihmojë eksportuesit e Kinës që të ruajnë pjesën e tregut, veçanërisht në industritë e ndjeshme ndaj çmimeve.

Por banka qendrore e ka mbajtur të qëndrueshëm Juanin kundrejt Dollarit. Ajo nuk dëshiron që zhvlerësimi i mprehtë i juanit të armiqësojë shtetet e tjera ose të shkaktojë dalje të mëdha të kapitalit, siç ndodhi në vitin 2015.

Mund të ketë gjithashtu një synim më strategjik. Një monedhë më e dobët do të zbuste ndikimin e tarifave, duke ulur dhimbjen ekonomike të blerësve amerikanë. Kina sigurisht që nuk ka aspak dëshirë të shpëtojë Amerikën nga pasojat e marrëzisë së saj.

Qeveria kineze ka paralajmëruar eksportuesit që të mos dorëzohen para presionit amerikan mbi çmimet. Zyrtarët lokalë të doganave kanë vëzhguar faturat, thotë një shef kinez në një kompani me seli në Shangai. Ata duan të “nxisin sa më shumë efektet e këqija të inflacionit në Amerikë”.

Së shpejti mund të vijnë probleme më të mëdha se inflacioni. Shumë veta kanë frikë se ai po shkon drejt një ngadalësimi të mprehtë.

Në të vërtetë, një arsye tjetër pse lufta e dytë tregtare mund të jetë më e keqe për Kinën, është paksa paradoksale: Amerika duket më e brishtë këtë herë. Në vitin 2018, ajo u rrit fuqishëm edhe kur lufta tregtare u bë më e ashpër.

Tani, besimi i konsumatorëve amerikanë po bie me shpejtësi. Tregu i aksioneve gjithashtu. Disa tregues kryesorë kanë dhënë shenja se do të ketë një rritje negative në tremujorin e parë të vitit, madje edhe para bombës tarifore të Donald Trump.

Zyrtarët kinezë mund të ndihen të kënaqur nga ideja e një recesioni në Amerikë. Por një studiues vëren se kërkesa amerikane për mallra kineze është shumë më e ndjeshme ndaj ndryshimeve në të ardhura, sesa ndaj ndryshimeve në çmime.

Eksportuesit e shkathët kinezë mund të arrijnë t’u shmangen tarifave amerikane, thotë ai, por nuk ka shpëtim nga një recesion amerikan.

Ndërsa rregullat e eksporteve po shtrëngohen, ekonomia e Kinës duhet të marrë përsipër barrën shtesë. Kjo mund të duket e pamundur, madje edhe qesharake.

Vitet e fundit, Kina është rrënuar nga një krizë e dhimbshme pronash, shtrëngime financiare të qeverisë lokale, një goditje ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë dhe ulja e besimit të konsumatorëve. Presidenti Xi është treguar shumë i ngadaltë në përgjigjen ndaj këtyre problemeve, ndoshta sepse në shumë raste, shkaktari ka qenë ai vetë.

Por në gjashtë muajt e fundit, politika ka filluar të marrë një drejtim më premtues. Qeveria është zotuar të ndalojë rënien e tregut të pronave dhe të rrisë “fuqishëm” konsumin familjar.

Ajo po u jep pushteteve vendore më shumë hapësirë për të marrë hua. Presidenti Xi dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Komuniste kanë lënë të kuptohet se do të mbështesin sërish sipërmarrjen private dhe se investimet e huaja janë të mirëseardhura. Edhe risia në Inteligjencë Artificiale ka nxitur potencialin e rritjes.

Rigjallërimi i tregut të pronave është hapi i parë. Në vitet 2020-2021, qeveria qendrore orkestroi një ngërç kredie me synimin për të ndaluar zgjerimin e paqëndrueshëm të sektorit. Suksesi dha pasoja të tepërta. Ranë çmimet, si dhe kërkesa për shtëpi. Shitjet e sipërfaqeve të banimit janë përgjysmuar që nga viti 2021.

Prona dhe industritë e lidhura me të, dikur përbënin afërsisht një të katërtën e PBB-së së Kinës. Prandaj, rënia e tyre ka bërë jehonë në të gjithë ekonominë. Ngadalësimi i ndërtimit goditi tregjet e punës dhe industritë e panumërta që ushqehen me ndërtim, si qelqi dhe çeliku.

As qeveria nuk u kursye. Për shkak se autoritetet lokale mbështeteshin shumë në shitjet e tokës për të ardhura, aftësia e tyre për të mundësuar shërbime dhe për të luftuar rënien, ishte e kufizuar.

Viktima kanë qenë edhe njerëzit e thjeshtë. Vlera neto e pronarëve të shtëpive u tkurr, duke ulur fuqinë e tyre shpenzuese. Në Shenzhen, çmimet mesatare të shtëpive ranë me gati 20% midis viteve 2021 dhe 2023. Dhjetëra miliona familje kanë paguar paraprakisht për shtëpi që nuk janë ndërtuar kurrë.

Lajmi i mirë për Partinë Komuniste është se më e keqja e krizës së strehimit duket se ka përfunduar. Vëllimet e shitjeve po bien më pak tani sesa një vit më parë. Çmimet në disa qytete të mëdha, si Shangai dhe Nanjing, kanë filluar të rriten sërish.

Disa analistë besojnë se çmimet kombëtare do të bëhen të qëndrueshme në fillim të vitit të ardhshëm. Disa studiues argumentojnë se deflacioni i flluskës së pronës ishte i dëshirueshëm dhe i pashmangshëm. Edhe koha ishte e volitshme. Kina arriti të shpërthejë flluskën e tregut në intervalin e shkurtër midis dy luftërave tregtare.

Nëse spekulimet e pronave do të lejoheshin të vazhdonin të rriteshin në mënyrë të pakontrolluar deri në ardhjen e tarifave, atëherë pasojat do të kishin qenë shumë më të rënda.

Edhe qeverive lokale u është dhënë më shumë lehtësim këtë vit. Ato janë lejuar të marrin 6 trilionë juanë shtesë (830 miliardë dollarë) në bono gjatë tre viteve, për të rifinancuar detyrime “të fshehura” më të rrezikshme, që shpesh gjenden në bilancet e mjeteve të investimit që ato sponsorizojnë.

Qeveritë lokale gjithashtu mund të emetojnë një shumë rekord prej 4.4 trilionë juanësh në “bono të posaçme” këtë vit, nga 3.9 trilionë juanë vitin e kaluar. Këto fonde mund të përdoren për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj kompanive dhe punonjësve dhe madje edhe për të blerë tokë.

Kjo duhet të nxisë qarkullimin e parave. Shumë qeveri lokale të Kinës janë punëdhënës të mëdhenj dhe konsumatorë të mëdhenj të mallrave dhe shërbimeve, thotë ekonomisti Yao Yang. Ato mund të mbështesin deri në 30% të konsumit të brendshëm.

Vështirësitë financiare të qeverive lokale të Kinës kanë nxitur ndryshimin e pikëpamjes së qeverisë në lidhje me politikën ekonomike. Në shtator, Zyra Politike prej 24 anëtarësh premtoi se do të bënte të qëndrueshëm tregun e pronave dhe do të forconte masat “kundërciklike”.

Në mbledhjen vjetore të legjislaturës së Kinës në mars, qeveria njoftoi një huamarrje shtesë që arrin në rreth 2% të PBB-së në vitin 2025.

Një pjesë e këtyre parave shtesë do të shpenzohen për ndërtimin e infrastrukturës më të mirë. Por një pjesë jashtëzakonisht e madhe do të dërgohet për familjet. Konsumi i tyre përbën vetëm rreth dy të pestat e PBB-së së Kinës, krahasuar me rreth gjysmën deri në dy të tretat në shumicën e ekonomive të tjera të mëdha (shih grafikun 3).

Rritja e “vrullshme” e kësaj pjese ishte ndër dhjetë detyrat urgjente për qeverinë këtë vit, që janë synimet e vendosura nga presidenti Xi për modernizimin e industrisë dhe për pavarësinë teknologjike të vendit.

Për këtë qëllim, qeveria ka dyfishuar madhësinë e skemës së tregtisë për mallrat e konsumit si makina dhe pajisje shtëpiake, tani me vlerë 300 miliardë juanë.

Ajo gjithashtu ka zgjeruar fushën për të përfshirë celularët smartphone dhe pajisjet e tjera elektronike. Paga e nëpunësve civilë është rritur, si dhe pensioni i banorëve të qytetit dhe i banorëve të fshatit.

Premtohet edhe ndihmë më bujare financiare për studentët dhe subvencione më të mëdha për sigurimet shëndetësore. Në një plan prej 30 pikash të publikuar disa ditë pas mbledhjes legjislative, zyrtarët u zotuan të rrisin pagën minimale dhe të zgjerojnë subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve.

Qeveritë lokale kanë filluar të përgjigjen. Hohhot, kryeqyteti provincial i Mongolisë së Brendshme ka thënë se do t’u japë familjeve 10,000 juanë për lindjen e fëmijës së parë, pesë pagesa vjetore prej 10,000 juanësh për një fëmijë të dytë dhe dhjetë të tjera për një fëmijë të tretë.

Nëse kjo lloj skeme do të zbatohej në nivel kombëtar, do të vendoste rreth 400 miliardë juanë në vit në xhepat e prindërve. Shpresa është që masa të tilla do t’u japin njerëzve më shumë para për të shpenzuar dhe më në fund do të rrisin besimin e konsumatorëve (shih grafikun 4).

Në të njëjtën kohë, partia është përpjekur të ringjallë sektorin privat. Është lavdëruar një takim i fundit midis presidentit Xi dhe një grushti sipërmarrësish, përfshirë Jack Ma, një miliarder i kritikuar më parë nga qeveria.

Zoti Ma kishte qenë viktima më e famshme e një goditjeje qeveritare ndaj kompanive të teknologjisë, në vitin 2020, duke përfshirë kompaninë e njohur kineze, Alibaba.

Takimi është parë si një shenjë se Partia Komuniste është gati të ndihmojë biznesin privat. Në përgjigje të kësaj, janë rritur vlerësimet e shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në Kinë. Çmimi i aksioneve të kompanisë Alibaba është rritur me 60% që nga fillimi i vitit.

Rritja do të vijë pas një rënieje të theksuar. Por ka një arsye të mirë për të qenë optimistë. Një valë e madhe e Inteligjencës Artificiale ka përfshirë vendin që nga janari, pasi modelet e DeepSeek kanë ulur shumë koston e teknologjisë së re.

Përparimi i Inteligjencës Artificiale gjithashtu ka treguar se kompanitë kineze të teknologjisë mund të inovojnë dhe të lulëzojnë pavarësisht kufizimeve të rënda amerikane.

Dëshmitë e hershme tregojnë se qeveria po e mbështet Inteligjencën Artificiale. Partia po nxit firmat private dhe krahët e qeverisë që të përqafojnë Inteligjencën Artificiale. Sipas një vlerësimi, afërsisht gjysma e kërkesës për modelin e DeepSeek vjen nga vetë shteti.

Të gjitha këto masa do të ndihmojnë, por do të nevojiten më shumë. Do të duhet kohë që rritja e optimizmit në bursë të reflektohet në ekonomi.

Mirësjellja e presidentit Xi me sipërmarrësin Ma nuk do të jetë e mjaftueshme për të qetësuar sipërmarrësit, thotë një këshilltar: “Kanë ndodhur shumë gjëra në pesë vitet e fundit”.

Disa qeveri lokale me para të kufizuara kanë burgosur biznesmenë. Një goditje e vazhdueshme ndaj investimeve ka shkaktuar uljen e pagave dhe zhdukjen e disa financuesve të famshëm.

Autoritetet gjithashtu i pengojnë investitorët privatë: qeveria është mundësuesi më i madh i kapitalit privat dhe kapitalit sipërmarrës në Kinë.

Ndërkohë, rregullatori i tregut të aksioneve në Kinë ka bllokuar shumicën e IPO-ve, duke frenuar investitorët. E gjithë kjo bën që sektori privat të jetë më i kujdesshëm ndaj lulëzimit të Inteligjencës Artificiale dhe përkrahjes së re të qeverisë për sipërmarrjen private.

Do të nevojiten më shumë para dhe më shumë sharm. Stimuli i njoftuar muajin e kaluar duhet të jetë i mjaftueshëm për të ndaluar përkeqësimin e deflacionit, por ai nuk do ta largojë plotësisht rrezikun.

Zyrtarët kinezë kanë thënë se janë të gatshëm që të bëjnë më shumë nëse është e nevojshme. “Qeveria qendrore ka mjete të mjaftueshme rezervë”, tha Lan Fo’an, ministri i Financave, në fillim të marsit.

Ajo do të “paraqesë politika të reja rritëse kur të jetë e nevojshme”, tha zoti Li, disa javë më vonë. Kina nuk mund të tregojë ngurrim në një kohë kur Trump nuk po ngurron fare.

Nuk ka shenja se Xi ka ndryshuar rrënjësisht pikëpamjet e tij për mënyrën si funksionon ekonomia. Përkrahja e konsumit dhe sipërmarrjes private, duket se është më tepër një taktikë.

Por pas krizës së tregut të pronave dhe në prag të një lufte tjetër tregtare, edhe ai duhet të pranojë se investimet dhe eksportet nuk mund të jenë të njëjtët motorët ekonomikë si më parë.

Për dy dekada, ekonomistët i kanë kërkuar Kinës të përqafojë rritjen ekonomike të udhëhequr nga konsumi. Nëse ajo e bën këtë pasi të ketë shteruar gjithë mundësitë e tjera, do të ketë nxjerrë një mësim të vlefshëm nga një periudhë e rrezikshme. 

Përktheu: Lira Muça

1 Komente

  1. l
    lexuesi

    Ku eshte kjo siguri e Kines ??!!...E cila tha ne fillim qe nuk do te ulet ne bisedime dhe tani po bene qingjin....!!!!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje