Një moment dramatik është filmuar në Kaliforni, SHBA, kur një grua ende e paidentifikuar duket sikur del nga flakët, për t’u shpëtuar më pas nga ekipet e emergjencës.
Pamjet, që duken si të jenë pjesë e ndonjë skene filmi, tregojnë siluetën e një gruaje të rrethuar nga flakët, me erën që i rreh fustanin dhe thëngjij të kuq që kanë mbuluar rrugën dhe ajrin. Për pak sekonda duket sikur do ta ketë të pamundur të shpëtojë, por në videon që po qarkullon në mediat sociale, shfaqet një ekip emergjence që i vjen asaj në ndihmë.
Ngjarja, sipas New York Times, është filmuar në Kaliforni, ku një zjarr ka rënë pranë një aeroporti. Zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë e pajisjeve të punës të përdorura gjatë riparimit të një rruge në atë zonë.
Prej të hënës, Kalifornia dhe zona të tjera në SHBA perëndimore janë përfshirë nga zjarret, që po shkatërrojnë dhjetëra mijëra hektarë pyje, duke vënë në rrezik jetët e komuniteteve lokale.
Ndërkaq, CNN raporton se zjarret që kanë pushtuar perëndimin e SHBA-ve kanë qenë aq intensive, saqë kanë krijuar klimën e tyre, duke formuar re të dendura, shkaktuar nga tymi. Retë e tymit kanë qenë aq të dendura, saqë janë mundur të fotografohen edhe nga satelitët.
Lini një Përgjigje