Në kufi me luftën, si po e përjetojnë rumunët që ndodhen pranë vijës së frontit

31 Janar 2023, 20:30Bota TEMA

Në kufi me luftën, si po e përjetojnë rumunët që

Në Sfântu Gheorghe një minë ka dalë në breg, ku dhe u shpërthye në mënyrë të kontrolluar. Katër të tjera u shkatërruan në det, me copëzat metalike që mbërrijnë gjithashtu në breg herës pas here.

Autoritetet po u kërkojnë njerëzve që lundrojnë në det, ose që vizitojnë plazhin të tregohen shumë të kujdesshëm nga ndonjë objekt i dyshimtë që mund të gjendet atje.

Dëshmitarë jovullnetarë, banorët e Sulinës kanë përjetuar momente të vështira në kohën e sulmeve ndaj Ishullit të Gjarprit, që ndodhet vetëm 40 km larg deltës së Danubit.

“Toka u lëkund kur u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme. Më duket sikur i ndjej lëkundjet edhe tani”, thotë një banor i Sulinës.

Edhe pse zona ka qenë e qetë për disa muaj, banorët kanë sërish frikë.

“Ne duam paqe. Nuk e patë sesi disa nga raketat ranë në veri? Disa mbetje të raketave ranë në Moldavi, vend që nuk është i përfshirë në luftë. Atje pati copëza raketash dhe dronësh, që janë shumë të rrezikshëm”, shprehet një tjetër.

Stefan Ivanov është president i Shoqatës së Operatorëve për Mjetet e Argëtimit dhe Transportit të Shpejtë në deltën e Danubit. Ai pranon se frika nga lufta ka kompromentuar virtualisht pjesën e parë se sezonit veror në lumë.

“Njerëzit patën frikë në fillim të konfliktit. Ata telefononin, bënin pyetje, prenotonin qëndrimin, pastaj e anulonin dhe e shtynin për më vonë për të parë ç’do të ndodhte” , thotë Stefan Ivanov, operator turistik.

Numri i turistëve që erdhën në deltën e Danubit ra me rreth 30 për qind verën e kaluar, krahasuar me dy vjet më parë kur po zhvillohej një luftë tjetër, ajo kundër COVID-19.

Që nga dita e parë e luftës, më 24 shkurt, pika kufitare më e ngarkuar e Rumanisë ishte ajo e Siretit. Njerëz të zakonshëm shkonin atje për të ndihmuar fqinjët. Ndihma varionte nga transporti tek akomodimi. Tani situata duket e qetë. Rumania nuk është vetëm një vend ku njerëzit mund të kërkojnë strehim, por edhe një pikë takimi.

Rreth 2 mijë ukrainas vazhdojnë të kalojnë përmes Siretit çdo ditë. OJQ të ndryshme kanë ngritur zyrat atje. Ka edhe nga ata që ndodhen aty që nga fillimi i luftës.

Një nga personat e parë që mbërriti në kalimin kufitar të Siretit më 24 shkurt ishte Korina Damaskin. Ajo shkoi atje sapo mësoi se lufta kishte filluar. Të parët njerëz që pa ishin anëtarë të një familjeje, prindërit dhe fëmija 2 vjeç.

Lufta i ndryshoi jetën. Me profesion ajo ishte një asistent farmaciste dhe në moshën 46-vjeçare, ajo u bë studente me kohë të plotë në Fakultetin e Punëve Sociale.

“Jeta ka ndryshuar për shumë prej nesh, sepse jemi ende nën presion. Dhe kjo, pavarësisht asaj çka thotë qeveria, shteti apo kushdo. Në të njëjtën kohë, ne jemi fare pranë dhe një bombë mund të na bjerë nga Çernivtsi, ose nga ndonjë lokalitet tjetër dhe të na shfarosë”, thotë Leonte Tiniuc, aktivist.

Familja Tiniuç ka strehuar gjithashtu 4 refugjatë. Ata thonë se kanë ende mundësi për t’i ndihmuar.

“Ne e dimë që jemi anëtarë të BE-së dhe NATO-s, por çfarë mund të presësh? Frika ekziston”, shprehet Elena Tiniuc, aktiviste.

Mbi 3 milionë ukrainas kanë hyrë në Rumani që nga fillimi i luftës. Pjesa moldave është bërë një zonë transiti. Ndërsa ukrainasit shkojnë e vijnë, rumunët janë ende aty dhe janë gati të ofrojnë ndihmë. E ndërsa kontribuojnë me gjithçka që munden, ata shohin përtej kufirit dhe shpresojnë për dhënien fund të armiqësive; për fundin e frikës dhe dëshpërimit…

Lini një Përgjigje