Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë shqyrtuar raportet e inteligjencës, Irani ka përgatitur raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen në luftën e Izraelit, raporton New York Times.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth tre duzina aeroplanë furnizimi me karburant në Evropë që mund të përdoren për të mbështetur avionët luftarakë që mbrojnë bazat amerikane ose për të zgjeruar rrezen e veprimit të bombarduesve të përfshirë në një sulm të mundshëm ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Presidenti, Donald Trump, përmes një postimi në rrjetet sociale, pretendon se Shtetet e Bashkuara kanë marrë kontrollin e plotë të hapësirës ajrore mbi Iranin.
Po ashtu Trump, në një postim u shpreh se:
“E dimë saktësisht ku fshihet i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt aty ku ndodhet. Nuk do ta eliminojmë (vrasim!), të paktën jo për momentin. Por nuk duam që raketat të drejtohen ndaj civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po soset. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”!
Sipas burimeve të cituara nga CBS, partner mediatik i BBC në SHBA, Trump është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen Izraelit në sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit, përfshirë edhe objektin në Fordoë.
Të njëjtat burime theksojnë se kjo çështje pritej të diskutohej gjatë takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë brenda ekipit të ngushtë të këshilltarëve të Trump ende nuk ka një dakordësi të plotë për një ndërhyrje të tillë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vendimet që priten nga Uashingtoni mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje