Nga Covid te Kosova, pesë mësime të nxjerra nga kujtimet e Boris Johnson

4 Tetor 2024, 13:53Bota TEMA

Nga Covid te Kosova, pesë mësime të nxjerra nga kujtimet e Boris

Në memoarin e tij voluminoz prej 772 faqesh “Unleashed”, ish-kryeministri britanik Boris Johnson rrëfen karrierën e tij politike plot kthesa. Ndërkaq, “The Guardian” ka publikuar një listë me pesë çështje kryesore, nga pandemia Covid-19 tek lufta e Kosovës, të nxjerra nga kujtimet e ish-kryeministrit.

 

1. I befasuar që Konservatorët e braktisën, por i bindur se do t’i kishte fituar zgjedhjet e këtij viti.

Rrëfimi i Johnson në lidhje me “verën e rëndë” që i dha fund qëndrimit të tij në postin e kryeministrit, përshkohet nga një ndjesi habie. Ndonëse pranon disa gabime të tij, ai në thelb beson se ishin deputetët të cilët gabuan duke e shkarkuar.

Dështimi më i madh i tij, shprehet Johnson në libër, ishte se “gjithmonë kthehesha i lodhur në apartamentin kryeministror ku punoja deri në mbrëmje kur, në fakt, do të duhej të besideoja me kolegët dhe t’iu ngrija entuziazmin.” Nëse kolegët e tij “do të kishin qëndruar të bashkuar,” Johnson nuk ka dyshim se do të kishte garuar dhe do t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2024.

2. “Partygate” u sajua nga ish-shefi i shtabit dhe drejtori i komunikimit

Johnson e përshkruan skandalin e festave gjatë pandemisë si një "çështje të ekzagjeruar keq" dhe akuzon ish-shefin e tij të stafit, Dominic Cummings dhe drejtorin e tij të komunikimeve, Lee Cain, se i kanë fryrë raportimet mediatike me qëllimin për ta rrëzuar atë. Ai vetë beson se ka vepruar në përputhje me rregullat e Covid-it, por mediat e ekzagjeruan qëllimisht skandalin “Partygate”.

3. Nuk pendohet shumë për pandeminë

Kapitujt në lidhje me Covid janë më të lodhshmit dhe nuk janë tjetër veçse një përpjekje për të justifikuar vendimmarrjen e tij gjatë pandemisë.

Johnson thekson mungesën e informacionit në fazat e hershme të pandemisë, përfshi idenë se transmetimi asimptomatik nuk kishte gjasa të ndodhte. Momenti i epifanisë për të duket të ketë qenë kur ish-kryeministri po shihte ne televizion pamjet e mbipopullimit të spitaleve në Itali. Megjithatë, ai nuk thotë asnjë fjalë nëse qeveria mundej, ose nëse do të duhej të kishte vepruar më shpejt  për të përballuar valën e infektimeve.

4. Ai është një "Keynesian" i fshehur

Edhe pse nuk do ta përdorte kurrë si term, Johnson qartësisht beson ashtu si ekonomisti John Maynard Keynes, se një dozë e mirë shpenzimesh qeveritare mund ta ndihmojë ekonominë në kohë të vështira.

Ai shprehet në libër se nuk është simpatizant i masave shtrënguese ekonomike apo i kursimit, ndaj lavdëron zhvillimin e projekteve infrastrukturore, veçanërisht ato që lidhen me transportin. Ndërsa Covid po zbehej, thotë ai, “duhej ta shfrytëzonim këtë moment të tmerrshëm për avantazhin tonë… duke shtyrë përpara me gjithë forcën investimet tona në çdo drejtim.” Nga ana tjetër, Johnson kritikon vendimet e Rishi Sunak, i cili anulloi një pjesë të madhe të projekteve të nisura prej tij.

5. Ai mendon seriozisht për politikën e jashtme

Edhe pse shumëkush mund të jetë i interesuar të lexojë në lidhje me dramën e “Brexit”, apo “Partygate”, Johnson duket se dëshiiron që lexuesit të kuptojnë se sa seriozisht i ka marrë ai çështjet e rëndësishme gjeopolitike.

Në libër ka kapituj për Kosovën, ku ai tregon për kohën kur raportonte në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s gjatë luftës, për gazetën “Telegraph”. Ndërsa pushtimin e Irakut, ish-kryeministri e  cilëson si një “aventurë arrogante, mendjemadhe e të gabuar.”

Ndërkaq, Johnson kundërshton idenë se “Brexit” e izoloi Mbretërinë e Bashkuar, duke sjellë si argument udhëtimet e tij të shumta kur shërbente si Sekretar i Jashtëm dhe Kryeministër, ndërsa shprehet i bindur  se shumë shtete të botës kërkonin “më tepër përfshirje të Brianisë, veçanrëisht në vende ku përfshirja e Britanisë ishte tashmë e njohur." /Përgatiti në shqip për gazetën TemA, Bjorn Runa

Lini një Përgjigje