Rishfaqet Maduro: Trump konfirmon telefonatën me Presidentin e Venezuelës

1 Dhjetor 2025, 09:00Bota TEMA
Rishfaqet Maduro: Trump konfirmon telefonatën me Presidentin e

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, bëri paraqitjen e tij të parë publike të dielën pas disa ditësh mungese, duke i dhënë fund spekulimeve brenda vendit se ai ishte arratisur për shkak të përshkallëzimit të tensioneve me SHBA-në.

Maduro, i cili zakonisht shfaqet në televizionin venezuelian disa herë në javë, nuk ishte parë në publik që nga e mërkura, kur postoi një video të tij duke ngarë makinën nëpër Karakas në kanalin e tij Telegram, çka çoi në spekulime të forta për vendndodhjen e tij.

Të dielën, ai u shfaq në një event vjetor të ndarjes së çmimeve të kafesë speciale në Karakasin lindor.

Në fund të eventit, ai brohoriti se Venezuela është “e pathyeshme, e paprekshme, e pamposhtur”, ndërsa fliste për ekonominë e vendit.

Shfaqja e Maduros në eventin e ndarjes së çmimeve për kafe erdhi vetëm pak momente pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se kishte folur në telefon me udhëheqësin venezuelian.

“Nuk dua të komentoj për këtë – përgjigjja është po”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One kur u pyet nëse telefonata kishte ndodhur. “Nuk do të thoja se shkoi mirë apo keq. Ishte një telefonatë.”

New York Times dhe Wall Street Journal kanë raportuar se Trump dhe Maduro kanë folur në telefon më herët këtë muaj.

Lini një Përgjigje