Gjermania nuk ka një agjenci të specializuar si ICE-ja amerikane (Emigracioni dhe Doganat), dhe oficerët e saj nuk operojnë të maskuar. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Berlinin të përshpejtojë ndjeshëm ritmin e riatdhesimeve të detyruara. Nën drejtimin e Kancelarit Friedrich Merz, ashtu si dhe nën paraardhësin e tij Olaf Scholz, makineria burokratike gjermane ka hequr pengesat ligjore, duke çuar në një rritje dyshifrore të deportimeve në vitin 2025.
Sipas Ministrisë së Brendshme, nga janari deri në nëntor 2025, u kryen 21,311 deportime, një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo pason një rritje tjetër prej 22% që u regjistrua nga viti 2023 në 2024.
Përveç këtyre, mbi 30,000 persona u larguan “vullnetarisht” gjatë vitit 2025, pasi morën dokumentin e njohur si Grenzübertrittsbescheinigung – një ultimatum që i njofton se duhet të largohen brenda një date të caktuar.
Ndryshe nga SHBA, ku ka agjenci të dedikuara, në Gjermani vendimi merret nga autoritetet lokale të imigracionit, ndërsa ekzekutimi fizik bëhet nga Policia Federale.
Autoriteti lokal verifikon nëse ka pengesa ligjore. Nëse nuk ka, caktohet një datë, e cila nuk i tregohet personit që do të dëbohet.
Policia mund të shfaqet në shtëpi në orët e para të mëngjesit. Ata janë të uniformuar, jo të maskuar, dhe duhet të identifikohen.
Përveç fluturimeve komerciale, Gjermania përdor shpesh fluturime “charter” për deportime kolektive (rreth 7,300 raste në vitin 2024). Kjo është një kosto e lartë për shtetin, pasi kërkon shoqërues policorë për secilin të dëbuar.
Kush rrezikon dhe kush është i mbrojtur?
Si rregull, çdo azilkërkues i refuzuar ose emigrant pa status ka një afat (zakonisht një muaj) për t’u larguar. Nëse nuk e bëjnë, ata dëbohen.
Megjithatë, rreth 180,000 persona në Gjermani jetojnë me statusin e “toleruar” (Duldung). Kjo ndodh kur dëbimi është i pamundur për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit (pasiguri rreth identitetit); arsyeve shëndetësore ose humanitare; lidhjeve familjare; punësimit (në raste të caktuara).
Qeveria gjermane ka ndryshuar vazhdimisht legjislacionin për ta bërë më të lehtë deportimin. Në 2019 u bë vepër penale njoftimi i dikujt për datën e dëbimit.
Ndërsa në 2022 azilkërkuesit e konsideruar “të rrezikshëm” mund të burgosen deri në 6 muaj para dëbimit.
Policisë iu dha e drejta të kontrollojë edhe dhomat e tjera në banesat e azilkërkuesve, jo vetëm dhomën e personit në kërkim.
Megjithatë, ekspertët si Svenja Schurade nga Universiteti i Göttingenit, argumentojnë se këto masa shpesh nuk rrisin efikasitetin, por vetëm pasigurinë sociale dhe përjashtimin e emigrantëve.
Ndërkohë, propozimet e partisë së ekstremit të djathtë AfD në Bavari për të krijuar një njësi speciale të stilit “ICE” (Grupi i Gjurmimit dhe Dëbimit), mbeten për momentin vetëm kërkesa politike, ndërsa qeveria federale vazhdon të mbështetet te strukturat ekzistuese policore.
U zgjuan nga gjumi këta? Shyqyr, më mirë vonë se kurrë si i thonë.