Rusia vazhdon ta bombardojë Ukrainën, goditet një ndërtesë banimi në Odesë

22 Prill 2025, 15:15Bota TEMA
Rusia vazhdon ta bombardojë Ukrainën, goditet një

Një sulm me dronë nga forcat ruse ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin e Odesës në Ukrainë, në një zonë të dendur me popullsi, duke lënë të lënduar të paktën tre banorë, përfshirë një fëmijë.

Sulmi u krye gjatë një periudhë kur po vazhdojnë tentativat diplomatike për ta siguruar një armëpushim për luftën në Ukrainë, pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia në vitin 2022.

Kryetari i komunës së Odesës, Hennadiy Trukhaniv, shkroi në rrjetet sociale më 22 prill se shumë apartamente janë dëmtuar dhe se “banorët janë në shok.”

Shërbimet e emergjencës publikuan foto dhe video të ekipeve zjarrfikëse që luftonin zjarret në atë që u përshkrua si infrastrukturë civile.

Në mbarë vendin, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi dhjetëra sulme me dron gjatë natës.

Në një deklaratë thuhej se “38 dronë Shahed janë rrëzuar në lindje, veri, jug dhe qendër të vendit”. Po ashtu u tha se janë kapur edhe 16 dronë të tjerë.

Sulmet erdhën një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi se forcat e tij po sulmonin caqe civile në Ukrainë.

Duke folur më 21 prill për një sulm në qytetin verior Sumi javën e kaluar, ku u vranë 35 persona, ai tha se caku ishte një ndërtesë civile — por se aty ndodheshin ushtarë.

Lini një Përgjigje