
Kancelari gjerman, Olaf Scholz në një fjalim mbi 50 minutash të mbajtur në Universitetin “Charles” të Pragës, ka parashtruar idetë e tij se si Evropa dhe Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjen ndryshimeve politike.
“Traktatet evropiane nuk janë të shkruara në gur”, tha Scholz – pothuajse pesë vite pas fjalimin të presidentit francez, Emmanuel Macron, në Sorbonë, ku parashtroi agjendën e tij të BE-së.
Scholz shprehu dëshirën e një bashkimi gjeopolitik, një zgjerimi të mundshëm të unionit dhe reformimit të thellë të institucioneve të tij.
“Rregullat evropiane mund të ndryshohen – në një mënyrë shumë të shkurtër nëse është e nevojshme”.
Kështu, Scholz konfirmoi se në planet e ardhshme evropiane mund të jetë edhe një ndryshim traktati.
Në terma konkretë, kancelari gjerman tha se ai ishte i vendosur për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – por edhe me Ukrainën, Moldavinë dhe “në vijimësi edhe Gjeorgjinë”.
“Një BE me 30 ose 36 shtete anëtare do të duket ndryshe nga Bashkimi i sotëm”, theksoi Scholz, duke shtuar se Evropa po lëvizte “drejt lindjes”.
Lini një Përgjigje