Sondazhi: Papa Leoni më popullor se Trump në SHBA

4 Qershor 2026, 10:20Bota TEMA
Sondazhi: Papa Leoni më popullor se Trump në SHBA

Një sondazh i ri i realizuar nga YouGov për revistën The Economist tregon se Papa Leoni i XIV gëzon një nivel dukshëm më të lartë pëlqyeshmërie në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me presidentin Donald Trump.

Sipas anketës së publikuar të martën, Papa Leoni rezulton figura publike më e pëlqyer mes amerikanëve, me një bilanc favorabiliteti prej +37 pikësh. Ndërkohë, Trump regjistron një bilanc negativ prej -17 pikësh, duke mbetur 54 pikë pas Papës me origjinë amerikane.

Pas Papës, figura e dytë më e pëlqyer në sondazh është moderatori dhe komediani Jon Stewart me +14 pikë. Më lart se Trump renditen gjithashtu senatori i Arizonës Mark Kelly (+10), senatori i Georgias Jon Ossoff (+6) dhe ish-sekretari i Transportit Pete Buttigieg (+1).

Anketa evidenton gjithashtu një rënie të mbështetjes për presidentin amerikan. Sipas YouGov, 61% e të anketuarve shprehen se nuk miratojnë mënyrën se si Trump po ushtron detyrën e presidentit, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy mandateve të tij.

Në muajt e fundit, marrëdhënia mes Trump dhe Papa Leonit është karakterizuar nga tensione publike. Pontifi ka kritikuar vazhdimisht luftën me Iranin dhe ka bërë thirrje për paqe, ndërsa Trump i është përgjigjur me sulme në media sociale, duke e cilësuar atë si të dobët në çështjet e sigurisë dhe të paaftë në politikën e jashtme.

Megjithatë, Papa Leoni ka deklaruar se nuk ka frikë nga administrata Trump dhe se nuk dëshiron të hyjë në debate personale me presidentin amerikan.

Lini një Përgjigje