Ushtarakët tajlandezë kanë akuzuar Kamboxhian për shkelje të armëpushimit të sapo nënshkruar, pas javësh përleshjesh vdekjeprurëse që detyruan rreth një milion persona të lënë shtëpitë e tyre.
Sipas Ushtrisë tajlandeze, më shumë se 250 dronë pa pilot (UAV) janë parë duke fluturuar nga territori kamboxhian të dielën vonë. Armëpushimi kishte hyrë në fuqi të shtunën në mesditë lokale, me marrëveshjen që parashikonte ngrirjen e fronteve, ndalimin e forcave shtesë dhe lejimin e kthimit të civilëve në zonat kufitare.
Ushtria tha se veprimet e Kamboxhias “përbëjnë provokim dhe shkelje të masave për uljen e tensioneve”, duke shtuar se këto janë “në kundërshtim me termat e armëpushimit”. Ajo gjithashtu paralajmëroi se mund të rishikojë lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë të mbajtur në Tajlandë që nga korriku.
Kamboxhia ende nuk ka dhënë koment.
Marrëveshja e armëpushimit ishte parë si një arritje pas ditësh bisedimesh, me mbështetje diplomatike nga Kina dhe SHBA-të. Vetë ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e quajti armëpushimin “të fituar me mund”, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e lavdëroi për “përfundim të shpejtë dhe të drejtë”.
Tensionet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë një histori më shumë se një shekull, por shpërthyen rishtazi këtë vit pas incidentit në një tempull të kontestuar, ku një grup grash kamboxhiane këndoi këngë patriotike.
Përleshjet përfshinë vdekje të ushtarëve dhe civilëve, duke çuar në dëbimin e mijëra banorëve.
hë mo mo ja fut kot dhe ti!!luftën tuaj e ka zgjidhur trapi portokalli!nuk ka luftë dhe pikë!!