Një ngjarje e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, pasi janë regjistruar të shtëna me armë në një shkollë në Filipine, duke lënë pas tre viktima dhe pesë të plagosur.
Sulmi vdekjeprurës ndodhi në Shkollën e Mesme Kombëtare San Jose, në qytetin Tacloban të Provincës Leyte. Sipas autoriteteve lokale, të shtënat u regjistruan në orët e para të mëngjesit të 22 qershorit, duke shkaktuar panik mes nxënësve, stafit dhe banorëve të zonës.
Policia bëri të ditur se tre persona humbën jetën si pasojë e sulmit, ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalet e afërta.
Pas ngjarjes, forcat e rendit nisën menjëherë hetimet dhe arritën të arrestojnë një nga të dyshuarit. Ndërkohë, autoritetet janë në kërkim të një personi tjetër që dyshohet se është i përfshirë në sulm.
Zyra Rajonale e Policisë 8 ka dislokuar personel shtesë në ambientet e shkollës për të garantuar sigurinë e nxënësve, mësuesve, prindërve dhe komunitetit lokal. Gjithashtu janë shtuar masat e sigurisë në zonë, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje