Futbollisti i njohur belg Zheremi Doku ka zgjedhur familjen përpara futbollit në një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij personale.
Ylli i Manchester City mungoi në ndeshjen e Belgjikës ndaj Iranit, pasi vendosi të kthehej në atdhe për të qenë pranë bashkëshortes së tij, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e parë të çiftit.
Vendimi i 24-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale. Megjithatë, për Dokun zgjedhja dukej e qartë: të mos humbiste ardhjen në jetë të fëmijës së tij të parë.
“Është fëmija im i parë, ndaj padyshim që do të doja të isha atje. Askush nuk do të donte të humbiste lindjen e fëmijës së parë”, është shprehur futbollisti në një prononcim për Reuters.
Edhe pse deklaratat e tij krijuan polemika në opinionin sportiv, Doku nuk ndryshoi qëndrim dhe udhëtoi drejt Belgjikës për të qëndruar pranë partneres në këtë moment kaq të veçantë për familjen e tyre.
Historia e tij po komentohet gjerësisht jo vetëm në botën e sportit, por edhe në atë të showbiz-it, ku gjithnjë e më shumë personazhe publike po zgjedhin të vendosin familjen dhe jetën private në plan të parë, pavarësisht angazhimeve profesionale.
Lini një Përgjigje