Tensionet në rritje mes dy vendeve: Trump pritet të vizitojë Kinën, më pas do të presë kryeministren japoneze në Shtëpinë e Bardhë

3 Janar 2026, 08:15Bota TEMA
Tensionet në rritje mes dy vendeve: Trump pritet të vizitojë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ftoi të premten kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, për një vizitë zyrtare në Uashington, e cila pritet të realizohet gjatë pranverës, njoftoi diplomacia japoneze.

Gjatë një bisede telefonike 25-minutëshe, dy liderët shprehën vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe sigurisë, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Japonisë.

“Presidenti republikan e ftoi zyrtarisht kreun e qeverisë japoneze për vizitë në SHBA dhe të dy liderët ranë dakord të koordinojnë më në detaje këtë vizitë gjatë pranverës”, njoftuan ata.

Gjithashtu, ata shkëmbyen pikëpamje mbi rajonin e Indo-Paqësorit dhe konfirmuan bashkëpunimin e ngushtë mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara në kushtet e aktuale ndërkombëtare, sipas autoriteteve në Tokio.

Ftesa vjen në një kohë kur Donald Trump pritet të vizitojë Kinën në prill, në sfondin e tensioneve diplomatike të vazhdueshme mes Tokios dhe Pekinit gjatë dy muajve të fundit.

Marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të Azisë u përkeqësuan pasi kryeministrja japoneze, e zgjedhur në tetor, la të kuptohej në fillim të nëntorit se Tokio mund të ndërhynte ushtarakisht në rast të një sulmi ndaj Tajvanit, ishull që Kina e konsideron si provincë të saj.

Gazeta Wall Street Journal raportoi se gjatë bisedës së mëparshme telefonike mes dy liderëve në nëntor, Trump e kishte këshilluar Takaichin të mos provokonte Kinën për çështjen e sovranitetit të Tajvanit. Tokio e mohoi këtë informacion.

Të hënën dhe të martën, Kina dislokoi dhjetëra avionë ushtarakë dhe anije luftarake, duke zhvilluar stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, me skenar që parashikonte bllokimin e porteve të Tajvanit.

Të mërkurën, Tokio vlerësoi se këto stërvitje rritën “tensionet” në rajon dhe bëri të ditur se i kishte shprehur “shqetësimet” e saj Pekinit. Nga ana tjetër, Uashingtoni i bëri thirrje qeverisë kineze të “ndalojë presionin ushtarak ndaj Tajvanit”, duke e akuzuar se po “përshkallëzon në mënyrë të panevojshme tensionet” në rajon.

1 Komente

  1. T
    Tironsi

    Donald Trumpi eshte i pa edukuar, i pa kualifikuar, pedofil dhe i kompromentuar nga ruset. Mos na lodhni me lajme se cdo bej trampi..

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje