Trump i pakënaqur me Netanyahun: Sulmet ndaj Iranit mund të prishin negociatat

8 Qershor 2026, 07:32Bota TEMA
Trump i pakënaqur me Netanyahun: Sulmet ndaj Iranit mund të

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur shqetësimin se sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit mund të prishin negociatat e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Teheranit për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Sipas raportimeve, sulmet izraelite u kryen pavarësisht kërkesës së Trump drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse.

Presidenti amerikan ishte shprehur më herët i pakënaqur edhe me vendimin e Izraelit për të goditur objektiva në Bejrut, duke injoruar paralajmërimet e Uashingtonit.

Një zyrtar amerikan, i cituar nga Axios, tha se Trump i kërkoi Netanyahut të priste, duke argumentuar se SHBA-ja ishte pranë një zhvillimi pozitiv në bisedimet me Iranin. “Ne jemi afër të bëjmë diçka të mirë në lidhje me një marrëveshje”, mësohet t’i ketë thënë presidenti amerikan homologut izraelit.

Mediat amerikane raportojnë se javën e kaluar mes dy liderëve u zhvillua një bisedë telefonike e tensionuar. Trump nuk ka mohuar raportet sipas të cilave ai e kritikoi ashpër Netanyahun për përshkallëzimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban.

Në një intervistë për Financial Times, Trump deklaroi se Netanyahu do të duhet të pranojë çdo marrëveshje që SHBA-të mund të arrijnë me Iranin. “Ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se vendimet kryesore për këtë çështje merren nga Uashingtoni.

“Unë i marr të gjitha vendimet. Ai nuk i merr të gjitha vendimet”, u shpreh Trump, duke nënvizuar rolin dominues të SHBA-së në procesin diplomatik.

Lini një Përgjigje