Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Uashingtoni nuk do të lejojë që Teherani të sigurojë armë bërthamore dhe duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Sipas mediave ndërkombëtare, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë marrë tashmë disa lëshime nga pala iraniane dhe se ato duhet të respektohen. Ai theksoi se objektivi kryesor i administratës së tij është ndalimi i çdo përpjekjeje të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
“Ne kemi marrë lëshime dhe tani ata duhet t’i mbajnë ato. Por nuk do të ketë armë bërthamore”, u shpreh Trump, duke shtuar se SHBA-ja do të kërkojë kontroll mbi materialet e pasuruara bërthamore të Iranit.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se nuk po kërkon domosdoshmërisht një ndryshim regjimi në Teheran, por la të kuptohet se zhvillimet politike në Iran mund të ndryshojnë në të ardhmen. “Ose bëjmë një marrëveshje, ose e përfundojmë punën”, tha ai.
Trump iu referua edhe një bllokadeje detare ndaj Iranit, duke pretenduar se Marina amerikane kishte realizuar një operacion të paprecedentë. Sipas tij, masat u lehtësuan pasi palët mund të jenë pranë një marrëveshjeje diplomatike.
Ai theksoi se preferon një zgjidhje paqësore për të shmangur pasojat ndaj popullsisë iraniane, por paralajmëroi se SHBA-ja ka kapacitete për të goditur infrastrukturën strategjike të vendit nëse situata përshkallëzohet.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi duke thënë se negociatat për një marrëveshje përfundimtare nuk mund të nisin për sa kohë vazhdojnë kërcënimet nga Uashingtoni. Ai i bëri thirrje SHBA-së të respektojë angazhimet e mëparshme dhe deklaroi se kërcënimet nuk do të ndikojnë te populli iranian dhe forcat e armatosura të vendit.
Lini një Përgjigje