Turqia nuk ka marrë ende propozime nga Finlanda dhe Suedia

1 Qershor 2022, 15:09Bota TEMA

Turqia nuk ka marrë ende propozime nga Finlanda dhe Suedia

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia nuk ka marrë ende ndonjë propozim konkret për të adresuar shqetësimet e saj.

Kjo, lidhur me aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, gjë që Ankaraja zyrtare e kundërshton.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar fjalën e kreut të shtetit në parlament.

Erdogan u shpreh se Turqia dëshiron të shohë një “qasje të sinqertë” nga dy vendet skandinave ndaj shqetësimeve të saj.

Ai shtoi se Ankaraja nuk do të ndryshojë këndvështrimin e saj nëse nuk sheh hapa konkretë dhe të detyrueshëm.

Presidenti turk theksoi gjithashtu se kundërshtimet e Turqisë ndaj kërkesave të Stokholm-it dhe Helsink-it për anëtarësim nuk ishin “oportunizëm”, por më tepër një çështje e sigurisë kombëtare.

Turqia ka publikuar një listë të kërkesave të saj për të rënë dakord për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Të 30 vendet e NATO-s duhet të japin pëlqimin e tyre përpara se të pranohet një anëtar i ri, duke përfituar kështu nga garancia e sigurisë kolektive.

Lini një Përgjigje