Ushtria amerikane ka nisur transferimin e të burgosurve të grupit Shteti Islamik (ISIS) nga Siria verilindore drejt objekteve të sigurta në Irak. Lajmin e bëri të ditur Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
Transferimi i parë përfshiu 150 anëtarë të ISIS-it, të marrë nga një qendër paraburgimi në provincën Hasakeh të Sirisë dhe dërguar në “vende të sigurta” në Irak.
Sipas ushtrisë amerikane, deri në 7 mijë të burgosur të ISIS-it mund të transferohen përfundimisht në objektet që do jetë nën kontrollin irakian.
Admiral Brad Cooper, komandanti i CENTCOM-it, tha se “lehtësimi i transferimit të rregullt dhe të sigurt të të burgosurve të ISIS-it është kritik për të parandaluar një arratisje që do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në dhe sigurinë rajonale”.
Ky veprim vjen pas marrjes së kontrollit nga forcat qeveritare siriane mbi kampin e madh Al-Hol (ku mbahen mijëra gra dhe fëmijë, kryesisht familjarë të luftëtarëve të ISIS-it) dhe burgje të tjera nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) me udhëheqje kurde, të cilat u tërhoqën si pjesë e një armëpushimi të ri katërditor midis qeverisë siriane dhe SDF-së.
Të hënën, trupat qeveritare morën kontrollin e një burgu në qytetin Shaddadeh, ku disa të burgosur të ISIS-it arratisën, por shumica u rikthyen nga forcat siriane.
SDF ende kontrollon më shumë se një duzinë qendrash paraburgimi me rreth 9,000 anëtarë të ISIS-it, por sipas procesit paqësor, ato pritet t’i dorëzojnë qeverisë siriane, ndërsa SDF-ja gradualisht integrohet me forcat qeveritare.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin e përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa, admirali Cooper i kërkoi forcave siriane të respektojnë armëpushimin dhe të shmangin çdo veprim që mund të pengojë transferimin e të burgosurve.
Ushtria irakiane konfirmoi mbërritjen e grupit të parë dhe tha se të tjerët do të vijnë gradualisht “me qëllim frenimin e kërcënimit nga këta individë, të konsideruar liderë të nivelit të parë në organizata terroriste”.
Një gjeneral i inteligjencës irakiane tha për Associated Press se të burgosurit e transferuar kanë nacionalitete të ndryshme, përfshirë rreth 240 tunizianë, si dhe nga Taxhikistani, Kazakistani dhe disa sirianë.
“Të gjithë janë komandantë në ISIS dhe konsiderohen shumë të rrezikshëm”, tha ai. Në vitet e mëparshme, Iraku ka marrë 3,194 të burgosur irakianë dhe 47 francezë. Të enjten, Iraku njoftoi se do të nisë procedurat ligjore kundër të burgosurve të ardhur.Ministria e Jashtme siriane e mirëpriti transferimin si “një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit”:
Në kampin Al-Hol, ku ende jetojnë rreth 24 mijë njerëz (përfshirë 14,500 sirianë, 3,000 irakianë dhe 6,500 të tjerë nga vende të ndryshme, shumë prej tyre mbështetës besnikë të ISIS-it në një seksion të siguruar fort), banorët raportojnë kaos: mungesë klinikash, uji të rrjedhshëm, bukë dhe perime pas largimit të luftëtarëve të SDF-së.
Ky transferim tregon tranzicionin e sigurisë në Siri verilindore, ku roli i SDF-së si forcë kryesore kundër ISIS-it po zbehet, ndërsa Damasku merr përgjegjësinë, me SHBA-në që lehtëson kalimin për të parandaluar ringjalljen e ISIS-it. Grupi u mund në Irak në 2017 dhe në Siri në 2019, por qelizat e fjetura ende kryejnë sulme vdekjeprurëse.
Lini një Përgjigje