Zemërimi iranian ndaj korrupsionit vlon pas shembjes fatale të ndërtesës

31 Maj 2022, 22:10Bota TEMA

Zemërimi iranian ndaj korrupsionit vlon pas shembjes fatale të

Kur kompleksi 10-katësh Metropol Twin Towers u shemb në qytetin iranian të Abadan, mes 32 viktimave ishte dhe ndërtuesi i pronave Hossein Abdol-Baghi.

Sipas provave dhe analizës së ADN-së, ai ndodhej në ndërtesë, madje para shembjes u fotografua aty.

Pavarësisht kësaj, gjatë javës së kaluar, familja e tij ka dalë në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit.

Duke qenë thellësisht të dyshimtë për narrativën zyrtare, ata thonë se mbështetësit e tij me ndikim e ndihmuan atë të largohej nga vendi dhe t’i shpëtonte zemërimit të tyre.

“Është më se e qartë që ai nuk ka vdekur. Nëse fytyra dhe trupi i tij ishin aq të copëtuara, sa u desh të bëhej një test ADN-je, pse kartat e tij të identifikimit që kishte në xhep ishin të padëmtuara?!” tha Reza, një 28-vjeçar i papunë në Abadan.

“Pse u lejua Abdol-Baghi të ndërtonte një ndërtesë të tillë pa standarde?”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se ishte për shkak të lidhjeve të tij me zyrtarë të nivelit të lartë.

Pikëpamja se Abdol-Baghi duhet të ketë shpëtuar flet për nivelin e zemërimit ndaj korrupsionit në Republikën Islamike, ku njerëzit tashmë po luftojnë me rritjen e çmimeve dhe një ekonomi të goditur.

Me inflacionin në gati 40 për qind, bisedimet me fuqitë perëndimore mbi një marrëveshje për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve të SHBA-së gjithashtu kanë ngecur.

Provinca e Khuzestanit, e vendosur në rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit të Iranit, ishte qendra e protestave kundër regjimit në vitin 2019.

Demonstratat kundër rritjes së kostos së karburantit përfunduan me dhunë, me më shumë se 300 njerëz të vdekur në të gjithë vendin.

Banorët vendas thonë se jo vetëm pjesa e tyre në pasurinë natyrore të provincës së pasur me naftë ka qenë e pakët, por edhe se nga projektet e reja të zhvillimit kanë përfituar të korruptuarit.

“Diskriminimi dhe korrupsioni i zyrtarëve shqetëson më së shumti njerëzit në Khuzestan. Ne ecim me naftë, por shtëpitë tona janë ende të bëra me baltë dhe tulla”, tha Hosna, e cila u largua nga vendlindja e saj Abadan për në Teheran.

“Incidente të tilla janë një pretekst që njerëzit të dalin në rrugë dhe të heqin qafe zemërimin e tyre të ndrydhur”.

Udhëheqësit iranianë kanë pranuar se korrupsioni është një problem i rëndësishëm dhe kanë premtuar se do të merren me të. Ata fajësojnë individë të pandershëm dhe thonë se nuk është problem institucional. Analistët thonë se është shfaqur një brez biznesmenësh të rinj, besnikë ndaj regjimit.

“Në çdo qytet, ka disa ‘Hossein Abdol-Baghis’”, shkroi Mostafa Tajzadeh, politikan reformist në Teheran.

Reagimi i vonuar i autoriteteve ndaj tragjedisë ka zemëruar gjithashtu protestuesit. Ngushëllimet zyrtare u dhanë disa ditë, pasi ndërtesa u shemb. Qeveria e Ebrahim Raisit e quajti të dielën ditë zie kombëtare.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka qenë objektivi kryesor i sloganeve në Abadan.

Protestuesit kanë përdorur gjithashtu një himn të ri revolucionar, “Përshëndetje Komandant”, i cili është promovuar gjerësisht në rrjetet sociale, për të sinjalizuar mosmiratimin e tyre.

Shumë postojnë video të fatkeqësisë në rrjetet sociale, duke thënë “Përshëndetje komandant, shiko këtë”.

Zemërimi “i ka rrënjët në varfërinë ekstreme në këtë provincë shumë të pasur”, tha Ahmad, 32 vjeç, i cili ka emigruar në Teheran nga Khuzestani për të kërkuar punë në sektorin e mikpritjes.

“Edhe për kompanitë e naftës, rekrutohen jo vendas. Kudo që të shkosh, sheh shumë të rinj që qëndrojnë në rrugë të papunë, duke biseduar dhe duke pirë duhan”.

Nuk ka ende raporte për viktima gjatë protestave.

Autoritetet kanë thënë se do të marrin masa kundër përgjegjësve të tragjedisë. Disa zyrtarë, përfshirë kryetarin e bashkisë, u arrestuan me dyshimin se nuk e kishin mbikëqyrur siç duhet projektin e ndërtesës.

Por Reza dyshon se protestat do të sjellin ndryshim.

“Njerëzit do të protestojnë pak më shumë dhe së shpejti ata duhet të kthehen në shtëpi dhe të vazhdojnë jetën e tyre të mjerueshme, ndërsa Abdol-Baghi shijon jetën e tij luksoze në Dubai”, tha ai.

Lini një Përgjigje