Zgjedhjet në SHBA, Gjykata Supreme favorizon Demokratët në Kaliforni

5 Shkurt 2026, 07:30Bota TEMA

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka marrë një vendim të rëndësishëm këtë të mërkurë, duke i dhënë dritën jeshile Kalifornisë për të përdorur hartën e re të zonave kongresive. Ky vendim shihet si një fitore e madhe për Demokratët në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Trupa gjykuese hodhi poshtë kërkesën urgjente të Partisë Republikane dhe administratës Trump për të bllokuar këtë hartë. Urdhri u dha pa shpjegime të detajuara dhe pa asnjë votë kundër të deklaruar, një procedurë standarde kjo për rastet e emergjencës.

Lufta e hartave, Teksasi vs. Kalifornisë

Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen në një kontekst të nxehtë politik. Harta e re e Kalifornisë, e miratuar nga votuesit, është dizajnuar për t’u dhënë demokratëve një avantazh strategjik, duke rrezikuar deri në pesë vende që aktualisht mbahen nga republikanët.

Kjo lëvizje erdhi si kundërpërgjigje ndaj një manovre të ngjashme në Teksas. Vitin e kaluar, me nxitjen e Presidentit Trump, republikanët e Teksasit ndryshuan kufijtë e zonave zgjedhore për të fituar pesë vende shtesë. Gjyqtari konservator Samuel Alito kishte vërejtur më herët se të dyja shtetet duket se kanë vepruar për përfitime politike, një praktikë që Gjykata Supreme ka vendosur më parë se nuk mund të jetë objekt i padive federale.

Newsom kundër Trump, prova e 2028-ës?

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili përflitet gjerësisht si kandidat për president në vitin 2028, e ktheu këtë betejë ligjore në një përballje personale me Donald Trump.

“Trump e nisi këtë luftë për rindarjen e zonave zgjedhore dhe do të përfundojë duke humbur në zgjedhjet e nëntorit,” shkroi Newsom në rrjetet sociale, duke festuar vendimin.

Nga ana tjetër, kampi republikan ka pranuar goditjen. Jon Fleishman, ish-drejtues i Partisë Republikane në Kaliforni, paralajmëroi se me këto rregulla të reja, delegacioni republikan nga Kalifornia do të tkurret ndjeshëm. Regjistrimi për zgjedhjet paraprake të Kongresit në Kaliforni fillon të hënën e ardhshme, tashmë me rregullat e reja në fuqi.

1 Komente

  1. ?
    ???? Xhelua , autokton 1400 vjeçar në Zall-Bastar

    Kur vendos gjykata me e larte eshte normale .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje