Zyrtari i lartë i Hamasit falenderon presidentin amerikan

10 Tetor 2025, 19:02Bota TEMA
Zyrtari i lartë i Hamasit falenderon presidentin amerikan

Zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim, e ka falënderuar Donald Trump për rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjes së paqes me Izraelin në Gaza.

Në një intervistë me “Sky News”, Naim tha se armëpushimi në Gaza “nuk do të kishte ndodhur pa përfshirjen personale të Presidentit Trump”.

Ai shpjegoi se presidenti amerikan i kishte bërë presion Benjamin Netanyahut për t’i dhënë fund luftimeve dhe shpresonte që Trump do të vazhdonte të ushtronte presion mbi Izraelin për ta zbatuar plotësisht marrëveshjen.

“Pa ndërhyrjen personale të Presidentit Trump, nuk besoj se do të ishte arritur fundi i luftës”, tha Naim. “E falënderojmë për përpjekjet e tij personale dhe për presionin që ushtroi mbi Netanyahun për të ndaluar këtë masakër”, shtoi ai.

Zyrtari i Hamasit vuri në dukje gjithashtu se grupi do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga administrimi i Gazës së pasluftës, nëse formohet një organ qeverisës palestinez më i gjerë. Megjithatë, ai e bëri të qartë se Hamasi do të mbetet “i pranishëm në terren”.

Duke iu referuar deklaratave të Netanyahut pas marrëveshjes, Naim theksoi se kryeministri izraelit “vazhdon të kërcënojë me një kthim në luftë” nëse nuk përmbushen kushte specifike.

“Për këtë arsye”, shtoi ai, “angazhimi personal i Presidentit Trump mbetet thelbësor në mënyrë që Izraeli të përmbushë angazhimet e tij , si sipas marrëveshjes ashtu edhe sipas ligjit ndërkombëtar si një fuqi pushtuese”.

Naim paralajmëroi gjithashtu se ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Blair, nuk do të ishte i mirëpritur në asnjë rol të ardhshëm menaxhues për Gazën pas luftës.

Lini një Përgjigje