Abdi Baleta, politikani i fundit i llogores në politikën shqiptare

20 Shtator 2025, 02:33Dossier Mero Baze

Abdi Baleta, politikani i fundit i llogores në politikën shqiptare

Abdi Baleta është nga të paktët politikanë shqiptarë që zgjodhi të ishte një luftëtar fanatik, jo në kërkim të pushtetit, por në kërkim të një llogoreje që e identifikoi me të. Ai ka ndërruar gjithçka në jetë: bindjet politike, profesionin, partitë, por kurrë nuk ka ndërruar vendimin që ai duhet të ishte përditë në luftë me dikë. Ky, me sa duket, ishte misioni i jetës së tij.

Një jurist i shkollës komuniste, që përfundoi diplomat luftarak në OKB në Nju Jork kundër imperializmit. Në fund të viteve ’80 u rikthye në profesionin e tij si gjyqtar në Pogradec, për shkak të humbjes së mbështetjes politike nga regjimi në fund të mbijetesës së tij.

Ai u bë nga mbështetësit e parë të flaktë të PD-së qysh ditët e para të themelimit të saj dhe një nga zërat më të artikuluar dhe autoritarë të saj në tribunat e para të mitingjeve. E kam parë nga afër te mitingu i themelimit të PD në Burrel në janar të vitit 1991, se si i ngriti peshë sheshin sapo iu përmend emri, edhe për shkak të origjinës së tij.

Por shqiptarët krijuan një admirim të thellë për të kur, bashkë me Neritan Cekën, më 22 shkurt të vitit 1991, u futën si kokëkrisur mes ushtarakëve enveristë të Shkollës së Bashkuar që kërkonin të rivendosnin bustin e Enver Hoxhës dhe kishin shpallur një të ashtuquajtur grusht shteti. Të dy, gati të papërgjegjshëm për rrezikun që u kanosej, hynë mes ushtarakëve në Shkollën e Bashkuar, të rrethuar nga ushtarë të xhindosur, dhe i gjunjëzuan ata vetëm me fjalë, duke e fituar atë betejë të rrezikshme për historinë e Shqipërisë pa hedhur asnjë pushkë.

Nuk e di pse PD e çoi kandidat për deputet në Berat në zgjedhjet e 31 marsit 1991, ku u desh të fitonte me balotazh, por edhe atë e mori si betejë dhe pak si komplot. E fitoi, për ironi të fatit, falë dhe ndihmës së Nea Demokratia, parti e Kostandin Micotakis, që dha për PD në raundin e dytë duke çuar ndihma në Berat. Natyrisht kjo nuk kishte lidhje me Baletën, por me PD. Kjo nuk e pengoi Baletën që, sapo të shkelte në parlament, të identifikohej si një deputet nacionalist, kryesisht antigrek, me një retorikë ku gërshetoheshin fakte historike, paranoja nacionaliste dhe një oratori e rrallë politike, gërshetuar me një stil publicistik patetik.

Në parlamentin e parë të vitit 1991, ishte iniciator i deklaratës së parë në emër të Kuvendit të Shqipërisë që mbështeste Lëvizjen Demokratike në Kosovë dhe Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 që shpallte Kosovën Republikë, duke bindur edhe Xhelil Gjonin të ishte bashkëmbështetës i saj në emër të Partisë së Punës.

Herë pas here kishte ide brilante në debatet politike në Kuvend, sidomos me deputetët e OMONIA-s dhe më pas PBDNJ-së. Ishte kundërshtari i parë i idesë së një partie me origjinë etnike, siç donte të shndërrohej OMONIA, dhe këmbënguli që PBDNJ formalisht të mos konsiderohej parti e një minoriteti etnik, por një parti e të drejtave të njeriut. Debatet e tij në Kuvend me deputetin e asaj kohe, Kosta Makariadhis, apo Panajot Barken ishin shumë popullore por edhe të kulturuara.

Antigreqizmi i tij dukej sa popullor aq edhe përçarës për Shqipërinë tonë, e cila po vraponte e gjitha drejt Greqisë për të mbajtur shpirtin gjallë. Por kjo nuk e ndalte.

Me të njëjtin zell filloi betejën kundër atyre që i quante “klane greke” në PD, në shtypin e saj e kudo. Proverbiale ishte polemika e tij me Filip Çakulin, në atë kohë zëvendëskryeredaktor i PD.

Pasi kishte akuzuar Napoleon Rroshin (kryeredaktorin e RD) si agjent grek, Mitro Çelën si ortodoks pro-grek, i tha dhe Filipit që: edhe ti je agjent grek.

— Unë agjent grek? – i tha Filipi.

— Po – i tha Baleta.

— Unë jam grek – i tha Filipi – nuk jam agjent grek. Mund të jem agjent shqiptar po m’u mbush mendja.

Pastaj beteja e tij u fokusua te i ashtuquajturi grup mocionist që më pas formuan Aleancën Demokratike. Ata i klasifikoi si agjentë grekë qysh në formim dhe nuk ua ndau më këtë etiketim sa ishte gjallë.

Por në fakt, shumica nuk ia merrnin për ters, përveç PD-së që po i kthehej në barrë nacionalizmi i tij i fokusuar vetëm kundër Greqisë. Dhe pak nga pak po izolohej prej saj, bashkë me Petrit Kalakulën.

Në prill të vitit 1994, ndërsa ndodhi incidenti i famshëm i Peshkëpisë, ku ishte protagonist dhe Fredi Beleri, që përfundoi me vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë, Baleta mbajti një fjalim të ashpër antigrek në Kuvend, ku bënte përgjegjëse dhe lobet greke të politikës shqiptare.

Si gazetar i ri, shkova e takova në Kuvend dhe i kërkova fjalimin ta botoja në gazetën Rilindja të Kosovës, e cila kishte prirjen të botonte fjalime nacionaliste.

Për një moment u hutua pak, duke llogaritur që kisha lidhje me pushtetin e PD.

— Kush të dërgoi? – më tha.

— Askush – i thashë. Më pëlqeu fjalimi dhe thashë ta botoj.

— Nuk është aq e thjeshtë – më tha.

— Si të duash – i thashë. Mos ma jep.

Kaq ju desh të bindet dhe ma zgjati fjalimin.

U bashkua me Kalakulën pastaj për t’u ndarë nga PD, si një fraksion konservator që mbronin interesat e pronarëve dhe përfaqësonin të djathtën radikale.

Me shpejtësinë që u nda nga PD, u nda dhe nga Kalakula pas një viti duke vazhduar deri në fund të jetës të luftonte i vetëm për idetë e tij.

Themeloi një gazetë të vetën Rimëkëmbjen Kombëtare, që nuk kishte lidhje me gazetarinë moderne, por me gazetat e vjetra të viteve ’30 ku shkruheshin vetëm pamflete politike. I shkruante të gjitha thuajse vetë nga faqja e parë deri tek faqja e tetë. Nuk di si gjente lekët për të shtypur, por filloi të botonte shkrime në gazetat e Kosovës dhe me lekët e tyre shtypte gazetën e tij. Vetë gazeta ishte një ilustrim i identitetit të tij politik.

Njëherë u gëzova se pashë që kishte botuar një shkrim në faqen e parë me një titull që pak a shumë thoshte “Mira ja bëre Mero”. E mora ta lexoj dhe më përgëzonte që isha tallur me një ambasador të OSBE në Tiranë për çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Shkrimi fillonte në faqen 1 dhe mbaronte në faqen 2. Në faqen 3 ishte një shkrim tjetër i tmerrshëm kundër meje si “agjent grek”, pasi kishte interpretuar një koment timin krejt pa lidhje si pro-greqizëm. Më kapi gazi dhe kur e takova e pyeta si ja bënte që në një gazetë kishte dy shkrime për mua: një që më lavdëronte dhe një që më shante.

— Po normal – tha. Kur punon mirë të lavdëroj, kur bën punë të grekut të shaj.

Kishte një aftësi që të mos të të zemëronte kurrë me atë që bënte kundër teje, pasi në fakt e bënte nga llogorja e tij, e cila nuk kërkonte më pushtet por rrënjosjen e një fanatizmi politik fetar që e rëndonte.

Aty nga fundi i vitit 1998, një koleg i imi gazetar më kërkoi ndihmë ta takonte. Ishte e vështirë të flisje me të në telefon, dhe i shkova në shtëpi.
 
E kam ende para syve skenën e shtëpisë së tij. Një apartament modest tek rruga pas Hotel Mondial. Gruaja e tij, një zonjë e vërtetë, më ftoi të hyj brenda dhe më tha se Abdiu është në dhomë të gjumit ende. Mendova që flinte dhe hezitova të hyj.
 
— Futu – më tha – se po përpunon gazetat. Dhe në fakt, ashtu e gjeta. Priste copa artikujsh dhe i arkivonte në dosje fizike.
 
— Çfarë po bën? – i thashë.
 
— Ja, këtu je – më tha – në dosje, dhe më tregoi se ku ruante disa artikuj të mi që duheshin sharë.
 
I thashë se do të takojë Miranda Vickers, një veprimtare e majtë angleze që shkruante rreth çështjes shqiptare, kryesisht rreth Kosovës.
 
— Është agjente greke – më tha.
 
— S’ka problem – i thashë. Prite si agjente greke. Ke dhe mundësi t’ia shpjegosh.
 
— Mirë, le të vijë – tha. Dhe ajo shkoi bashkë me kolegun tim që e shoqëronte.
 
Pas një dite fola me të në telefon dhe i thashë: Si kaloi biseda me agjenten greke?
 
— E pranoi – tha. U dorëzua.
 
— Po çfarë i the?
 
— Donte të më tregonte se e donte shumë Shqipërinë dhe Kosovën – tha – dhe se ishte e zemëruar që unë e quaja agjente greke. Atëherë i dhashë fakte: I thashë a ke shkuar nga Londra në Athinë në vitet ’68-’70?
 
— Po – më tha. Atëherë isha komuniste dhe shkova në Greqi se aty kishte disa fraksione komuniste.
 
— E shikon që je agjente greke – i thashë. Po të doje parti komuniste vije tek ne, se ne kishim Partinë Komuniste më të fortë në botë. Ti ke vajtur në Greqi se ta donte shpirtin Greqinë.
 
— U bllokua – tha.
 
Më kapi e qeshura nga argumenti. Por e marrë me mend hutimin që mund të ketë pasur zonja Vickers nga ky shpjegim i pangjashëm.
 
Ndërsa punonte rregullisht duke botuar thuajse përditë komente te Bota Sot, një gazetë e Kosovës në diasporën e Zvicrës e Gjermanisë, filloi të forconte qëndrimet e veta antigreke duke i lidhur dhe me ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri dhe qeveritë e majta në Tiranë.

Po formonte dhe dishepujt e tij. Hysmedin Ferra ishte një prej tyre, i cili në atë kohë kishte një version të vetin për vendin e Skënderbeut në historinë e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si pjesë e një aleance të gabuar antishqiptare kundër Turqisë. Por edhe një dishepull të ri që nuk e kisha dëgjuar: quhej Kastriot Myftari. Ky shkruante gjëra dhe më të rënda për “revolucionin evgjito-komunist” të vitit 1997, që ishte një shpikje e jugut sipas tij.

Ndërsa isha në SHBA në nëntor të vitit 2000, dy drejtues të Vatrës së atëhershme më morën për një kafe miqësore për të sqaruar diçka.

— Ti punon për Bota Sot, më thanë.

— Jo, u thashë. Ata botojnë shkrimet e mia që botoj te gazeta ime në Tiranë. Unë nuk e lexoj dot fizikisht gazetën Bota Sot, i thashë, se nuk del në Tiranë.

— Vjen këtu në SHBA, më thanë, dhe jemi shumë të shqetësuar. Nuk duhet ndarë Shqipëria në Jug dhe Veri. Thuaju atyre djemve që e botojnë se, pavarësisht se ky Kastriot Myftari mund të jetë nga Tropoja, nuk mund të bëjë thirrje të shkulen varret e shqiptarëve jugorë dhe të hidhen në det.

— Nuk e kam lexuar, u thashë, por ky nuk është nga Tropoja, është nga Korça.

Ata panë njëri-tjetrin në sy.

— Si ka mundësi, po ai flet me urrejtje për Jugun?

— Po kjo është arsyeja të mos shqetësoheni seriozisht, u thashë. Por do ta sqaroj.

Kur u ktheva në Tiranë, mësova se ishte një idhtar i ri i Baletës. Nuk kaluan disa muaj dhe u bë armik i madh i tij. Madje filluan të botonin dhe libra kundër njëri-tjetrit. Tanimë Myftari ishte bërë anti-Baleta, anti-mysliman dhe pro-kristianëve të jugut.

Baleta ia kishte dalë të prodhonte edhe një armik të ri me duart e veta.
Pas zgjedhjeve të vitit 2003, kur Rama mori mandatin e dytë për Tiranën, kisha bërë një shkrim që përsëritet sa herë PD humbet zgjedhjet prej atëherë. Teza kryesore ishte që PD duhet të bashkohet në një front opozitar dhe kisha caktuar për të zezën time dhe skajet. Skajet ishin, sipas meje, nga Preç Zogaj si demokrat liberal tek Abdi Baleta si demokrat radikal. Kaq duhej dhe kishte shpërthyer përsëri. Një shkrim tipik, emblematik kundër meje, u mbajt mend gjatë me titullin: “PD e mbetur kërkon të mbledhë mbeturinat e saj.” Dhe natyrisht tallej me idenë time që Berisha duhej të mblidhte ata që kishte dëbuar. Një debat që, falë faktit që Sali Berisha nuk ka vdekur akoma, është ende i gjallë si debat.

Pastaj duket se u lodh dhe me kalimin e viteve as atë gazetën nuk e shtypte më. U izolua në shtëpi, iu përkushtua më shumë islamit politik, dhe komenteve me karakter fetar.

Nuk u bë më pjesë e debateve politike sidomos pas vitit 2005 kur Berisha u rikthye në pushtet falë filozofisë së atij artikullit të famshëm që Baleta ma talli aq shumë, "duke mbledhur mbeturinat e PD".

Vajza e tij, Teuta, u bë pjesë e KOP, një fotokopje e babait të saj sa i përket konseguencës dhe karakterit luftarak, por profesioniste e mirë e Bankës Qendrore.

Me siguri që kjo gjë nuk e ka gëzuar, por nuk u bë më pjesë e debateve politike.
Disa vite më vonë e takova, ndoshta për herë të fundit, në Golem duke shëtitur me gruan e tij dhe u ngrita t’i jepja dorën. Hezitoi një moment, pastaj ma zgjati.

— Përpiqesh të injorosh kritikat, më tha, po nuk ma hedh dot.
U ndava duke buzëqeshur. Nuk e di pse është i vetmi njeri që nuk më bënte kurrë nervoz kur më sulmonte. Stili i tij luftarak, konsekuenca gati donkishoteske për të mbrojtur idetë e veta shpeshherë jashtë kohe, amnistoheshin gjithnjë nga ideja që ai nuk e bënte atë për pushtet, por për bindjet e tij. Dukej si një njeri i zemëruar me gjithë botën, dhe izolimi i tij nga shoqëria ia hoqi Shqipërisë nga skena shumë para kohe një politikan të ditur, një diplomat të aftë dhe një polemist të shkëlqyer që armikun më të madh pas daljes nga politika pati idetë dhe konsekuencën e tij.

Me ikjen e tij, ikën në fakt një fenomen i papërsëritshëm i tranzicionit shqiptar, një politikan i cili ndërroi bindjet nga komunist në demokrat dhe pastaj në nacionalist dhe perkrahes i islamit politik, për të mos ndryshuar kurrë karakterin e tij. Dhe s’gjeti askund qetësi.

 

14 Komente

  1. P
    Pinguini

    Shembulli tipik i lidhjes komumisto islamike..ja ku i gjente leket Mero.

    Përgjigjjuni
    1. E
      Edo

      Kur vdes njeriu thuhet ngushellime familjes ne rradhe te pare.Por ky BALTLETA ka qene nga ata qe i venerdì zjarrin vendita qe ne 90 me Saliun U dhjefte aty ku prehet

      Përgjigjjuni
      1. n
        nje qytetar

        Baleta atij Cakulit ja ka gjetur me kohe - Agjent grek e korofillak i qelbur madje!. Abdi Baleta ne nje studio TV perballe Kurt Koles. Kurti ne nje linje me politiken e PS sulmon Abdiun se kishte qene dikur perfaqesues i Diktatures ne OKB, e Abdiu i thote " O Kurt, mua ajo Diktature me dergoi ne Amerike e pastaj ne Pogradec e megjithate une jam kunder saj, po ty mor i shkrete ajo Diktature te mori erzin e rinine neper burgje e ti vazhdon i shko bisht nga pas e u sherben neper studio atyre qe te persekutuan.." ! Abdi Baleta nuk i prishi pune askujt me nacionalizmin e tij. Jane keta te sotmit ne pushtet qe me servilizmin ekstrem ndaj te huajve po shkretojne Shqiperine sa nga ekonomia sa nga popullsia.

        Përgjigjjuni
        1. N
          Nesër avazi

          Po ligjin 7501 e di nga e kemi peshqesh? Nga ky nacionalisti jot dhe ish kryetari i tij Sali Berisha. Vetëm kaq mjafton pët të keqen që i ka bërë vendit ky i vetquajtui nacionalist.

          Përgjigjjuni
        2. R
          Rip

          Ishte islamik fondamentalist prandaj e deshi njefere kohe edhe Berisha. Bota sot eshte me e mire me nje islamik me pak

          Përgjigjjuni
          1. V
            Vlonjati me yll te kuq

            Burre shum i lig,mashkull ku..... thone nga anet tona,dipllomat servil ne kohen e Enverit,deputet servi i PD ne kohen e saliut,pastaj e zbythen,nga politika,e ngeli si lypsar rrugeve. Kisha kohe pa e degjuar emrin dhe mbiemrin e tij,e te them te drejten mendoja se kishte hikur nga kjo bot.,dhe kurre nuk me ka interesuar. Sot mund te them nje servil me pak,as e urrej e as e mallkoj,e as me ka shar e fyer,nuk e njoh personalisht

            Përgjigjjuni
            1. Z
              Zani Burimi

              Abdi Baleta nuk ka pasur shok ne Shqiperi,ishte shok me Osmanin dhe Rakip Laskun nga Guri i Bardhe (qe u ndritte shpirti), i priste ne shtepi si komshinj dhe diskutonte me ore te tera, por nuk prishej me ta. Po, me Myftarajn u prish dhe shkroi nje liber per ate "plangprishes", se nuk i duronte ata njerez qeshkonin nga i conte era. Abdi Baleta njihej si erudit dhe polemist i zoti, por Sala nuk e deshi kurre. Mero, nuk ke bere mire qe ke shkruar ne fund: "Bota sot eshte me e mire me nje islamik me pak."

              Përgjigjjuni
              1. P
                Permetari

                Donkishot , dordolec , perfaqesues i konfuzitetit qe ka populli yne qe nga 500 vite otomanizem 50 vite komunizem dhe 35 sallate ruse e dy te parave me demokraci oksidentale . Ps gruan e ka pas zonje ish mesuesja ime

                Përgjigjjuni
                1. S
                  Shqiptar i nevrikosur

                  I vdekuri lihet rehat te prehet ne paqe keshtu i merr me vehte gjithe mekatet qe ka bere kur ishte i gjalle. Vetem nje gje mund te thuhet Komunistet me te keqij ishin ata qe pas 90 u kthyen ne demokrate. Ose kane qene budallenj(pak mundesi) ose mashtruse oportuniste

                  Përgjigjjuni
                  1. s
                    shtetas shqiptar

                    Jarget e nostalgjikeve enveriste nuk munden dot ta prekin Abdi Baleten, eshte shume lart.

                    Përgjigjjuni
                    1. S
                      Sufllaqja me qepe

                      Tregues i konfuzionit te shume shqiptareve te shkaktuar nga tranzicioni i mundimshem dhe pa-liri. Prej shkrimit te Meros fitoi disa pike ne vletesimin qe kam per te. Ps. Sado rrymat e tjera politike ta luftojne, nacionalizmi mbetet fuqi e madhe politiko-filozofike

                      Përgjigjjuni
                      1. S
                        SHQIPTARI.

                        Ju që flisni për komunizmin si doktrin përsa shkaravisni në përfaqësimin e mendimeve tuaja tregoni që jeni INJORANTË FUKSIONALË TË LINDUR E TË KULTIVUAR NGA SHËRBIME TË ZBULIMIT . I ndieri nga një fshat i humbur që unë në 1966 -68 kam punuar për elektrifikimin u .orrë u shkollua dhe ngjiti shkallët e karierës për besnikërin që tregonte ndajP.P.SH.AI PËRCOLLI PËR DISA VITE POL E SHQIPËRIS SË E.HOXHËS NË zëmmr të Amerikës.Pop. thotë rrite e të të hajë kokën.

                        Përgjigjjuni
                        1. V
                          VAZHGUESI REAL

                          Qofte i parajses , por burre me dallkauk dhe zemer katran , nuk e ben me nena . Ky ishte ne miniature nje diktator i vetekenaqur pa nje bosht orientimi pa tolerance dhe gjithmone mbeshtetej tek uni i tij i semure dhe nje donkishot dredharak pa pike morali qe luftonte me mullinjte e eres qe kishin ndertuar te partive e ndryshme politike politike ne shqiperi . Asnjehere se kuptova si politikan. Por si thote nje filozof kine Liu Ping " Sado me kuptim ta kesh kaluar jeten , si mbret si president , lypes etjer , etjer , mos harro o njeri , se cdo gje shkon drejt fundit "

                          Përgjigjjuni
                          1. L
                            Lindi

                            I përkiste komunizmit po donte të mbahej dhe né demokraci. Sulmonte ata që ishin kundér méndjes së tij pastaj bëhej aleatë me të. Rrëmujaxhi që nuk gjente dot ekuilibrin, nuk ishte në kohën e vet. Ka plot të tillë edhe sot, njerëz me mendje qesharake. Don Kishita që duan té duken.

                            Përgjigjjuni

                            Lini një Përgjigje