Dëshmia e ish – “agjentit grek”, që vuajti 17 vjet burg: Isa Abazi më arrestoi në Korçë, kurse në Tiranë, hetuesi Iljaz Haxhiaj më torturonte, më fikte cigaret e ndezura në trup dhe…

6 Shtator 2024, 17:26Dossier TEMA
Dëshmia e ish – “agjentit grek”, që vuajti 17 vjet

Skënder Shaholli e la vajzën vetëm katërmuajshe, kur u fut në burg, për një akuzë që nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë dhe e gjeti atë 17 vjeç, kur u lirua nga burgu. Duke qenë i ri dhe i fuqishëm, e zhvendosën disa herë, gjatë 17 viteve, nga një kamp pune në tjetrin, për ta shfrytëzuar në punët më të vështira, ku të burgosurve thuajse u dilte shpirti. Por shpëtim nuk kishin. Nëse nuk bënin planin, i prisnin hekurat. Në këtë shkrim i cili është pjesë e arkivës së familjes Doko, po publikojmë rrëfimin e ish-të dënuarit politik me origjinë nga rrethi i Korçës, që humbi fëmijërinë e së bijës dhe rininë e tij në burgje.

Zoti Skënder, a mund të na tregoni diçka për veten dhe për familjen tuaj?

Quhem Skënder Shaholli dhe unë kam lindur në vitin 1934. Familja ime nga fshatrat e Korçës, ka qenë një familje e mesme fshatare. Babanë e kisha në Amerikë, kam lindur dy muaj, pas ikjes së tij.

Si i kujtoni rrethanat dhe momentin e arrestimit tuaj?

Unë nënën e kam nga fshati Braçaj. Atje u arrestuan 15-16 burra, mes tyre kishte edhe disa nga fisi i nënës. Më 7 shtator të 1959-ës, arrestohem nga Sigurimi i Shtetit në Korçë. Kisha shkuar në qytetin e Korçës, sepse përgatisja një vajzë xhaxhai, ta martoja pas dy javësh. Unë atë kisha vëlla, atë kisha motër. Edhe ajo e kishte babanë në Amerikë. Kur zbrisja në Korçë, në një markatë, dolën tre veta, dy nuk i njihja, një e njihja, ishte operativi i zonës, Isa Abazi, quhej. Ata më morën dhe më futën në makinë, në “Gaz”, pa më thënë siç bëhej zakonisht; “në emër të popullit, je i arrestuar”, sepse si duket, kishte shumë njerëz.

Atje më thane; “shtrihu këtu!”. “Nuk kam vjedhur gjë, pse të shtrihem”, u thashë unë. Më çuan në Degën e Punëve të Brendshme në Korçë. Atje gjeta tre oficerë të tjerë, njëri më kujtohet sepse e kam pasur dhe hetues në Tiranë, Ferat Matohiti quhej, ndërsa të tjerët, nuk i kujtoj cilët qenë. Atje më hodhën hekurat, filloi pyetja, një seancë pyetjesh, komplet e pa imagjinuar për mua, sikur unë paskam qenë i lidhur me spiunazhin grek, me diversantët e ardhur nga Greqia: Lutfi Cane, Emin Cane, Samedin Cane, etj.

Ju i njihnit këta persona, për të cilët ju pyesnin?

Unë Lutfiun dhe Eminin i njihja, që para arratisjes, kurse Samediun dhe të tjerë që më akuzuan atje, nuk i njihja dhe vazhdoi kjo punë në Korçë, nja tre-katër muaj. Pas tre-katër muajsh, na morën në auto-burg dhe na çuan në Tiranë. Aty në hetuesinë e Tiranës, kam pasur hetues Iljaz Haxhian, gollobordas, i cili ishte një njeri fare i pashpirt, aq sa më ka djegur me cigare në dy vende, megjithatë nuk pranova gjë. Më mori krye-hetuesi, Ferat Matohiti. Duke zhvilluar hetuesinë me Feratin, por jo duke më bërë torturat që më bënte Iljazi, por me pyetje përgjigje, i shkruante përgjigjet Ferati, jo si Iljazi, që nuk i shkruante, vazhduam 9 apo 10 muaj. Që andej pastaj dolëm në gjyq po në Tiranë, me kryetar gjyqi Mit’hat Goskovën.

Cila ishte akt-akuza?

Akt-akuza ishte që unë; “isha lidhur me diversantët e ardhur nga Greqia dhe kisha kaluar 26 herë në Greqi”. Edhe po të ishe zog, nuk kaloje dot në atë kohë në Greqi, dhe në fund, i doli koka, sikur isha i lidhur me Teme Sejkon dhe me Flotën e Gjashtë Amerikane, etj. Kjo ishte një sajesë shumë e trashë, pasi në atë moshë që kisha unë në atë kohë, pra njëzetetre vjeç, as nuk e dija kujt i thoshin “flotë”.

Patët dëshmitarë?

Pata dëshmitarë të burgosurit. Të tjerë nuk kisha.

Kush ishte prokuror dhe sa dënim kërkoi ai në pretencën e tij?

Prokurori ishte Isamedin Resnja dhe ai kërkoi 15 vjet burg. Ndërsa kryetari i gjyqit, Mit’hat Goskova, kërkoi 20 vjet burg, sepse nuk pranova akt-akuzën. Kështu na i bëri të gjithëve. Prokuroria kërkoi për tre të arrestuar, dënimin me vdekje. Kryetari i gjyqit, i shtoi i bëri pesë me dënim me vdekje. Edhe për katër të tjerë që prokurori kërkoi 20 vjet, kryetari i gjyqit, ua bëri 25, ne të tre që prokurori kërkoi 15 vjet, na i bëri 20.

Ç’ndodhi pasi morën vendimin?

Qëndruam një vit e gjysmë në izolim, në burgun e Vlorës, pa marrë kontakt me të burgosurit e tjerë. Një oborr më vete, një dhomë më vete, ku rrinim shtatë vetë. Pas kësaj periudhe kohe, më morën që atje dhe më çuan në Kampin 307, në Tiranë, ku kemi pasur komandant kampi, kolonel Bajram Kovarfën. Një muaj e gjysmë qëndruam atje, sa mbaruan ato pallatet dhe na çuan në Rubik, në fabrikën e bakrit. Atje punova nja tre vjet dhe që andej na shpunë prapë në Vlorë, nja 35 veta, shumica qemë specialistë, për ta prishur burgun e Vlorës, ta kthenim në zyra.

Ju lëvizën prap nga aty?

Po, pas nja një muaj e gjysmë, më çuan në Kampin 303 në Elbasan, në Fabrikën e Çimentos. Atje punuam sa punuam, nga andej kemi shkuar në Fushë-Krujë, prapë në fabrikë të çimentos, na kthyen prapë në Elbasan, mbaruam fabrikën e Elbasanit. Nga atje, na çuan në Reps të Mirditës, bëmë një fabrikë të pasurimit të bakrit. Pas nja tre vjetësh, nga atje, na çuan në Kriporen e Vlorës, më duket nja dy vjet dhe që andej, më shpunë në Ballsh dhe atje dy a tre vjet, sa u bënë. Atje më erdhi lirimi.

Përpara se të vinte lirimi, më thuaj, nga gjithë këto burgje që ke kaluar, cilin mban mend si më të tmerrshmin?

Atje, duhet të dijë mirë çdo njeri që nuk ka kaluar në këto vende, njeriu zë vetveten dhe nuk mendon më për gjë, vetëm vetveten. Më keq, nga gjithë këto vende, kam parë në Rubik, sepse kishim një komandant kampi, Bajram Korvafa e quanin. Ai ishte njeri që, kishe punë, nuk kishe punë, të mbërthente prej gurmazi. Edhe do të punoje patjetër, se ai na thoshte; “o planin, o xhanin”! Kudo ku kemi qenë, po të mos bëje planin, kishe hekurat. Po unë, shyqyr Zotit, kisha shëndet dhe planin ia bëja.

Po në kapanonet ku flinit, si ishin kushtet?

Krevatet ishin të shtruara me dërrasa, por jo të zdruguara, larg njëra tjetrës, që të binte pluhuri i atij që kishte sipër. Ne u shtronim nga një thes çimentoje, që mos të rrëzohej pluhur te shoku poshtë, nga dy batanije, edhe tri kishte. Kushtet ishin shtazore, flinte njeriu në dërrasa, si kafshë.

Po ushqimi?

Ushqimi ishte shumë i dobët. Jashtëzakonisht i dobët.

Zoti Skënder, gjatë kohës që ishe në burg, çfarë ndodhte me familjen tënde?

Familjen time në fshat, gjynah të qahem, nuk e trazuan. Unë nënën kisha, gruan dhe një fëmijë, që e lashë katër muajsh. Fshati është sjellë mirë me familjen time. Ato që nuk janë bërë, nuk mund t’i themi.

Me se jetonin ato?

Ato nga ekonomia qenë mirë, sepse babai ishte në Amerikë dhe dërgonte vazhdimisht para. Dhe testamenti i babait ishte, që të vinin te nëna ime, 200 dollarë në muaj, kështu që ekonomikisht, nuk ka vuajtur familja ime.

A të kanë ardhur të afërmit, kur ke qenë në burgjet larg?

Vetëm dy vajzat e tezes që rrinin në Plug, që ishin të internuara. Ato më kanë ardhur, të tjerë jo, nuk më kanë sjellë një cigare. Përveç nënës, gruas dhe një gruaje xhaxhai. Ato më kanë ardhur.

A ju kanë treguar se çfarë hiqnin ato për të ardhur, nëpër një rrugë shumë të largët, nga Devolli në Reps?

Nuk më qenë ankuar, por mund të them që; në gjithë këto vite burg që bëra, vetëm një here, në Vlorë, e kam takuar fëmijën, kur ishte 3 vjeçe. Edhe atë herë, ma la një polic që ishte atje dhe pastaj asnjëherë më, unë andej, familja këtej, as me dorë nuk e takoja.

E ke takuar vetëm një herë vajzën, kur ka qenë 3 vjeçe?!

Po, e la ai polici. Ishte me shpirt të mirë, si duket, edhe i tha nëna: “O bir, ta takojë pak çupka?” dhe hapi derën, hyri çupka. Tjetër herë, nuk di t’i kem dhënë dorën, as nënës, as gruas.

Në Ballsh ju erdhi lirimi, sa vjet burg u bënë?

17 vjet, e disa muaj.

Si e kujtoni momentin kur je liruar nga burgu?

Edhe sot çuditem. Atë moment kisha ngrirë. Nuk kisha ndonjë gëzim që po dilja. Duke menduar; “ku do vete”?! “kush më pret”?! Edhe kur erdha në Bilisht, sepse e kisha lajmëruar nënën, më priste vetëm nëna me çupën. Erdha këtu, takova nënën dhe çupën dhe u ngjita në fshat. 17 vjeçe ishte bërë çupa.

Çfarë bëre, pasi dole nga burgu?

Pasi dola nga burgu, në kooperativë kam punuar.

Po vajza çfarë bëri?

Çupa e vazhdoi shkollën e mesme për Agronomi, me 9.8 mbaroi, mirëpo më lart, nuk mund të shkonte, nuk i jepte kush të drejtë studimi për në shkollë të lartë, pasi unë isha i burgosur politik. Dhe kështu çupa u detyrua që të punonte vetëm në kooperativë.

Erdhi fundi i ‘90-ës dhe fillimi i ‘91-shit. Shqipëria po hapej dhe po vinte demokracia. Më thuaj, si e prite?

Unë kam dëgjuar që në vitin 1986 “Zërin e Amerikës”, që thoshte në ‘89-ën, shembet muri i Berlinit dhe në ‘90-ën, merr fund Lufta e Ftohtë, por këtë e dëgjova vetëm unë, as nëna, as gruaja. Ka qenë 27 qershor, nuk e harroj kurrë. E prisja që do të ndodhte.

Si e prite ndryshimin e sistemit?

Unë kur u prish sistemi, kam kaluar në Hungari. Nga Hungaria, në Austri. Qëndrova një vit e gjysmë në Austri dhe nga Austria, më lindi e drejta, pra fitova azilin politik, për të kaluar në Amerikë. Shkova dhe qëndrova një vit e gjysmë atje. Këtu u bë demokracia. Mora gruan dhe çupën e vogël, e madhja mbeti atje, edhe kam ardhur në Bilisht, për ta gëzuar demokracinë, si një njeri i etur për liri.

Tani kë ke në Amerikë?

Tani kam çupën e madhe atje, ajo ka burrin, dy djem dhe një çupë të martuar.

Po ju, me kë jetoni?

Unë pata fatin e keq, që gruaja nuk më jeton më. Kam marrë dhëndër brenda dhe kam një mbeskë dhe një nipkë.

Paske gjithë të mirat, je bërë gjysh…?

Jam bërë dhe stërgjysh.

Ndoshta në atë periudhë, ata që të torturuan, mendonin që do kishe mbaruar punë prej kohësh, por koha e solli që t’i arrite në këtë ditë, të bëhesh gjysh e stërgjysh dhe shpresoj jeton i lumtur.

Zoti ka çudirat e tij. Sa kam vuajtur unë në hetuesi, unë duhet të kisha vdekur, jo një herë, por disa herë. Edhe në ato kushte ku jetoja, ishte shumë e vështirë, mirëpo Zoti më dha shëndet, fuqi, kurajo, që unë dola e po flas me ju.

A ke takuar ndonjë nga ata dëshmitarë që të dolën kundër?

I kam parë, por nuk i kam takuar.

Çfarë ndien për ata?

Ata, të gjitha ato që bënë, i bënë nga e keqja, ata nuk dinin gjë, ishin identik si puna ime, të paktën ata me të cilët jetova, të tjerët që u vranë, nuk e di.

Gjatë kohës që ke qenë i burgosur, ka pasur tentativa për të të bërë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit?

Ka pasur. Nuk e di i sillnin apo vinin vetë, por ka pasur edhe të kësaj natyre.

Kujto.al

11 Komente

  1. x
    xha Beqo

    rob zoti, as shpik as trillon gje, megjithese ka vojtur

    Përgjigjjuni
    1. X
      Xhaxhi

      Respekt per kete njeri human ne shpirt qe megjithese i nxine jeten nuk u be si te tjeret qe vodhen dhe dogjen Shqiperine 35 vjet.

      Përgjigjjuni
      1. D
        Dhimbje sa here lexoje te tilla vuatje..

        Fatekeqesi e madhe per kete zoteri qe ka vuajtur por dhe per secilin qe ka vuajtur si ky...shyqyr zoti e paska ndimuar dhe sote jetonka i gezuar me nipa e mbesa.. Vetem eshte e habitshme se te gjithe pjestaret e Familieve te vuajtur te presekutuar ! te gjithe ju turen demshperblimeve ! dhe i haruan ata xhelate qe kane bere gabime ! ju turen jetes me te mire ! dhe i haruan Torturat vdekjet e te dashurve te tyre !

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dhimbje sa here lexoje te tilla vuatje..

          Fatekeqesi e madhe per kete zoteri qe ka vuajtur por dhe per secilin qe ka vuajtur si ky...shyqyr zoti e paska ndimuar dhe sote jetonka i gezuar me nipa e mbesa.. Vetem eshte e habitshme se te gjithe pjestaret e Familieve te vuajtur te presekutuar ! te gjithe ju turen demshperblimeve ! dhe i haruan ata xhelate qe kane bere gabime ! ju turen jetes me te mire ! dhe i haruan Torturat vdekjet e te dashurve te tyre !

          Përgjigjjuni
          1. S
            Shkodrani-Belgjikë

            Ka pas shtet dikur shqipnia prokurori 15 gjygjtari 20 vjet. Po të ishin këta prokurorë e gjyqtarë sot e gjithevpolitika do ishte në burg bashk me beler bajg e co.

            Përgjigjjuni
            1. V
              Vezet Rehas

              Agjent Grek, mire ta ka bo.

              Përgjigjjuni
              1. M
                Myzaferi

                Ata qe kanë vuajtur realisht kështu janë, ndërsa shumica qe u hapën si të vuajtur në demokraci kanë qënë spiunë duke filluar nga njerzit e artit qe janë Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Robert Ndrenika (me vëlla të arratisur) e të tjerë

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Dibeani-uk

                  Ne qofte se ke punuar per jevgjite greke edhe une do ta fikja cigaren ne gjuhe

                  Përgjigjjuni
                  1. M
                    Moisi Golemi

                    Mirë ta bënë.

                    Përgjigjjuni
                    1. R
                      Reshit Lala

                      Nuk edimë ç'ka ndodhur! E gjithë Shqipëria doli e burgosur nga diktatura! Të gjithë të burgosur politikë si agjentë të serbit, grekut e të tjerëve! Të gjithë të dënuar "pa faj"! Vrasjet dhe sabotimet nga bandat e diversantëvenë veri, sipas të dhënave të padeklaruara nga shteti Shqiptar nga frika e panikut dëshmojnë, se viktimat janë më shumë njejrëz të thjeshtë e ushtarakë, se sa nga bandat e diversantëve. Dikush, që është dënuar pa të drejtë shoqëria duhet t'i kërkoj falje, por a mund t'i kërkojmë falje të gjithë shoqërisë? Pra duhet ti kërkojmë falje vetes, sepse kur dalin të gjithë të dënuar- jemi dhe ne. Për ditë dëgjojmë për të dënuar "pa faj", po të dënuar me faj si në ç'do shoqëri a kishte tek ne, kur të gjithë rreth e rrotull kërkonin e paguanin agjentë kundër shtetit shqiptar?! Është për të të ardhur keq ,që të dënuarit e vërtetë pa faj janë lënë në harresë dhe shpërblimet i kanë bërë ata, që i kanë dënuar të parët.Si i dënuar edhe nga diktatura edhe nga demokracia pres rradhën edhe unë- të dëmshpërblehem nga shteti shqiptar për padrejtësitë, që janë bërë në emër të tij! TË KËQINJTË EDHE KËTË HERË KANË BËRË NJË KRIM TË MADH! ATA KANË VRARË TË VËRTETËN!

                      Përgjigjjuni
                      1. K
                        Km

                        Dhe lexova se nje shqiptar ne amerike ishte perndjekur dhe arrestuar nga FBI si agjent shqiptar.Pse Agjentet greke ne shqiperi i ktheni ne heronj,kur dihet qe Ka nje vendim gjyqin per denim.Beni publike dosjen gjyqesore te tij,por pa' manipulime dhe fshirje paragrafesh.Sa per torturato.Di nje rast.Major PP ne drejtorine e hetuesise ne Tirane ne vitet 1966- 1967.U cmibilizua dhe perjashtua nga sistemi i ish MB te asaj kohe,vetem se e fyejti nje te pandehuri ne proces hetimor.Jo me ta kete prekur me d'ore.Ka qene ky Miku agjent grek,sepse pa' tre prova te vertetuara nuk kish burre te te prekte me d'ore,Jo me te te arrestonin.Spiunet denohen ne cdo lloj regjimit.Pse i marrin sot ne mbrojtjen? Sepse Agjentet e huaja Kane kapur prej dyti Shqiperine

                        Përgjigjjuni

                        Lini një Përgjigje