
Në anën ku Këndrevica bie në Vjosë e ku dielli lind herët në mëngjes është një fshat i lashtë që mban emrin e një Burri: Mato Hasanaj!
Aty lindi Hyso Isufi, jetimi, inxhinieri i minierave, personaliteti dhe njeriu i mirë që kujtohet e do të kujtohet në Memaliaj e nga Memaliotët që e respektuan dhe e deshën, por edhe kudo në anët e shumta të botës ku kanë ikur minatorët!
U njoha me Hyso Isufin kur erdhi të punojë inxhinier në Minierën e Memaliajt dhe i vuri shpatullat e brishta në një prej sektorëve më të vështirë e larg qytetit: Fushës së Dytë, si e thirrnim ne.
E kisha kryer atëkohë rrugëtimin e prapë e të përditshëm nëpër galeri e llava sektori e zone, ku rrëshqisje nëpër dyshemenë e ftohtë të fronteve të prodhimit, me shpinën në gur e gjunjët që gati preknin tavanin e qymyrit.
Hynte në minierë fytyrë bardhë dhe dilje prej andej krejt i nxirë nga pluhuri, ndonjëherë me pantallonat e punës të grisura nga mbrapa, sa nuk të njihte as nëna jote!
Shpesh sillja ndër mënd shprehjen revolutese të një revolucionari të rëndësishëm të fillimshekullit të XX: Kur do të marrë fund kjo punë veç me rrezik dhe që të fëlliq tërë trupin!
Shtatmesatar Hyso Isufi, brun i theksuar, me flokë të zinj e të drejtë, të shtrirë mbi ballin e rrudhosur herët,
Hyso Isufi i kishte sytë plot dritë dhe me një gjallëri të çuditëshme.
Qeshte rrallë, buzëqeshjen e kishte më të bukur e më të shpeshtë!
Zëri i tij ishte i fortë, i qeshur nga lufkat por me tinguj që mbartnin një drithërimë brënda, si dhimbje të ndrydhur, çka ia ngarkonte përherë frazat me dhimshuri njerëzore.
Mendimin e kishte të kthjellët e të saktë Hyso Isufi. Në debate, takime për punët e problemet minerare, por dhe në çështjet sociale e qytetare, ishte i përpiktë dhe i palarguar nga humanizmi.
Trajtimet formale e dykutpimtëshe nuk ishin të tij dhe i urrente, përgjegjshmëria ishte e tij!
Kishte lindur më 28 Mars 1942. Një e Premte ajo ditë e ftohtë e erë të fortë funddimri. Era vinte nga veriu i akullt, binte në lumë e ngarkohej me lagështirë dhe ngjitej shpatit të malit për t’u ngatërruar me dëborën lart.
Solli gëzim ajo ditë: Pas një vajze, u lindi djali Arapit e Xhikos së Isufajve!
Gëzoi fshati dhe pse kohë lufte.
Tre vjet më pas, në vitin 1945 erdhi gjëma: Hysua mbeti jetim! U shuan në moshë të re e dhe njëri dhe tjetri: dhe Baba dhe Mëma.
Mbi të vegjëlit, Sadete e Hyso, motër e vëlla, hodhi dorë xhaxhesha Erparja; xhaxhai- Fetiu- partizan i Brigadës së Parë, ishte bërë oficer dhe ishte ende i mobilizuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Ata, Erparja dhe Fetiu i mbajtën dhe i ushqyen, u bënë vatrë e ngrohtë për Hyson që e dërguan në shkollë dhe Sadeten derisa e martuan!
Në vitin 1950 Hysua u sistemua në shtëpinë e fëmijëve në Durrës që të mundej të vijonte mësimet. Vogëlushi shëndetlig e pa kujdesin dhe dashurinë prindërore, nuk zhgënjeu: I shkëlqyen në mësime dhe sjellje! Një vit e dërguan dhe në festën madhështore të Vitit të Ri që organizohej për nxënësit e shkëlqyer të Shqipërisë së re, në Pallatin e Brigadave.
U rrit nëpër konvikte.

Në vitin 1960 Hysua përfundoi shkëlqyer në Tiranë shkollën e mesme profesionale Gjeodet dhe u dërgua për të punuar në Minierën e Qymyrit Memaliaj.
U çmua për rreptësinë e djaloshit të pakursyer nëpër galeri me instrumenta në duar dhe iu dha e drejta për të studiuar në Universitet.
Në vitin 1968 inxhinier Hyso Isufi filloi punë në sektorin më të rëndësishëm të nxjerrjes së qymyrit në Memaliaj, në Fushën e II-të.
Duhet të zgjohej e të bëheshe gati në orën pesë të Mëngjezit përditë, të udhëtoje me autobuz në rrugën e pashtruar, të ishe në krye detyre në orën gjashtë e tridhjetë, të informoheshe për gjëndjet e llavave e galerive dhe të ndaje detyrat e ditës për çdo front.
Mandej të futeshe nëpër galeritë e errëta të niveleve, të inspektoje punimet e të takoje kudo njerëzit që po kryenin operacionet e rënda që kërkon nxjerrja e qymyrit, të kryeje ajrimin e çdo punimi dhe daljet e pabesa të metanit, të riorganizoje rishmë çka kërkohej nga kryrja dhe me shqetësimin e pandarë se mos të kishte shpëtuar diçka pa u vënë re nga ai inspektim i hollësishëm, diçka që mund të çonte në një katastrofë njerëzore, dilje të merrje ajër të freskët mbi tokë e rreze dielli në perëndim.
Inxhinier Hyso Isufi u gjend në Memaliaj kur kërkesa për qymyrin e saj rritej me shpejtësi vit për vit dhe kur nga ajo minierë u tërhoqën për në pozita të tjera të industrisë minerare shumë specialistë me eksperiencë.
Në vitin 1973 Hysua u caktua drejtuesi kryesor i Pusit Nr. 3.
Kishte ndodhur një shpërthim metani me pasoja fatale për tre minatorë në këtë sektor dhe me shumë shkatërrim në punimet minerare.
Ishte delikate dhe e rëndë të merrje përsipër këtë detyrë dhe aq më e vështirë që se, të kërkohej domosdoshmërisht të bëje planin. Tronditja e minatorëve dhe e gjithë punonjësve deri tek qytetarët e Memaliajt ishte e fortë: Një humbje e madhe në njerëz, një fenomen i panjohur më parë dhe i papritur që kërkonte kërkime dhe masa të reja sigurie në punë e kualifikim më të lartë të krejt personelit, por edhe plani duhej bërë!
Hyso Isufi i vuri shpinën kësaj barre dhe e mbajti me nder.
Minatorët e dëgjonin dhe e donin, personeli vartës nuk ia bënte fjalën dysh dhe ishin të pakursyer e të pa frikë, pati mbështetje nga të gjithë dhe ia doli me sukses.
5 Vjet rresht dhe i përkorë në punën e palodhëshme dhe përpjekjet për ta bërë çdo front pune sa më të sigurtë për jetë e kujdo që rrezikonte që sa futej në nëntokë ku dhe ajri ishte i normuar për secilin deri sa dilte nga ai terr që luftohej me llampa dore dhe me… këngën dhe humorin e jashtëzakonshëm që karakterizonte minatorët e Memaliajt.
Në këtë kohë Hyso Isufi ishte martuar.

U martua në vitin 1972 kur punonte si inxhinieri kryesor i Fushës së II-të. Gruaja e tij ishte çupa e Tahir Kallëmbit- Hero i Punës Socialiste dhe shefi i këtij sektori, shefi i ardhur nga minator.
Ishte një marrëdhënie e komplikuar Shef-Inxhinier kryesor, apo Tahir-Hyso për arësye formimi profesional por edhe temperamentesh. Po jeta e çudirave bën çudira: Hysua dashuroi vajzën e shefit në qytet dhe grindje me të ardhshmin Vjehrr në minierë!
Sidoqoftë, martesat ishte e mbarë dhe Hysua me Fatmirën-gocën e urtë e të mençur të shef Tahirit, bënë vatrën e tyre familjare të lumtur: lindën nga ky bashkim fatlum dy djem: Eramali dhe Rudini.
Puna e palodhur, familja e shëndetëshme dhe e lumtur, respekti i minatorëve dhe qytetarëve jetimin Hyso e ngritën në pozitën e kryeinxhinierit të minierës më të madhe të vendit tonë në ato kohë! Dhe ishte koha kur kërkesa për qymyr Memaliaj synonte 500 mijë ton në vit. Kërkoheshin fronte të rinj pune, modernizim i teknologjisë nxjerrëse, përmirësimi i drejtimit teknik dhe kualifikim specifik në përputhje me operacionet dhe kushtet në vështirësi.
Në ato vite u hapën dy komplekse pusësh vertikale të rinj dhe galerish fushoresh që ndrruan dhe gjendjen e mekanizimit, por edhe që kërkuan fuqizimin në maksimum ajrimin e minerave.
Në krye të këtij procesi të komplikuar teknik e organizativ, që kërkonte bashkërendim dhe nivel të lartë diturish për minierat, ishte inxhinieri Hysa Isufi.
Në këto punë Hyso Isufi qëndroi deri sa doli në pension në vitin 1991.
Kanë ikur shumë vite qysh nga ajo kohë, ka ikur nga jeta dhe Hyso Isufi tash e pesë vjet më parë! Të shkosh nëpër kodrat e Miricës, Zhapokikës dhe Luftinjës tani, vështirë se do gjesh ndonjë shenjë të minierës më të madhe të Memaliajt ku punonin aq shumë njerëz të përkushtuar! Ndoshta, po të jesh i kujdesshëm, mund të shohësh ndonjë stok të bërë terrilesh të mbuluara nga gjelbërimi i ri, i harruar tanimë… mund të shohësh edhe ndonjë kullë pusi të nxirë kohe e të shpalluar nga erozioni.
Nëpër territorin e ish minierës kalon një rrugë e re e asfaltuar, që lidh kryeqendrën Memaliaj me fshatrat deri në Buz e Berat.
Çuditërisht, apo më saktë, është fantastike që kujtimet jetojnë përtej objekteve dhe njerëzve që i ndërtuan!
Ngjarja udhëton në të ardhmen jo për nga pasojat që sjell, por për nga vlerat që përcjell dhe njerëzit rrojnë nëpër kujtime për personalitetin që përcjellin në kohën e tyre!
Hyso Isufi është një personalitet që po kujtohet e do të kujtohet përherë nga njerëzit me të cilët punoi, inxhiniera a minatorë, bashkëmoshatarët, ata më të rinjtë dhe ata më të vjetrit që janë në jetë, por, më të dëgjuar, edhe nga fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre, në Memaliaj e kudo që janë…
Gjaku i Hysos rrjedh në pak damarë, kujtimet për të rrjedhin në shumë e shumë tryeza bisedash me përmallje, vlerësime, çiltërsi e mësim jete, për sa ai përfaqëson: Një jetim që ngrihet e rritet për të ndërtuar jo thjesht jetën e tij, por një kompleks madhështor pune, marrëdhëniesh e humanizmi në ambiente ku vështirësitë janë ekstremisht dramatike… dhe këto me çiltërsi, pa kreni të sëmurë dhe thjesht me zemër të bardhë!
Një përshkrim i shkurtër por isakt duhet thënë se inxh Hysua ishte dhe një shahist shumë i mirë