Kopertina e gazetës Minerva e korrikut të vitit 1935 shfaq portretet e vajzave maturante të institutit shtetëror të kohës Instituti “Nana Mbretneshe”.
Në atë institucion shtetëror, më i rëndësishmi i kohës për arsimimin e vajzave në Shqipëri, kanë studiuar emra të rëndësishëm të historisë dhe artit, që do të linin gjurmë, për mirë por edhe për keq, në historinë e Shqipërisë së shekullit të shkuar.
Një ndër figurat më të ndritura është Musine Kokalari, shkrimtare dhe një ndër intelektualet më të spikatura të gjysmës së parë të shekullit XX. Ajo u shfaq shpejt si antikomuniste sapo regjimi erdhi në pushtet dhe u dënua me burg dhe internim deri në ditën e fundit të jetës.
Në të njëjtën kohë, në këtë institut ishte nxënëse edhe Nexhmije Hoxha, një grua që la gjurmë të errëta në historinë e Shqipërisë. Ajo ishte bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha dhe, në historinë 45-vjeçare të diktaturës, u shfaq po aq e ashpër sa bashkëshorti.
Shumë prej vajzave të institutit “Nana Mbretneshe”, që kishin qenë shoqe me Nexhmije Hoxhën, u dënuan me burg, por edhe me pushkatim. Një ndër vajzat maturante që shfaqen në kopertinën e Minervës, është edhe Liri Gega, e cila u dënua me pushkatim nga Enver dhe Nexhmije Hoxha.
TemA sjell pamje filmike të kohës, por edhe një artikull në gazetën Minerva të vitit 1935, që i bënte jehonë këtij institucioni me shumë rëndësi në zhvillimin, arsimimin dhe emancipimin e grave shqiptare.
TemA
Lini një Përgjigje